Prevert “PËRPJEKJE PËRSHKRIMI I NJË BANKETI ME MASKA NË PARIS- FRANCË” / Nga: Erjon Muça

Prevert

“PËRPJEKJE  PËRSHKRIMI I NJË BANKETI ME MASKA NË PARIS- FRANCË”

 

Ata që plotësisht…

Ata që kopjacërisht…

Ata që trengjyrojnë…

Ata që inaugurojnë

Ata që besojnë

Ata që besojnë se besojnë

Ata që kra-kra besoj këtej besoj andej[1]

Ata që kanë penda

Ata që mbllaçitin

Ata që Andromakojnë

Ata që më mirë një ditë prej luani

Ata që madhojnë

Ata që këndojnë  me ritëm

Ata që më xixëllues s’është e mundur

Ata që kanë pakëz mullë

Ata që ulin sytë

Ata që dinë të presin pulën

Ata që janë tullacë brenda kokës

Ata që bekojnë turmat

Ata që i japin “nderim këmbës”[2]

Ata që të ngrihen së vdekurit

Ata që bajoneta… në tytë

Ata që u dhurojnë topa fëmijëve

Ata që u dhurojnë fëmijë topave

Ata që nën dallgë nuk fundosen[3]

Ata që nuk e trajtojnë Pieron si burrë.

Ata që krahët e tyre prej viganësh ua pengojnë fluturimin[4]

Ata që në ëndërr çmbjellin copa shishesh mbi murin e madh kinez

Ata që kanë fytyrë prej ujku kur hanë mish prej qengji,

Ata që vjedhin vezë e më pas nuk guxojnë t’i fërgojnë

Ata që kanë katërmijë e tetëqindedhjetë metra Mal të Bardhë, Treqind prej kullës Eifel, Njëzetepesë centimetra  gjoks dhe ndihen krenar

Ata që tek gjithë e Francës[5]

Ata që shpejt fluturojnë dhe për ne hakmerren. Të gjithë këta dhe shumë të tjerë hynin krenarisht tek Elizue duke kërcitur zhavorrin, gjithë këta shtyheshin, nguteshin, ngaqë kishte një banket të madh me maska dhe çdokush qe trukuar siç kish dashur.

Njëri pat ngjyrë fytyrën si llullë prej tulle, një tjetër fytyrë prej admirali anglez, kishte me fytyra prej fjalash kundërmuese, me fytyrën e Galifetit[6], me koka kafshësh me dhimbje koke, me fytyra si August Comte, fytyra si Rouget de Lisle, fytyra prej Shën Tereze, koka hudhrash të vëna mbi kokë, kokë prej këmbe, fytyra prej monsinjori dhe fytyra prej lopçari.

Disa, që t’i bënin njerëzit për të qeshur, mbanin mbi shpatulla fytyra prej viçash dhe ato fytyra ishin aq të bukura e aq të trishta, me barishtet e tyre në zgavrat e veshëve, si algat në zgavrat e shkëmbinjve sa askush nuk i vërente.

Një nënë me fytyrë prej të vdekure i tregonte duke qeshur vajzën me fytyrë prej jetimeje mikut të shtëpisë diplomatit plak që kishte bërë fytyrën si Soleilland[7].

Ishte me të vërtetë kënaqësisht e mrekullueshme dhe me një shije kaq të sigurt sa kur mbërriti presidenti me një maskë madhështore si veza e Kolombit u bë brohoritmë.

“Qe e thjeshtë por duhet të të shkojë mendja” thotë presidenti duke shprishur pecetën, e përballë kaq sqime e kaq thjeshtësie të ftuarit nuk mundën të përmbanin emocionin e tyre; nëpërmjet syve të kartonizuar prej krokodili një industrialit i madh derdh lot lumturie të vërtetë, një më i vogël kafshon tryezën, gra të bukura përkëdhelin me ëmbëlsi gjinjtë dhe admirali, rrëmbyer nga entuziazmi, pi kupën e vet të shampanjës nga kahu i gabuar, kafshon bishtin e kupës dhe, me zorrën e shpuar, vdes në këmbë, kacavjerrë pas kiçit të karriges së vet, duke thirrur:  “më parë fëmijët!”

