Krista Volf: “Qyteti i engjëjve” / Shqipëroi nga orgjinali: Aristidh Ristani

Krista Volf: “Qyteti i engjëjve”

Asnjë shkrimtar nuk është në gjendje të rijapë thelbin e mirëfilltë  të jetës së jetuar.
E. L. Doktorou

Mora në dorë ditarët e Tomas Manit. Qysh nga koha kur, bashkë me një grup bursistësh tanë, isha ngjitur gjer lart te shtëpia e tij, Pacific Palisades, 1550 San Remo Drive, dhe ndenjëm e u sorollatëm para hyrjes, ku nuk shihej asnjë tabelë që të kujtonte banorin e parë të famshëm të asaj shtëpie, qysh nga koha kur kisha ecur nëpër gjurmët e shëtitjes së tij pasdrekësore gjer poshtë tek Ocean Park, nisa t’i lexoja me më shumë interes ditarët e tij. Gjeta fragmentin që kishte shkruar lidhur me fjalimin e vet për Gëten më 1949:

“E megjithatë, le të shtojmë këtu disa pohime intime, siç është ai pasazhi nga letra dërguar zonjës Fon Shtajn në kohën e udhëtimit të tij dimëror në Harc: ‘Sa shumë dashuri kam ndier sërish, gjatë këtij udhëtimi të zymtë, për atë shtresë njerëzish që quhet shtresa e ulët, por që sigurisht është më e larta në sytë e Perëndisë’; …dhe, po të shtojmë më tej se te ‘Hermani dhe Dorotea’ ai flat për lirinë entuziazmuese dhe për barazinë më të lartë, po, ‘më të lartë’!, dhe se pak para se të vdiste u njoh në mënyrë të paanshme me teoritë e socialistit francez Sen Simon , atëherë arrijmë të bëjmë ca pyetje të çuditshme. Nuk jam plotësisht i sigurt – ky është vetëm një dyshim, por dua ta shpreh -, nëse sot vështrimi i Gëtes do të drejtohej më fort nga Amerika sesa nga Rusia. Pranoj madje të kundërshtoj sakaq antipatinë e tij ndaj despotizmit. Por dihet ndërkohë se kjo antipati dështoi përballë fenomenit Napoleon, dhe ku i dihet se përballë ç’gjëje do të dështonte sot. Çështja është si të shkrihesh në mënyrë aktive me masën punonjëse që vepron sipas rregullash të caktuara, çka ishte, tekefundit, në mos ideali, së paku vizioni i tij, pra, a mund të realizohet një gjë e tillë ndryshe, jo nën kontrollin e shtetit dhe nën njëfarë despotizmi. Sigurisht që mendja e tij e ndritur nuk ka pasur iluzione se, në kushtet e reja shoqërore, do të ndodhin përherë e më shumë gjëra në sferën ‘jashtë ndërhyrjes së shtetit’, sferë ku sundon liberalizmi, dhe s’do të çuditesha po t’i kishte kushtuar vëmendje çështjes nëse liria në fushën e shkencës dhe të artit do të mbrohej më mirë nga një shtet që s’do të ishte më instrument i interesit privat, apo nga një shtet që do të varej prej këtij të fundit.”

E kush bën akoma sot pyetje të tilla? Kush guxon t’i shprehë?
Tani, pas më se një dekade e gjysmë, lexoj të tilla pyetje në shumë gazeta, të nxitura nga një KRIZË që në të vërtetë është kolaps, por këtë e prisja të ndodhte në një të ardhme të largët. Shkaku i falimentimit të sistemit bankar, të arteries jetike të një sistemi ekonomik që, ashtu befas, lejohet të quhet sërish “kapitalizëm”, zhvendoset sa më shumë të jetë e mundur në rrafshin psikologjik: lakmia e panginjur që kanë për para administratorët dhe bosët e ekonomisë. Dje dëgjova se një grup studiuesish në fushën e neurologjisë kishte zbuluar një gjen, i cili, falë një sistemi të ndërlikuar shpërblimesh, nxit në tru lakminë për para e për pronë, kështu që personi mbartës i këtij gjeni zor se mund të bëjë ndonjë gjë kundër aksionizmit të vet të egër dhe egoist. Thuhet se zgjidhja e këtyre problemeve do të ishte ndoshta një përzierje në radhët e personelit drejtues të disa ndërmarrjeve, duke bërë kësisoj që bartësit e gjenit të lakmisë të punojnë së bashku me ata që kanë prirje më fort për kontabilitetin.

(Krista Volf: “Qyteti i engjëjve”, Titulli i origjinalit: 
“Stadt der Engel oder The Overcoat of Dr. Freud”, Roman, 
Botimet “SANTORI”, Tiranë 2014, 450 faqe)

 

Shqipëroi nga orgjinali: Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s