FOTOMONTAZHET / Nga: Pozaet Qose

FOTOMONTAZHET

 

Nga: Pozaet Qose

-Po, Nora,- tha Niko Xhindi, pasi hapi telefonin dhe priti përgijgjen e telefonueses.
Ishte e motra, që jetonte në Shqipëri, e cila kishte disa vjet që kishte mbetur vejushë me dy jetimë; djalë e vajzë. Nga ana tjetër heshtje.
-Nora, si je, si janë fëmijët?
Prapë heshtje. Pastaj ngashërimi përshkoi hapësirën e shkoi deri te Nikoja.
-Mi…rë, vëlla, mi…rë.
Dukej sikur lotonte dhe celulari.
-Nora, ka ndodhur gjë? Të lutem, më fol!
-Më… ho…qën nga pu…na.
-Si? Si?! Kush qe ai që ta bëri këtë nder?
-Do…lek Beci, vë…lla.
-Pse? Cila qe arsyeja?
-Nuk i dhashë za…rfin, vëlla. Më kërkoi pesë mijë euro. Kur i tha…shë se nuk kisha ku t’i gjeja, se kisha dy je…timë për të rritur, ai më tha: I gjen, ti, i gjen se ke dhe nje…rëz jashtë.
Niko Xhindi mbylli telefonin dhe e flaku atë me zemërim në divan. E motra punonte edukatore në një kopësht nja dhjetë kilometra larg qytezës ku banonte. Ishte shtyrë deri atëherë, duke pranuar të ndryshonte vendin e punës, sa herë që i kishin thënë se do të zëvendësohej nga edukatore me arsim përkatës dhe ajo nuk pati kundërshtuar, por kësaj radhe…
Nikoja mori prapë telefonin dhe i ra numrit, me të cilin kishte folur pak më parë.
-Alo, Nora! Më dëgjon? Po kë çuan në vendin tënd?
-Një tjetër që s’ka asgjë më shumë se unë, por, ndoshta, votoi.
Niko Xhindi e mbylli prapë më nervozizëm telefonin, e flaku mbi tapet dhe shau mbarë e prapë. Rrallëherë i kishte ndodhur ta humbiste kontrollin kështu si kësaj radhe. Jo vetëm se shkaku ishte e motra, por dhe se atë që i kishte sjellë punët në këtë farë derexheje e njihte mirë. Si paren e kuqe, si i thonë fjalës. Piu me eks një gotë konjak, ndezi një cigare dhe u ul para kompjuterit. Kishte marrë një vendim. Tymi le t’i dilte. Më shumë se kaq nuk kishte ç’të humbiste më. Madje as atëherë kur u nis qorrazi për aty ku ndodhej tani, nuk e kishte parë veten aq pisk. Do të niste një shkrim në të gjitha gazetat shqiptare, ku të sqaronte ca gjëra që jo të gjithë i dinin dhe t’i shkonte së vërtetës deri në fund.
“Unë jam Niko Xhindi, e nisi rrëfimin e tij. Prindërit e mi ishin çamë dhe, pasi brodhën kryq e tërthor vendin, u ngulën në qytezën e uzinave buzë Devollit, për të ndërtuar aty jetën e tyre. Aty linda e u rrita edhe unë. Kur mbarova gjimnazin, meqë të mëdhenjtë nuk na kishin shumë për zemër, bëra një kurs për fotograf e nisa punën në komunale. Më qëlloi të isha fotografi i parë në atë qytezë. Fotografova shumëkënd e ku ma deshi puna; dasma, fejesa, mbledhje, konferenca e aktive partie, mbrëmje pionierësh për Vitin e Ri, festivale fëmijësh e të rriturish, fushata korrje-shirjesh, gjyqe të armiqve të pushtetit dhe ahengje njerëzish me ngjyrë, që i thërrisnin ndryshe jevgj. Nuk u përtova asnjëherë dhe u përpoqa të bëja më të mirën që dija. Për këtë edhe më dhanë disa herë fletë- nderi dhe një medalje pune.
Por, publikisht po ju them se unë, Niko Xhindi kam bërë dy herë faj. U desh heqja nga puna pa asnjë arsye e sime motre nga Dolek Beci, që unë të shkruaj këto qe ju do të lexoni.
Me Dolekun jam njohur pas goditjes së grupit të Beqir Ballukut. Shkoja fshatrave atëherë dhe bëja foto për stendat e emulacionit, ku paraqitej zemërimi popullor ndaj atyre, që po dënoheshin dhe besnikëria ndaj vijës sa partisë.
Një mbrëmje, pas mbledhjes së gjatë të frontit në fshatin e Dolekut, kur kishte rënë nata, ai më ftoi në shtëpinë e vet. Shkova dhe e kalova natën atje. Pas asaj darke me raki e humor, unë nuk e mendoja se në mëngjes, para se të ndahesha me Dolekun, do të dëgjoja një propozim të çuditshëm, ndoshta më të çuditshmin e jetës sime, deri atëherë; atë të një montazhi fotografik, në të cilin i ati duhej të vendosej pranë Spiro Moisiut në një foto të shtabit të përgjithshëm, që kishte kaluar andej në dimrin e viteve 1943-1944.