Rastësi e çuditshme, bashkëshortja e të mbyturit, nën këshillimin e shërbyeses, kish krijuar, po atë mëngjes, një të mrekullueshme maskë prej vejushe lufte, me  të thellat viza të hidhura në çdo cep buze dhe dy trastëzat e dhimbjes. gri poshtë kaltërsisë së syve .

Gatitur mbi karrigen e vet, i flet presidentit dhe kërkon duke thirrur shpërblimin ushtarak dhe të drejtën për të mbajtur mbi fustanin e mbrëmjes dekoratën e të rënit krahaqafë.

Kur u qetësua disi, lejoi që mbi tavolinë të shëtiste vështrimi  prej gruaje të vetmuar dhe, duke zbuluar mes antipastave disa fileto peshqish, mekanikisht merr një dhe duke gulçuar, merr një tjetër, duke menduar admiralin që nuk i hante shpesh kur jetonte ndonëse i pëlqenin pa masë. Stop. është shefi i protokollit që thotë se duhet pushuar së ngrëni, sepse presidenti do mbajë fjalimin.

Presidenti ngrihet, ka prerë pjesës e sipërme të lëvozhgës së vet me thikë për të ndjerë më pak vapë, vetëm më pakëz vapë.

Flet dhe heshtja është aq e madhe sa dëgjohet fluturimi i mushkonjave dëgjohen kaq qartësisht fluturimet sa nuk dëgjohet  më fjalimi i presidentit, dhe ishte me të vërtetë mëkat sepse po fliste pikërisht për mushkonjat, pikërisht, dhe për të pamohueshmen dobishmëri në të gjitha fushat, për më tepër në atë kolonial.

“Sepse pak a shumë pa mushkonja s’ka vrasëse mushkonjash, pa vrasëse mushkonjash s’ka dey  d’Algeri, s’ka konsull… s’ka përballje për hakmarrje[8], s’ka ullinj, s’ka Algjeri, s’ka vapë pjekëse, zotërinj, dhe vapa pjekëse është shëndeti i udhëtarëve, në fund të fundit…”

Po kur mushkonjat bezdisen vdesin, dhe të gjitha ato historitë e dikurshme, gjithë ato statistika i mbushin me të thellin trishtim, nisnin me shkëputjen e njërën këmbë nga  tavani e më pas tjetrën, dhe bien si mushkonja mbi pjata… mbi gjokset e njomur, vdekje, siç thotë kënga.

“Arritja me fisnike e njeriu është kali” thotë presidenti… “nëse qëndron vetëm një, unë do jem ai[9]

është fundi i fjalimit; si një portokall i shijuar dhe më pas i përplasur mbi mur nga një çamarrok i paedukuar, Marsilezja ndërpret dhe të gjithë spektatorët, të përplasur nga grijeshilja[10]  dhe nga tunxhet, brofin në këmbë të mbufatur, ngrohur nga Historia e Francës dhe nga Pontet- Canet[11]

Janë të gjithë në këmbë, përveç burrit të maskuar si Rouget de Lisle i cili mendon që erdhi dita[12] dhe ndjen se pas të gjithave nuk po e luajnë keq pastaj, pak e nga pak, muzika qetohet dhe mëma me maskë prej të vdekure gjen rastin për të shtyrë të bijën me maskë prej jetimeje në krah të presidentit.

Me lule në dorë, vajza i jep nismë fjalimit të vet për rastin: “Zoti president…”  Po emocioni, vapa, mushkonjat, ja që lëkundet dhe bie me fytyrë mbi lule, dhëmbë shtrënguar si një gërshërë krasitjeje.

