Poezi nga Lumo Kolleshi
NJË KAT PA LEJË
Mbi “Jul Çezarin” e Shekspirit
Ngre për çdo natë një kat pa lejë.
Gjaku në kokë i shkon delirit,
Tym me shtëllunga qiejve të ngrejë.
Dhe është gati e njëjta skenë
Dhe skenë krimi sigurisht,
Komplotistët kohë s’kanë të flenë,
Në Filipi vuajnë pabesisht.
Mark Antonët s’do qajnë Çezarin,
Krimin e radhës duan të mbrojnë,
Për një kurorë e kanë hallin
Dhe pse një Romë bëhet një Trojë.
FALË TEJE UNË BABA
Me dëborë e veshi malin atë natë,
Veç mua ai mars më kish bërë zjarr.
Pritja i rrëzonte gurët shpat me shpat,
Cigarët nëpër tym i ndizja me cigar.
Në maternitet nuk kisha shkelur kurrë,
Në maternitet për herë të parë më fute ti,
E fsheshura nën çarçafë, sa një grusht,
E shenjta sa një ëngjell në qiellsi.
Veç një çast na lanë bashkë mamitë,
Dy puthje mbolla e ikja havada.
Një sofër ma shtruan në ëndrr perënditë.
Në pasqyrë pashë veten a ngjaja si baba.
***
Në një farë mënyre,
Doni apo s’doni ta besoni,
Të bardhë,të zinj e të çdo ngjyre,
Udhëtojmë drejt një Kamçakte si salmoni.
PJERGULL…
Pjergull që po më fryn sythet,
Ç’fjalë ke lënë me dallëndyshet?
Mëngjeset po m’i sjell ndryshe,
Po m’i sjell mbushur mëngjeset,
Syrin ma përplas te qelqet.
Kur të shoh veshur me gjethe,
Më shtie shtatë palë ethe.