Pa e vrarë mendjen gjatë, i dhashë fjalën se do t’ia bëja. Dhe ia bëra. Më vonë mora vesh se ai e kishte shfrytëzuar atë si një provë të mjaftueshme, që i ati të merrte statusin e veteranit të luftës dhe pensionin e posaçëm, si i tillë, që nuk i ra asnjëherë në dorë, se i biri e përdori vetë, si i deshi qejfi.
Doleku më solli për shërbimin që i bëra pesë kile arra dhe dy kile mjaltë në pragun e Vitit të Ri. Kaq. As u pamë më dhe as do të ishim parë, sikur nga fundi i vitit 1992, Doleku të mos kërkonte të pinte një kafe me mua. Më lau e më leu mbarë e prapë, më kujtoi të shkuarën, më ngriti në qiell për karakterin tim të rrallë e në fund ma plasi prapë bombën e dytë; më kërkoi t’i bëja prapë një fotomontazh, ku i ati të qëndronte pranë Hamit Matjanit.
Kur i thashë se nuk shkonte kjo gjë, më tha se ishte gjëja më e mirë e mundshme, se ai kishte ndenjur në këto anë dhe kjo do ta bënte të besueshme foton. U përtypa se s’desha të përsëris marrëzinë e parë, por lutja e tij e jargavitur ishte aq këmbëngulëse, sa unë lëshova pe. Ia bëra dhe atë. Me këtë foto ai i nxori të atit dëshminë e të persektuarit politik dhe me këtë kartë ndreqi horrllëkun e tij si anëtar i shoqatës “Vullnetarët e Enverit” një vit e ca më parë, kur kishte lëshuar kushtrimin të rrëmbenin armët e të mbronin pushtetin, që donin t’ua rrëmbenin të shiturit. Bëri dhe punë të tjera Doleku me këtë kartë, që e pati pjellë ajo foto, që e kisha bërë unë, me duart e mia, për të mirën e tij dhe për të zezën time. Për të më dha një drekë te Sadiku dhe pesëdhjetë mijë lekë. Pesëdhjetë mijë, si themi ne, shqiptarët, jo si lexohen normalisht numrat e shkruar mbi monedha e kartëmonedha.
Me të u dha bursë fëmijëve, si të përndjekur nga regjimi gjakatar komunist, mori një shtëpi për prindërit, nga kontigjenti i banesave për të përndjekurit e ku e di unë se sa e sa gjëra të tjera, që s’arrita t’i marr vesh të gjitha. Atëherë ne i tregonim si anekdota gazmore bëmat e tij, ku kisha gisht edhe unë dhe harronim se i kishim shtruar atij udhën, për të shfaqur ligësinë e tij të pashoqe.
Në nëntëdhjetë e shtatën, kur sheshi para Bashkisë gdhihej i mbushur kalldrëm me gëzhoja, mora gruan e fëmijët e ika nga sytë këmbët, duke rrezikuar kokën, për të mos qëndruar më në vendin që na u bë i njerkës. Hoqa picirrin, deri sa u vendosa në Itali, në vendin, ku vazhdoj të banoj edhe sot e kësaj dite, kur po i shkruaj këto radhë.
I shkrova këto gjëra që ju ta njihni si duhet Dolek Becin e të mos i hapni më udhë të bëjë ligësi të tjera. Meqë rrëfimi im do të bëhet publik, po ju deklaroj se jam në dispozocion të drejtësisë shqiptare, po të jetë e nevojshme, që të gjykohem për prapësitë e mia.
Psherëtiu dhe ndezi një cigare tjetër. I kishte thënë të gjitha ato, që i rëndonin në shpirt. E selektoi tekstin, e ruajti te kopi dhe e vendosi te hapësira e faqes së e-maileve. Shkroi njëra pas tjetrës adresat e e-maileve të disa gazetave dhe ua postoi tekstin e shkruar.
E motra mund të mos kthehej më në punë dhe atij do t’i duhej ta shtrëngonte edhe më rripin, për ta ndihmuar ca më tepër seç e pati ndihmuar deri atëherë, por ai mendoi se, më në fund, e kishte bërë një gjë të mirë në jetën e vet; Kishte guxuar t’u tregonte njerëzve se kush ishte Dolek Beci, që ata të mos mashtroheshin më prej fjalëve të bukura e babaxhanllëkut të tij të shtirë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s