Burri me maskë prej brezi mesi dhe burri me maskë prej ekzeme hidhen dhe të voglën e nxjerrin jashtë, vënë nën autopsi dhe mohuar nga e ëma që, duke gjetur tek blloku i baletit të vogëlushes vizatime të tmerrshme siç nuk shihen shumë vërdallë, nuk pranon të mendojë që ka qenë diplomati plak mik o familjes nga i cili varet pozicioni i të atit që është dëfryer me pa të keq.

Duke fshehur bllokun nën fustan, me një laps të bardhë gjoksin shpon dhe lëshon një ulërimë të gjatë,  ulërima e saj u ndjell me të vërtetë dhembshuri atyre që mendojnë se ja ku është dhimbja e një nëne që ka humbur bijën e vet.

Krenare që është në vëmendje, lëshon frerët, dhe lejon që të dëgjohet, ankohet, këndon:

“Ku është vogëlushja ime e shtrenjtë, ku është vogëlushja ime Barbara që i jepte barishte lepurushëve dhe lepurushë kobrave?”

Po presidenti që mesa duket se ka të parën humbje fëmije, bën shenjë me dorë dhe festa vijon.

Dhe ata që kishin ardhur për të shitur qymyr dhe grurë shesin qymyr dhe grurë dhe ishuj rrethuar nga uji në çdo krah, ishuj të mëdhenj me pemë prej gome dhe piano prej hekuri të mprehura mirë që të mos dëgjohen thirrjet e indigjenëve rreth plantacioneve kur kolonët lojcakërisht provojnë pas darke pushkët automatike.

Një zog mbi shpatull, një në fund të pantallonave për ta pjekur, zogu, pak më vonë në shtëpi, vejnë e vijnë poetët, nëpër të gjitha sallat vetëm vetëm.

“Vërtetë e bukur”, thotë njëri, “ia kanë dalë mbanë”. Po brenda një reje prej manjezi shefi i protokollit u kap në flagrancë krimi, duke përzierë një filxhan me kakao të ftohtë me lugë kafeje.

“Nuk ka ndonjë lugë kastile për kakaon e ftohtë, është e papranueshme”, thotë prefekti “duhet ta kishit marrë parasysh, dentisti ka darët e veta, letra ka prerësen e letrës dhe perimet kanë kanistrën.

Po pa pandehur të gjithë dridhen ngaqë hyn një burrë me fytyrë prej burri,  burrë që askush s’pati ftuar dhe që mbështet me qetësi mbi tavolinë kokën e Luigjit XVI në një kosh.

Është pikërisht tmerri madhor, dhëmbët, pleqtë dhe dyert përplasen nga frika.

“Jemi të humbur, kemi ekzekutuar pikërisht një kovaç[13]”, thërrasin duke rrëshqitur mbi murin e shkallëve borgjezët e Calais-it nën të tyren këmishë gri si komandanti Hundë Gri[14]

Tmerr i madh, hutim, keq ëndje, shembje e plotë, me duar e zeza poshtë dorashkave të bardha, roja që sheh gjakun në rrëke dhe një plesht mbi pallto mendon se nuk është mirë dhe se duhet luftuar nëse je akoma në kohë.

“Do kisha dashur” thotë burri duke buzëqeshur”, t’u sillja edhe kusurin e familjes perandorake që prehen nën  kripton kaukazike[15] në rrugën Pigalle, por Kozakët që qajnë, valëzojnë dhe shesin pije, ruajnë me xhelozi të vdekurit e tyre.

“Është e pamundur të kesh gjithçka, nuk jam Ruy Blas[16], nuk jam Caliostro, s’kam sferën magjike, s’kam llumin e kafes. S’kam mjekër shkurre si të atyre që profetizojnë. Më pëlqen shumë të qesh në shoqëri, unë flas këtu për të përvuajturit, monologoj për hamejtë, fonografoj për të mrekullueshmit idiotë të periferive dhe është vetëm rastësi që vij dhe ju takoj brenda në tuajën shtëpi.

“I pari që thotë: janë hesapet e mia është i vdekur. Asnjë nuk e thotë, gabim, ishte vetëm për të qeshur.

