Atdheu midis mistikës dhe poezisë (Vështrim mbi librin ” Mos e prek” me prozë dhe poezi të Kaltrina VB Hotit)

Atdheu midis mistikës dhe poezisë
 
(Vështrim mbi librin ” Mos e prek” me prozë dhe poezi të Kaltrina VB Hotit)
 
 
“Të gjithë poetët janë mistikë, sepse kanë qasje me tokën dhe qiellin për të luajtur me to dhe një fé, për ta zyrtarizuar e që është poezia”
 
Cesarina Vighy, shkrimtare italiane
 
 
 
Nga: Fatmir Minguli
 
Të hysh në botën poetike të poetes dhe piktores shqiptare Kaltrina VB Hoti, do të thotë të hysh në shpirtrat e shumë e shumë shqiptarëve jashtë e brenda trojeve shqiptare.
Në librin e ri të kësaj poeteje brilante në stilin e vet, libër që titullohet lakonisht ” Mos e prek”, lexuesi surprizohet edhe nga paraqitja e prozës së shkurtër në pjesën e parë të librit. E quaj surprizë ardhjen e poetes Kaltrina me prozë, integruar bukur me poezitë e saj tashmë të mirënjohura në librat e botuar pak kohë më parë ” Flaka e shpirtit”, ” Puthja sekret”, ” Buzëqesh”, por dhe me poezitë e këtij libri që kemi në dorë.
Proza e Kaltrinës e përfaqësuar me 27 të tilla vjen papritmas para lexuesve si një tabllo me përmasa të mëdha në hapësirën e mendimit, por dhe në kuptimin tridimensional. Tablloja hapet me “Portën Etnike”, simboli i ideuar mrekullisht nga autorja dhe duke përcjellë prozat njera pas tjetrës ndjen se si fluturon virtualisht në atdheun e Ilirëve dhe i shoqëruar nga vetë autorja, rikthehesh në jetën reale.
Proza e Kaltrinës është qiellore me imazhe të pikturuara me fjalë të pakta por me shumë mendim. Ajo zbaton sipas meje porosinë e Ernest Heminguejt që thotë:” Gjëja më e vështirë në botë është një prozë e sinqertë dhe e ndershme për qenien njerëzore”.
Ka shumë ide në këto proza, ku të habit stili lakonik, figurat letrare ku antiteza mbretëron dhe larmia e aspekteve të jetës.
Në “Portën etnike” autorja shkruan: ” Dikur ishim fëmijë të Ilirëve e tani jemi copat e stuhisë së turbulluar “, ku automativisht ajo kërkon ndërtimin e Portës së Re. Autorja jo vetëm që e kërkon Shqipërinë e re por flet dhe për vështirësitë e jetës për çdo shqiptar mërgimtar apo jo.
Në prozën ” Kufizimi i dëshirës ” gjejmë disa nga dilemat e sotme, që shqiptarët dhe jo vetëm ata, kalojnë. Këtu proza e shkurtër e Kaltrinës merr flatra e kërkon të fluturojë në qiejt e poezisë duke gjykuar mbi mundësitë që njeriu ka për t’u përmbajtje. Prandaj kësaj proze i rrinë në krah ato si ” Heshtja” dhe ” Pritja” ku me konceptualitet e mistikës ajo na çon në botëra sureale që ajo magjishëm i transformon në realitetin jetësor të shqiptarëve kudo që ndodhen.
 
 
 
