Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

STILOLAPSI I MËSUESIT

Stilolapsi im, ngjyrë gurkali,
shtoi gjithandej klasat paralele,
shumoi bluzat e bardha në spitale,
mbushi udhët, klube dhe hotele.

Stilolapsi im mësimor i thjeshtë,
mbolli brazda, arave grunore,
rinoi uniformën blu e të blertë,
shtriu biznese largësive skajore.

Stilolapsin im në vite e hapësira,
shpoi galeri tejpërtej malit,
radhiti libra, sa i mbaroi ngjyra.
Në xhep më mbeti, guri i kalit…

 

GJETHET E RËNA STINËVE

Ashtu siç bien nga pemët gjethet në vjeshtra,
pema e atdheut po vyshket nga gjethet e rëna.
Erërat e ftohta me pështjellime të shpeshta,
bënë, të bien gjethet e blerta nga degët nëna.

Pema jonë ka pasur vegjetim të lartë gjelbërimi,
derisa arriti në katër milionë gjethishte të gjalla.
Por pak nga pak, vyshkjet nga thatësira e mjerimi,
bënë degët e saj, të mbeten me gjethe të rralla.

“Kujdestarët” e zgjedhur, pas stinëve pranverore,
për të siguruar burimet vaditëse, s’kanë menduar,
për erërat e thatësirës, në stinët e çdo kurore,
derisa gjethet e saj , pothuajse janë përgjysmuar.

Sado të mundohen, të gjejnë në botë, gjethet e rëna,
humanistët viziv të medias, që gjethishtet gjurmon,
në emisionet “Gjethe të humbura” nga degët nëna,
nuk arrijnë t’i kthejnë pemës, blerimin që i mungon…

Dhe degët nëna, nisën të vajtojnë me lot mallëngjimi:
-O gjethja ime e shtrenjtë, ku të ka zënë sonte nata,
kush t’i mbulon supet, të mos ftohesh nga thëllimi?…
Kthehu, mos u vono, të më gjesh në shkarpat e thata!…

Ndaj “kujdestarët” e pakujdesur, për gjethimin e tyre,
duhet të mbrojnë të tëra gjethet, nga ftohtësirat acar,
para se gjelbërimi i Atdheut të bëhet pemë shkretëtire,
të vajtojnë degët e gjora, tharjen e gjithë trungut shqiptar.

 

LULJA E BORËS

Ngrite kryet përpjetë, mbi jorganin e ngrirë,
sfidove dimrin e ftohtë, moj lulja e borës!…
Çele ngjyrat ylberore, mbi korijen e mpirë,
si agim boreal, në polin akullor të botës.

Paqja ka ngjyrat e tua, me të gjitha bukuritë,
moj lulebora, që guxon të sjellësh shpresën.
Kjo ndodh kurdoherë, në të gjitha trimëritë,
kur njeriu ngre krye, përmbi shtypjen e egër.

Kështu kanë guxuar heronjtë, që nga krijimi,
me pak petale jete, t’i dalin vdekjes përballë.
Kështu guxon të shpërthejë lulen e vet agimi,
kur nga bora e zezë e natës, çel boçën e bardhë.

Moj e vogla, lulja e borës, ti gjakun ma ngrohe,
më lulëzove zemrën, në ditë janari dhe shkurti.
Lulëzimin tënd, me të parat petale pranverore,
s’e harroj, sado lule të shoh, nga marsi, te gushti!

 

PASQYRAT PA GOJË

Dëshira për të parë veten, në xhamin e pasqyrës,
lindi qëkur pellgu i ujit i tregoi njeriut të lashtë,
se në dimensionet e trupit dhe formën e fytyrës,
kishte ndryshime, me të egrit e tjerë përqark.

Pasqyra evropiane, zbuti indianët e Amerikës,
dhe indigjenët e Guinesë, si dhuratë e paparë.
Ata i qeshën vetes, pa menduar tmerrin e frikës,
që do t’u sillte më pas, baruti i njeriut të bardhë.

Më vonë Pitagora i Samosit, me pasqyra konkave,
mblodhi diellin gjigant, sa një grusht përvëlues,
dhe pasi drejtoi zjarrin qiellor, me energji kolosale
shkrumboi anijet, më të gjithë ushtarët pushtues.

Pasqyrat me refleks amalgami, të çdo formati,
u bënë më pas, sendi vetjak më i domosdoshëm,
për të mbajtur në kontroll çrregullimet e shtatit,
dhe paraqitjen e fytyrës, për çdo sy të zakonshëm.

Përpara pasqyrave, dalin të përmirësojnë dukjen,
vajzat që makijohen për të joshur djemtë e dashur,
nuset që gjatë natës, çngjyrosen nga puthjet,
plakat që mbulojnë zhubrat e moshës së zbardhur;

Çiftet lakuriq, që e presin nga pasqyra eksitimin,
duke parë veten lakuriq, në kafshërinë e shtratit;
Kriminelët, që rreken të fshehin gjurmët e krimit,
duke kërkuar pika gjaku, në çdo pore të surratit.

Pasqyrat reflektojnë të tërë bukurinë e njerëzimit
dhe gjithë shëmtirat, që krijon natyra në nxitime.
Por, po të kishin gojë, të dëshmonin mashtrimin,
s’do kishte mbetur pasqyrë, pa u bërë thërrime!…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s