“Duhet qeshur  pak nganjëherë dhe, nëse dëshironi, do ju dërgoja të vizitonit qytetin por ju keni frikë nga udhëtimet, ju dini shumë gjëra dhe që Kulla e Pizës anon dhe që keni marrje mëndësh kur hyni për të pirë në ndonjë lokal.

“Dhe do t’ishit dëfryer me të vërtetë, si presidenti kur futet në minierë, si Rodolfi në mejhane kur shkon të takojë kaçakun[17]. Ashtu si në fëmijëri kur ju çonin në kopshtin zoologjik për të parë milingonë ngrënësin e madh.

“Do të kishit parë lypësit[18] pa rrugicën e mrekullive, të gërbulurit pa bretkosa dhe burra pa këmisha, shtrirë mbi stola, shtrirë për një çast, ngaqë është e ndalur të qëndrosh pak më tepër.

“Do kishit parë burrat në vendstrehimet për natën duke bërë shenjën e kryqit për të pasur një shtrat, dhe familjet me tetë fëmijë që janë të mbledhur të tetë në një dhomë dhe, nëse do kishit ndenjur urtë do kishit pasur fatin dhe kënaqësinë të shihnit babanë që ngrihet se  ka krizën e vet, nëna që po vdes dalë ngadalë në pjellën e vet të fundit, kusurin e familjes që arratiset me vrap dhe që, për t’iu përvjedhur skamjes tenton të hap një shteg në gjak.

“Duhet ta vështroni, po ju them, është mbresëlënëse, duhet me pa, orën kur bariu i mirë drejton delet e veta në thertore[19],* orën në të cilën djali i babait me hap vjedharak bën daljet e para mbi trotuar, orën kur djemtë që bezdisen ndërrojnë shtrat në bujtinë, duhet me pa burrin që fle në të vetin shtrat-kafaz në orën kur sa do bjerë zilja.

“Shikojeni, dëgjojeni duke gërhitur, ëndërron, ëndërron sikur do niset për një udhëtim, ëndërron sikur gjithçka shkon mirë, ëndërron të ketë një vend të tëra për vete, por akrepi i ziles kryqëzohet me akrepin e ndërrimit të trenave dhe burri në këmbë zhyt kokën në legenin me ujë të ftohtë nëse është dimër, të njelbët nëse është verë.

“Shikojeni teksa ngutet, pi një kafe të njollosur, futet në fabrikë, punon, por akoma nuk është zgjuar, zilja nuk ka tringëlluar aq fort, kafeja nuk ishte aq e fortë, ëndërron akoma, ëndërron sikur akoma udhëton, ëndërron që ka një vend të tëra për vete, stërzgjatet nga dera dhe bie mbi një kopsht, në një varrezë, zgjohet dhe ulërin, makineria i ka kafshuar dy gishta, nuk ishte çasti për ëndërrime apo jo, e keni më të thjeshtë të mendoni, kështu qe shkruar.

“Ju mendoni  edhe që nuk ndodh çdo mëngjes dhe mbrëmje dhe që një dallëndyshe nuk sjell pranverën, mendoni se një tërmet në Guinenë e Re  nuk e pengon vreshtin të rritet në Francë, djathërave përpunimin dhe tokës rrotullimin.

“Po unë nuk ju thashë mendoni; ju thashë të shikoni, të dëgjoni, të mësoheni, që të mos habiteni kur bilardot tuaja të shkatërrohen kur elefantë të vërtetë të vijnë për të marrë fildishin e tyre.

“Sepse atë fytyrën jo aq të gjallë që përdridhet poshtë kartonit të vdekur, atë fytyrën e mavijosur poshtë kartonit qesharak, atë fytyrën me të gjitha rrudhat, me të gjitha përqeshjet dijetare, një ditë do e tundni me shprehi të shkëputur nga trungu dhe, kur të rrëzohet mbi tallazh, të mos thoni as po e as jo.