 
Duke i kënduar dashurisë dhe lirisë së përgjithshme ajo i jep drejtim rrymave shpirtërore, e çon lexuesin drejt shkencve nga më të ndryshmet që studjojnë shpirtin e njeriut, qofshin ato fetare, teosofiste apo idealiste.
Në librin “Mos e prek” një titull që mbështetet në këto teori, ka dhe tre cikle me poezi të titulluara “ Nesër është sot”, “ Nata palohet”, “ Mos e prek”. Në to dalin në pah shumë tendenca të reja të poetikës së Kaltrina VB Hotit. Poezitë që flasin për heshtjen, për qiellin, për mjegullën, për retë dhe shiun, për natën, për puthjen dhe ëndrrat të kujtojnë veprën e studjueses H.P.Blavatskij “Zëri i heshtjes”. Kështu Kaltrina e shpreh dashurinë për trojet shqiptare nëpërmjet mistikës, nëpërmjet imazheve të kalorësve të Eposit të kreshnikëve, nëpërmjet historisë së madhe të shqiptarëve në të kaluarën. Ajo ndryshe nga poetë e shkrimtarë të tjerë këtë dashuri e sjell pa slogane patetike, pa fjalë të bukura, por me artin e poezisë dhe forcën e abstragimit të koncepteve dhe fenomeneve. Ajo bashkon Portën e Re me qiellin dhe fshehtësitë e tij. Ajo lutet në qiell që të realizohet Porta e re në trojet shqiptare. Dashuria ashtu si në poezinë “Pa mbiemër” është për poeten, e shenjtë, që i përket qiellit, ndaj papërcaktueshmëria, hezitimi për konkretizim final është i drejtë kur ajo thotë se dashuria “nuk ka nevojë për mbiemër.”
Libri i ri “Mos e prek” nëpërmjet ekzistencializmit dhe formave impresioniste është plot me pasazhe ku abstraktja kthehet shumë shpejt në konkrete ashtu si ”Zanat e maleve vërtiten në botën e mendjeve shqiptare edhe si shi, edhe si mjegull, edhe si gjethe”.
Gjethja në librin e ri të Kaltrina VB Hotit, është simboli më i ri poetik i saj, është vetë mërgimtari që sillet si parabolë fluturake e që kërkon ujin,(atdheun) për të mos u tharë. Qielli, është vetë mistika e poetes, kaq i pranishëm në libër.
Liria dhe dashuria, janë këto dy shqetësime që Kaltrina VB Hoti i trajton ndryshe nga librat e tjerë. Kjo është meritë e saj që nuk përsërit vetëveten as në subjekt as në stil. Kështu në këto poezi të librit “Mos e prek” shiu vjen nga retë e qiellit si transmetues i jehonave të qiellit e shkon deri te zemra e vashës. Dhe krahas dy ndjenjave madhore të dashurisë për atdheun dhe për vashën, ajo sjell dhe shqetësimet e kësaj jete si mërzitjen, mëkatet e shpirtit të cilat mistikisht forcojnë edhe impresionizmin e saj poetik duke kalëruar galop me pikturat e saj.
 
 
Mos e prek
 
Me librin e ri “Mos e prek”, Kaltrina VB Hoti vjen si poete e hapësirave të kaltra ku qielli, mistika e tij është e kuptueshme që e ndihmon për t’u shpjeguar shqiptarëve se liria nuk është e thjeshtë, se Atdheu duket dhe nuk duket. Prandaj format ekzistencialiste dhe impresioniste në disa poezi ku zotërojnë të kundërtat, janë sjellur nëpërmjet antitezave të shumta si një realitet dhe jo sheqerizim i problemeve. Në poezinë “Asgjë, s’kërkoj asgjë” natyra përzihet me qiellin por ku duket hapur se poetja kërkon shumë, aq shumë sa të kujton poetët e mëdhej të Rilindjes shqiptare.
Ky libër i bukur mbyllet me poezinë obelisk të titulluar “Vallëzim në shi” që simbolikisht është një prolog elegant i librave të parë të botuar nga autorja në gjuhën shqipe.
 
“flaka e shpirtit
u takua me puthjen sekrete
unë ta mora vargun
derisa ti ëndrrën e preke
buzëqesh…
dhe mos e prek.”
 
Ajo kërkon që dhe Atdheun mos t’ja prekin, as dashurinë e saj dhe as lirinë e vërtetë të shqiptarëve. Ky është dhe thelbi i poezive të Kaltrina VB Hotit në librin e bukur “Mos e prek”.
 
Fatmir Minguli
Durrës qershor 2017
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s