Poezi nga Xheladin A. Çitaku

Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

PASDITE

Feksë në horizont ylli i pasditës sime
sikur ndriçon muzgun e perëndimit
dhe peisazhin mbuluar n`mjegullime
mbështollur shkëlqimin e vezullimit.

Vegime mashtruese në pasditën e lodhur
kotësisht i përkëdhelin akorde emotive
kanconatë ëndërruese ndijimit të kotur
melodi të patrajta në magjepsje iluzive.

Pluskim dëshirash ndër ëndje përjetuese
ndjesi ringjallur ndër bredhje ambisiesh
në reflekse egoiste dalldi vetëmashtruese
shpresat kapitur në horizonte mahnitjesh.

Në deponi të rrëgjuara vitet të stivosura
mendja shkarë në hapa vesimesh freskie
shpirtin prushëruar shijesh të nakatosura
në pakthimi kohësh rrokullisur elan rinie.

Pasditë e murrëtyer e qiellit të vrenjtur
përthurë imazhet ngjyrimesh t`errësimit
përcëllon shigjetueshëm qetësinë e tretur
ndritjen degdisë në mugëtirat e trishtimit…

 

SHPRESË E VRARË

N`dritaren e mbyllur, në kangjela varur
shpresën e vrarë ndër blatime hipokrite 
tkurrjen shtypëse të dëshirës së ngjallur
ndryrë ndër zëndane idealin e platitur.

Ujvara hungërimash rrëshqasin rrëmbimthi
vërshojnë zhurmshëm në shpirtëra të dlirë
në grabitjen e çiltërive vrapojnë nxitimithi
të mbërthejnë në prangosje flatërimin e lire.

Kafazet të ujdisura n`udhëkryqet e jetës
në prita kohe ngrehin leqet e djallëzisë
në rrugët konverte bredhëritjet e tretjes
rrëmbejnë llupësisht në oreks t`babëzisë.

Brejtës të bezdisshëm, në idole inkarnuar
ekspozuar mnershëm, ndër pano krekosur
ndër portat e dhimbjes dinakërinë gatuar
freski filizash në ekstaza magjie nakatosur.

Zbresin shkallaresh të izbave t`errësirës
nga pas tërheqin mendësitë e ngulfatjes
në lëmë shijnë farën e nxirosur të smirës
cimbisin urrejtjet në mamuza të ngasjes.

Shikime të lodhura vështrojnë përtueshëm
kurrizin argasur, ngarkuar me mashtrime
feksje vegimesh ndër dremitje rëndueshëm
shkarë në përdhosje, shuar në ëndërrime…

 

SHFRENUESHËM

Eskorta t`çakërdisura e sirena alarmi gërvishtin shpirtin e njerëzisë
në rrugët e rënduara nga dyndjet amorfe të ngarendësve të shfrenuar
dhe çajnë përmes shpirtërash të stërlodhur nga defilimet e marrëzisë
si të zbriturit nga qielli, që n`altare të manizmit, vetveten shenjtëruar.

Eskadrone të pafre ngarendur në strofullat e tempujve të skllavërimit
me kokën lartë flatruar ndër lartësi universesh, sajuar në imagjinatë
përherë gëlltitur uritshëm racione të servuara në çanakun e tundimit
për barqet e pangopura kullufitur harbueshëm, çdo ditë e çdo natë.

Në kaosin ëndërrues shaluar pegasin nëpër qiej të mbushur vrërësira
kur rrufetë shkreptijnë në goditje të rrapit, ngulitur kohësh të lashta
në shtigjet e baltosura vetëdijesh sakate, lëvrinë e kollarisur shëmtira
për ëndje t`pashijuar në hoje premtimesh të kota, lë eshtra e rrashta.

Vërshuar veset tëbanesh të uzurpuara nga llavë të nxira pasionesh
si vullkan përcëllues ngulfatë frymëmarrjen tymrash t`helamtisura
kthjelltësinë e shikimit në horizonte, mbërthyer në çengela iluzionesh
që jetën e ngjyruar në copëza, shpërndarë nëpër shtigje të braktisura.

Eskorta t`çakërdisura e sirena alarmi gërvishtin shpirtin e njerëzisë
tundojnë ambicie ligësie që pangopësia përthurë në cinizëm egoizmi
kalërojnë sheshe pabesie në parada pompoze nën himne të dredhisë
zhytur në verbërime të shikimit, hipokrizi të errësuara narcisoizmi…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s