“E nëse nuk do të jeni ju, do jetë një nga tuajt[20], e meqë i njihni përrallat me barinjtë tuaj dhe me qentë tuaj, dhe nuk është se ju mungon lënda fluturake.

“Tallem, por ju  e dini mirë, siç thotë ai tjetri, mjafton një hiç për t’u ndryshuar udhë gjërave. Pak vaj të përvëluar mbi veshin e mbretit të sëmurë dhe mbreti hidhet përpjetë. Mbretëresha rend për në faltore. Nuk ka faltore. Nuk ka pallat. Gjithçka është vetëm shkatërrim dhe zi. Mbretëresha ndjen arsyen t’i mungojë. Për t’i dhënë mbështetje, një i panjohur, me një buzëqeshje të ëmbël, i jep kafe të helmuar. Mbretëresha e pranon, mbretëresha jetë ndërron[21] dhe shoqëruesit ngjisin etiketa në bagazhet e fëmijëve. Burri me buzëqeshje të ëmbël kthehet, hap baulen më të madhe, fut brenda princin, i vë një dry baules, baulen në magazinën e bagazheve dhe largohet duke fërkuar duart.

“Dhe kur them, Zoti President, Zonja dhe zotërinj: Mbreti, Mbretëresha, princat, është për të bërë aktin sa më të kuptueshëm nuk është e arsyeshme t’u vihesh kundër mbretvrasësve që s’kanë një mbret nën dorë,  nëse ushtrojnë ndonjëherë talentin e tyre në entourage(përvijimin) e menjëhershëm.

“Më qartësisht mes atyre që mendojnë se një grusht oriz mjafton për të ushqyer një familje kinezësh për vite me radhë.

“Mes atyre që nënqeshin nëpër ekspozita ngaqë një grua e zezë mban mbi kurriz një fëmijë të zi dhe që mbajnë për gjashtë apo shtatë muaj në mitrën e bardhë një fëmijë të bardhë dhe të vdekur.

“Mes tridhjetëmijë njerëzve të arsyeshëm, ndërtuar me mish e me shpirt, që parakaluan më Gjashtë Mars në Bruxeles, me muzikë ushtarake në kokë, përballë monumentit të Ushtarit Buf[22] e mes atyre që do parakalojnë nesër në Brive  la Gagliarda, në Rosarosa dhe tek Dhi  judease, përballë monumentit të I Ri dhe viç[23] Marinar që vdiq në luftë si kushdo tjetër.

 

Po një krik i lëshuar nga larg nga një zogdashës i indinjuar e godet  në mes të ballit burrin që tregonte se sa i pëlqente të qeshte. Plandoset përtokë. Ushtarit Buf iu mor haku. Të ambalazhuarit oficerë ia shtypin kokën burrit me shqelma dhe vajza, që ngjyen për kujtim majën e ombrellës me gjak, plas në një të qeshur të mrekullueshme. Muzika rifillon.

Koka e burrit është e kuqe si një domate tepër e kuqe, në fundin e një nervi varet një kokërdhok, por, mbi fytyrë e shkallmuar, suri i gjallë, ai i majti, shkëlqen si një kandil mbi gërmadha.

“Nxirreni jashtë”, thotë Presidenti, dhe burri i rahatuar mbi një barrelë me fytyrën mbuluar nga pardysja e një polici del nga Elizeu horizontalisht, një burrë para dhe një nga pas.

“Duhet qeshur nga pak nganjëherë” i thotë rojës dhe roja e shikon teksa kalon me  vështrimin ngrirë që kanë shpesh herë ata që jetojnë mirë përballë fukarenjve.

“I prerë nga qepeni i farmacisë një yll i ndritshëm shkëlqen dhe, si mbretërit magë të përvuajtur nga mungesa e fëmijës Jezu , shegertët e kasapëve, shitësit e jorganëve dhe të gjithë burrat e mirë  vështrojnë yllin që u thotë atyre se burri është brenda, që nuk është i gjithi i vdekur, dhe që ndoshta po e mjekojnë dhe të gjithë po e presin të dalë me shpresën që ta përfundojnë ata.

