Poezi nga Ermira Mitre

Poezi nga Ermira Mitre
 
 
MERRMA SHPIRTIN
 
Merrma shpirtin, fole bëma, për shtegtarët e robëruar,
shpresën rrite, fije bari prej tokës së amëshuar;
Merrma frymën, erë bëma, farë gruri të ç’mbështjellë,
të mbijë larg, në fushat varg, që shtegtari ka lënë djerrë;
Merrma syrin, shpellë bëma, streho shpirtrat e trazuar,
dritë lëshon syri-shpellë, bujtësit për ti shpëtuar;
Merrma gojēn, bëma varr, kur lëshon fjalë të helmuar,
ngule kryqin përmbi gojën, që aq shumë ka mëkatuar;
Merrma gjakun, bëma zjarr, të përfshijë prag e derë,
nga gjumi të zgjojë të vdekurit që të ngrihen dhe njëherë;
Merrma lotin, plagët laju, kalorësve të Skëndërbeut,
ku janë fshehur, ku janë tretur sot trimat e mëmëdheut;
Merrma kockën bëma gur në vend të tij të rëndojë,
gur e kockë ta ngrejë kështjellën, mënçuri të pagëzojë;
Merrmi flokët bëji udhë, të lehta t’i ketë këmba,
shtegun e tij mban shtegtari, po të jetë e drejtë bota;
Merrma dorën bëma hartë, që të mbaj pesë kontinente,
gishtërinjtë ura bëmi, të lidh ndarjet e kësaj jete!
 
 
 
ELEGJI PËR DHIMBJEN
 
Nga shpatulla e malit rrëshqiti si ngjala në ujë,
në greminë ra e humbi në lumë a në shkëmb,
klithma, shigjetë therëse në zemër të malit u ngul,
luginën mbështolli si iriqi trupin e vet.
 
E dëgjuan zogjtë, u drithëruan e fjollë puplash lanë pas,
ndërsa trungu lëvoren lëshoi e u këput në mes,
gjarpri nën gur u lakua udhë t’i hapte dhimbjes ogurzezë,
rrënjët damarë zemërimi u frynë e tokën çanë përmes.
 
E dëgjoi stuhia dhe heshti e u struk në rrëzë të malit,
e dëgjoi Dielli e rrezet shkërmoqi në lot kristali,
e dëgjoi Hëna delikate dhe u fsheh nën petkun e qiellit blu,
ndërsa retë rrjetë ngatërruar u shkrinë si shkumë sapuni.
 
E dëgjoi klithmën e dhimbjes, po s’e njohu zërin e saj,
nga ç’humnerë e shpirtit u zgjua, mori udhë e shkoi,
në shkëmbinjtë e thepisur pudrosur me baltë u përplas e ra,
në shtëllungë pluhuri u shndrrua, u ngrit lart e u bë re.
 
Bariut kënga iu pre në grykë e buza mbi fyell i ngriu,
ofshani qëngji i ngratë e kaçurrelat merinos në ajër fërgëlluan,
pishat u drithëruan e fijet lëshuan si dhëmbë krehëri të thyer.
eshkën shkoi gurit, por shkëndijë s’ ndezi,
guri ish rrudhur e tkurrur si veza e fetusit pas dështimi.
 
Ra dhimbja e mbi lehonën lëshoi vel të zi perle,
ndërsa foshnja në gjoks të saj pinte bulëza të ftohta djerse,
qëngji nën thithkë blegërinte për qumështin e munguar,
buzët e tij të etura puthën buzën e kroit
se dhimbja ujin kish shterruar.
 
Dhimbja, kjo humnerë e thellë pa anë e pa fund,
mal gjigand me dhëmbë shkëmbi gjashtë gërmëshe,
kjo hije metastazë e natë e hidhur e mbrapshtë,
ulet këmbëkryq e shpirtin ta djeg si flaka e ndezur në vaj.
 
 
 
RENDIM
 
Rendim,
Rendim papushim.
Mbështjellë me andralla,
Sfidojmë vetvehten.
Harrojmë,
Të ndalemi e të kujtojmë,
Se rastësisht një ditë erdhëm,
Dhe një ditë tjetër do shkojmë.
Se midis jetës dhe vdekjes,
Na ndan një tyl i hollë,
Një frymëmarrje,
Një tik-tak zemre,
Një shikim i ngrohtë,
Një prekje!
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s