“Masa dhe pushteti” Vepër sociologjiko-filozofike (Në dy vëllime) – Fragment ” Ndjesia e varrezave” / Përktheu në shqip Aristidh Ristani

Masa dhe pushteti
Vepër sociologjiko-filozofike
(Në dy vëllime)

ELIAS KANETI
*Laureat i Çmimit Nobël

Kapitulli:  ”Ndjesia e varrezave”

Varrezat kanë një forcë të madhe tërheqëse; njerëzit venë t’i vizitojnë edhe kur atje nuk kanë asnjë nga të afërmit e tyre. Kur mbërrin në një qytet të huaj, njeriu shkon në varreza si në pelegrinazh, e gjen kohën për këtë punë dhe shëtit aty sikur ai vend është bërë enkas për vizitorin. Edhe kur ndodhesh në vend të huaj, gjëja që të tërheq për të shkuar në varreza s’është gjithmonë varri i një njeriu të nderuar. Por, edhe nëse fillimisht vizita ka pasur një qëllim të tillë, asaj i shtohen më pas edhe gjëra të tjera. Kur ndodhesh në varreza, kridhesh shumë shpejt në një gjendje shpirtërore krejt të veçantë. Është zakon i përshpirtshëm të gabohesh lidhur me natyrën e kësaj gjendjeje shpirtërore, sepse trishtimi që ndien dhe që për më tepër e tregon hapur, kërkon të maskojë një kënaqësi të fshehtë.

Çfarë bën konkretisht vizitori kur ndodhet në varreza? Si lëviz dhe për ç’gjë interesohet? Çapitet nga njëri varr tek tjetri, sodit këtë ose atë rrasë varri, lexon në to emrat dhe ndien që disa syresh e tërheqin. Pastaj nis të interesohet për ato që shkruhen poshtë këtyre emrave. Ja një çift bashkëshortësh që kanë jetuar së toku për një kohë të gjatë dhe tani prehen këtu, ashtu siç u ka hije, pranë njëri-tjetrit. Ja një fëmijë që ka vdekur fare i vogël. Ja një vajzë e re që sapo ka mbushur të tetëmbëdhjetat. Vizitorit i tërheqin vëmendjen gjithnjë e më shumë jetëgjatësi, të cilat i humbasin përherë e më tepër në sytë e tij veçoritë e tyre prekëse.

Ja njëri këtu që ka jetuar tridhjetë e dy vjet, ja dhe një tjetër atje matanë që ka jetuar dyzet e pesë vjet. Vizitori tani është më i madh në moshë, kurse ata kanë dalë, si të thuash, jashtë gare. Has shumë nga ata që s’kanë shkuar dot aq larg sa ai, dhe, kur s’kanë vdekur në moshë shumë të re, fati i tyre s’i ngjall fare keqardhje. Por ka edhe shumë të tjerë që ia kanë kaluar. Ja disa burra shtatëdhjetëvjeçarë, madje aty-këtu has edhe ndonjë që ka jetuar më se tetëdhjetë vjet, dhe mendon se mund t’i arrijë, e nxitin vërtet të barazohet me ta. Vizitori e ka rrugën ende të hapur. Nuk i është përcaktuar sa i mbetet akoma të rrojë, dhe kjo është një epërsi e madhe që ai ka në krahasim me më të moshuarit ndër të vdekurit, madje edhe mund t’ua kalojë po të përpiqet pak më tepër. Është diçka zemërdhënëse të matet me ta, sepse e ka qysh tani një avantazh përballë tyre: ata e kanë arritur objektivin, nuk rrojnë më. Me cilindo syresh të hyjë në garë, e tërë forca është në anën e tij, sepse tek të vdekurit nuk ka më forcë, atje poshtë ekziston vetëm objektivi i caktuar. Më të fortët janë mposhtur. Ata s’janë në gjendje më ta vështrojnë drejt në sy, si burri burrin, dhe i përcjellin edhe forcën e tyre, që të bëhet përgjithmonë më i fortë nga ç’kanë qenë vetë. Ai tetëdhjetenëntëvjeçari që dergjet aty mishëron, si të thuash, shtysën më të fuqishme. Ç’e pengon njeriun të arrijë të nëntëdhjetat?

Por mes një morie të tillë varresh nuk jepesh vetëm pas kësaj llogaritjeje. Aty nis të interesohesh se sa kohë kanë që dergjen në varreza këta ose ata njerëz. Koha që të ndan nga vdekja e tyre ka diçka qetësuese: ajo tregon se sa kohë je në këtë botë më shumë se ata. Varrezat ku gjen akoma rrasa shumë të vjetra, të cilat janë qysh nga shekulli i tetëmbëdhjetë, madje edhe nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, kanë diçka të madhërishme. Ndalesh me durim përballë mbishkrimesh pothuaj të fshira dhe nuk lëviz vendit para se t’i kesh deshifruar. Kronologjia, që njeriu e përdor zakonisht vetëm për qëllime praktike, merr ashtu befas një gjallëri të madhe e kuptimplotë. Të gjithë ata shekuj që i njeh, të përkasin ty. Atij që dergjet atje poshtë as që i shkon mendja se dikush që po rri në këmbë aty lart, po i llogarit jetëgjatësinë. Për atë atje poshtë, kronologjia mbaron me vitin e vdekjes së tij; kurse për atë që po llogarit aty lart, kronologjia shkon më tej, gjer tek ai vetë. Ç’nuk do të jepte i vdekuri i lashtë që të qëndronte tani në këmbë përkrah atij vizitori të varrezave! Kanë kaluar dyqind vjet qysh nga koha e vdekjes së tij: pra, vizitori është, si të thuash, dyqind vjet më i madh se ai. Falë traditave të llojeve të ndryshme, ai di shumë gjëra nga koha që ka rrjedhur qysh atëherë. Ka lexuar për të, ka dëgjuar të tjerë të tregojnë për të, kurse disa gjëra i ka përjetuar edhe vetë. Kur ndodhesh në varreza, është zor të mos ndiesh njëfarë epërsie; në këto rrethana, njeriu naiv e ndien diçka të tillë.

Por akoma më tepër ai ndien se aty po shëtit vetëm. Nën këmbët e tij dergjen shumë njerëz të panjohur, të gjithë ngucur së bashku. Numri i tyre është i papërcaktuar, por i madh, dhe ata shtohen përherë e më shumë. S’mund të largohen nga njëri-tjetri, dergjen aty si në një pirg. Vetëm ai vjen e ikën sipas qejfit. Vetëm ai rri në këmbë mes tërë atyre që dergjen në varreza.

(Elias Canetti: “Masa dhe pushteti”, 
Titulli i origjinalit: “Masse und Macht”. 
Vepër sociologjiko-filozofike. 
Në dy vëllime, 720 faqe.)

 

Përktheu në shqip Aristidh Ristani

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s