Presin dhe shumë shpejt, këmbadoras për shkak të hapësirës së ngushtuar të qepenit, gjykatësi futet në dyqan dhe farmacisti e ndihmon të ngrihet dhe i tregon burrin e vdekur, me kokën mbështetur tek peshorja për fëmijë.

Dhe gjykatësi pyet veten, farmacisti vështron gjykatësin duke pyetur veten nëse s’është ky po i njëjti burrë që kish hedhur letra të prera mbi karrocën funebre të mareshalit dhe që, një herë e një  kohë, kish vënë një bombë në rrugën e kapterit të vogël.

Më pas flasin për hallet e veta, për fëmijët, për bronket e tyre; lind dita ulen tendat në shtëpinë e presidentit.

Jashtë është pranverë, kafshët, lulet, në pyjet e Clamart-it[24] ndihen piskamat e çamarrokëve që dëfrehen, është pranverë, gjilpëra çmendet në busull, gjyslykexhiu futet në kazino dhe Shaka e madhe shtrihet mbi kolltuk dhe bën si e shkalluar.

Bën vapë. Të dashuruara, ruspiet duke u zhgërryer mbi trotuare e tyre ndezin ndjesitë, është pranverë, ekzema e konviktorëve, dhe ja e bija e sulltanit dhe zbutësi i mandragulave[25], ja pelikanët, lulet mbi ballkon, ja dhe ujitëset, është stina e bukur.

Dielli shkëlqen për të gjithë, nuk ndrit nëpër burgje, nuk shkëlqen në asnjë mënyrë për ata që punojnë në minierë, ata që u heqin peshqve luspat

ata që ushqehen me mish të mallkuar

ata që prodhojnë karfica për flokët

ata që fryjnë shishet e boshatisura që të tjerë do t’i pinë të mbushura

ata që presin bukën me thikën e tyre

ata që kalojnë pushimet në punishte

ata që nuk dinë se çfarë duhet thënë

ata që mjelin lopët por nuk e pinë qumështin

ata që tek dentisti s’ka anestezi që t’i mbajë

ata që pështyjnë jashtë mushkëritë në metro

ata që nëpër kantina prodhojnë stilografë me të cilat të tjerë nën dritën e diellit do shkruajnë si gjithçka shkon për më mirë

ata që kanë shumë për të thënë që ta thonë

ata që e kanë një punë

ata që e kërkojnë

ata që nuk e kërkojnë

ata qu u japin për të pirë kuajve

ata që shohin se si u vdes qeni

ata që e kanë bukën e përditshme pak a shumë çdo javë

ata që në dimër ngrohen kishave

ata që kremtuesi i nxjerr të ngrohen jashtë

ata që kalben në ves

ata që dëshirojnë të hanë për të jetuar

ata që udhëtojnë poshtë rrotave

ata që shohin rrjedhjen e Senës

ata që merren në punë, pushohen, shtohen, pakësohen, manipulohen, kontrollohen, rrihen

ata të cilëve u merren shenjat e gishtërinjve

ata që i nxjerrin rastësish nga reshti dhe nuk pushkatohen

ata që nxjerrin në parakalim përballë Harkut

ata që nuk dinë të sillen në botën mbarë

ata që detin kurrë s’e kanë parë

ata që shijojnë si lino ngaqë prodhojnë lino

ata që nuk kanë ujë të rrjedhshëm

ata që hedhin kripë mbi borë për një pagë[26] me të vërtetë qesharake

ata që plaken më shpejt se të tjerë

ata që nuk janë përkulur për të marrë një gjilpërë

ata që plasin mërzie të dielën mbasdite

ngaqë shohin të vijë e hëna

e marta, e mërkura, e enjtja, e premtja,

e shtuna

dhe e diela mbasdite është gjithnjë kështu.

