MUSINEJA – E VDEKSHMJA E MBETUR PEZULL / Nga: Shpend Sollaku Noé

MUSINEJA – E VDEKSHMJA E MBETUR PEZULL

 

Nga:  Shpend Sollaku Noé

Ka libra që nuk i lexon dot më tutje se kapitulli i parë, ka të tjerë që i le përgjysëm, dhe nuk të vjen ndërmend as pas një dite çʼke lexuar në faqet e tij. Ka të tjerë që u kthehesh vazhdimisht, pasi të duket se gjithmonë ke humbur diçka gjatë leximit, pasi të duket vetja një polumbar i paaftë për të arrirrë deri në thellësinë e funddetit që ato botime prezantojnë. Në kategorinë e këtyre librave që duhet tʼu kthehesh pa dyshim bën pjesë edhe ky botim: «Musine Kokalari – letërkëmbime, shënime, kujtime».
Secili nga këto momente zë një vend të rëndësishëm në kutimin e një jete sa të vështire, aq edhe dinjitoze. Qoftë në kujtimet, qoftë në shënimet apo edhe në letërkëmbimin e paraqitur në këtë libër bie në sy një tendencë e qartë për tʼi thënë gjërat ashtu sic kanë qenë e për tʼi lënë pak ose aspak vend intepretimeve. Siç e shkruan edhe Bibika Kokalari – autorja e kësaj përmbledhjeje, Musineja e tregon vetë historinë e saj.
Pa e filluar akoma leximin, goditesh emocionalisht që në kopertinën e parë: Një Musine fare e re mes lulesh e bari, si një zhardhok i zambakëve të jugut, drejt lulëzimit të plotë. Nuk duket si foto e vjetër; ngjan më tepër si shoqet tona të gjimnazit, në vitet ʼ70. Godet edhe historia e Bibikës në kopertinën e pasme. Ashtu si edhe presantimi që u bën këtyre dokumentave historike po ajo, rrëfimi sesi e njohu Musinenë, që nga marsi i viti 1981, deri në korrikun e 1983-isht.
Emocionet këmbejnë kurs kur Musineja flet për veten, nëpërmjet korrespondencës së saj. Që nga letra e parë, e datuar 31.12.1972, dërguar Musinesë nga Platon Kokalari e deri tek ajo dërguar këtij të fundit prej Musinesë, lexuesi ka mundësi të mësojë detaje të panjohura të jetës së saj. Ky kapitull mbyllet me listën në proçesverbalin e trishtë që risjell varfërinë në të cilën u detyrua të jetojë një nga personalitetet më të shquara të dizidencës shqiptare: një raft ushqimi; një etazher; 178 libra, një stufë zjarri; dy karrige; gjashtë enë ushqimi, mbulesa, një dyshek, një minder dërrase.
Ndersa vija re këtë inventar varfërie të thellë, mendova sesi ajo grua inteligjente shkruante e lexonte: në listën e saj të pasurisë nuk kishte asnje tavoline!
Pastaj: Çʼne 28 vepra të Hoxhës në etazherin e saj? I ka blerë për tʼu tallur, e kanë detyruar tʼi blejë? Ia kanë dhuruar me dhunë?
Në të gjitha dokumentat që ka lënë pas, ajo nuk merret fare apo e injoron plotësisht diktatorin.
I të njëjtës ngarkesë emocionale, por kësaj here të gjitha në veten e parë, janë shënimet e Musinesë të mbajtura në shtratin e lëngimit të herëpashershëm në spital. (periudha shkurt 1981- maj 1983, faqe 89-106, që mbyllen me një autobiografi të shkurtër dorëshkrimore).
Mbi të njëjtën vragë ngrihet edhe kapitulli «Mbi jeten time». Ai nis me Parashtesë të fletores numer 1, 8 faqe: 109-142). Është një libër më vete, me vlera të jashtëzakonshme jo vetëm për familjen Kokalari, por për të gjithë historinë e Shqipërisë. Unë veçova ndonjë kuriozitet, nga faqja 121, ku theksohet zbrazja e Gjirokastrës nga bejlerët, në vitin 1920, por edhe dicka me vlera të forta simbolike familjare: hyrjen e mënyrës evropiane të të jetuarit.

Kapitulli «Kujtime të përgjithshme dhe të shkëputura» shënon ndryshimin jo vetëm demografik të familjes së Musinesë (lindja e Hektor Kokalarit). Në këtë vlagë ndër më të bukurat janë dialogët e faqeve 148-149, rreth lindjes së Kasandrës. Po në këtë kapitull fillojmë të ndeshemi edhe me tmerrin që fillon të ndiejë e brishta Musine në drejtim të komunizmit. Janë ato vite kur ajo nis ta ndiejë veten demokrate.
«Une rashë në burg dhe u varrosa për së gjalli nga diktatura e proletariatit. Nxënësja e të ndriturit Sami ».
Këto janë rreshtat e fundit të kujtimeve të Musine Koikalarit. Të mbetura pezull, midis dhimbjes dhe përçmimit për injorancën dhe krimin e ardhur në pushtet.
Në këtë libër nuk është miti.
Ai, sidoqoftë, nuk ridimensionohet. Ndër faqet e këtij vellimi na ridel parasysh Musineja e brishtë, delikate, ajo e sëmundjeve, ajo e vdekshmja: Për këto aresye një Musine që «zbret» në nivelin e njeriut të zakonshëm, që nuk na bën të mburremi me të – ashtu sikur bëjmë me mitin e saj – por që na e provokon lotin vazhdimisht. Në këto rreshta, edhe të kyrsyer, na ngulitet në mendje një Zambak në fazën e pragdimrit, që humbet petalet, pastaj edhe gjethet, dhe shderrohet akoma në një zhardhok, nën tokën e ngrire. E sigurtë, që ajo do të nxjerrë kryet në të gjitha pranverat pasardhëse, për çdo herë me ngjyra akoma më të ndritshme. Me aromë akoma më tepër dehëse. Me petale e kërcenj të ndrydhura prej zinxhirëve, të shqyera nga telat me gjemba. Me vdekjen pezull mbi krye.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s