1931

 

[1]Shpesh herë tek Preverti më e rëndësishmja, me “ambiguitetet”  veta ngarkon me fuqi dhe përgjegjësi të rrotullueshme efektesh drejtimi: këtu kra-kra nuk përfaqëson vetëm zërin e korbit, – Corabeau është termi dashakeqës për priftërinjtë. Për mbivendosje fonetike, lidhet me besimin e mësipërm. Nivelet e ndryshme të besimit janë nën nishanit e Preverit.

[2]Faire les honneurs du pied:  shpjegim i ceremonisë gjyqtare franceze.

[3]Fluctaut nec mergitur. Moto e qytetit të Parisit.

[4]Citim i vargut të mirënjohur të Albatrosit të Baudelaire “Ses ailes de geant i’empëchet de marcher” Këtu voler “fluturon” mer vendin e marcher “Marshon”.

[5]Aludim ndaj një fraze të Enricut IV “blegtoria dhe bujqësia janë gjinjtë e Francës.

[6]Gaston de Galliffet, Gjenral Francez që shkëlqeu në Sedan në 1870, e më pas në shtypjen e komunës në 1871.

[7]Kriminel i njohur i fillim shekullit XX.

[8]Aludim mbi incidentin diplomatik të thurur nga francezët për të përvetësuar Algerin.

[9]Varg i njohur i Corneille “Est s’il reste qu’un je serai celui-là”.

[10]Grijeshilja është një koktej alkolik titpik torinez.

[11]Pontet-Canet: emri i një vere bordoje.

[12]Nënkuptim i në vargu të Marsiljezes kompozuar nga Rouget de Lisle: “Le jour de gloire est arrivé”.

[13]Aludim për një nga lojërat e preferuar të Luigjit të XVI , mbreti giljotinar.

[14]Ngjyra gri lidh veshjen prej të penduari të gjashtë borgjezëve të Calis, sjellë edhe nga një skulpturë prej bronzi e Rodinit, që i dhuruan mbretit të Anglisë çelësat e qytetit me 1347 dhe komandanti Gris-nez në Artois.

[15]Lojë me drejtimin e fjalëve me shumkuptueshmërinë e Caveau: 1 kantinë e vogël 2 sallë humori 3 varr.

[16]Protagonisti i dramës së Hugoit me këtë titull.

[17]Aludim i një sekuence nga Misteret e Parisit të Eugéne Sue.

[18]Referim i  ambientit të Notre Dame de Paris të Victor Hugo.

[19]Le Villette është një lagjeje periferike të Parisit dhe në qendër ishte ndërtuar  thertorja e qytetit.

[20]Varg nga fabula e Lafontenit ujku dhe qingji: “Si ce n’est pas toi… çest donc quelqu’un des tiens”.

[21]Projektim parodik i një sermoni funebër të Bossuet: “Madame se meurt, madame est morte”.

[22]Parodi çshënjtëruese e Ushtarit të Panjohur që kalon nëpërmes një morie gjetjesh gjuhësore: Pigeon(Pëllumb), në gjuhën popullore, është një që lejon të mashtrohet; Brive-la-gagliarda qytet në krahinën franceze të Corréze, me ndërtimin e vet natyror merr pjesë në parodinë luftarake; Rosa-la-rosa, është e barasvlershme me fjalën latine Rosa rosae, Të jesh në hapat e para, në kuptimin e latinishtes dhe më gjerë, e gjithë kjo vendos pa funksionin parodik të toponimit të krijuar ; nxjerrë nga emërtimi ushqimor “Capra- la-Juive, nga Carpe à la juive”, Dhi judease.

[23]Viç, Veau, nuk jep vetëm idenë e atij që e vrasin në luftë, por ndërron gati me të njëjtin tingëllim togfjalëshin Jeune et beau “i ri dhe bukurosh”.

[24]Pylli i Clamart-it është pranë Parisit madje edhe këtu autori luan me fonologjinë e fjalëve.

[25]Mandragula është lloj bime.

[26]Unë e vendosa pagë por në tekst është Salario pra lojë fjalësh me fjalës Kripë, sale dhe salario.

 

Nga: Erjon Muça

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s