Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

KURRRË MË NUK E PASHË
PRANVERËN

Kur të dalë nga brendia e ndonjë balade
Mos mendoni se vetëm unë
Bisedova me perënditë
Shumë njerëz para meje
Hynë dhe dolën nga parathëniet

Ju kujtohet atë ditë ishte dimër
Stina e egër kishte veshur
Një pallto të bardhë
Dhe i kafshonte drurët
Nga acari kafshonte edhe vetveten

Më kujtohet fare mirë se nuk pata
Tjetër rrugë
I hyra në shpirt të legjendës
Dhe kur dola nga dhembje
Dita kishte ikur disa vjet larg meje

Kurrë më nuk e pashë pranverën
Gjithmonë në mua lulëzonte dimri
Vitet kalonin si karvanët e shkretëtirës
Oaza vajtonte pandërprerë
Fatin e devesë së ngordhur në vjeshtë.

 

TE ULLISHTAT E VJETRA

Ishin të trishtuara thikat
E ngulitura në kocka
Dielli nuk ndriçoi atë çast
Sterra si një mallkim
I verboi sytë e lëbyrta të rrënjëve

Në këtë lojë të dyfishtë
Nuk kuptova asnjëherë
Se errësira mund të fundosej
Si një varkë e thyer
Në shpirtin e lënduar të njeriut

Një lule vjollce
Notonte mbi dallgët e kripura
Tasat e konservave
Trokitnin në ndërgjegjen e njerëzimit
Trokitnin në portat e mbyllura

Asnjë peshkatar nuk pashë në mol
Te ullishtat e vjetra
Kishin kurdisur orën e diellit
Dhe shikonin perëndimin
Kah përflakej nga dielli i përskuqur.

 

JU LUTEM MË TREGONI

Ndoshta që nesër
Më duhet të kthehem në atdhe
Ka kohë që më kanë harruar pemët
Asnjë rrugë nuk ma di emrin

Nuk më njohin as përmendoret
Ato të kohës sime
Ishin përmendore të huaja
Kurse për këto të reja as që ekzistoj

Kush do ma hapi derën e mbyllur
Para dymijë vjetëve
Ata që ja vunë drynin
Bredhin nëpër legjendat ilire

Më tregoni o njerëz
Kush jam unë
Dhe kush jeni ju që po mi mbyllni dyert
Mbi njëmijë vjet trokas te yjet

Unë jam lodh nga bredhjet e pandërprera
Po ashtu më lodhën të trokiturat
Ju lutem më tregoni
Në cilën baladë të trokas sonte.

 

O JU PËRGJËROJ MI MBYLLNI SYTË

Mirazhe kuajsh dhe flamurësh
Frika e pafundme
Nuk paska të sosur
Hendeqe kockash
Ku të shkelin këmbët e mia

Kjo luftë mi mori të gjitha fluturat
Asnjë zog nuk mbeti në çerdhe
Përse lind dhe perëndon ky diell
Përse kaq shumë ngricë
Në sytë e lëbyrta të ditës

Askush nuk përgjigjet
Njerëzit ngjajnë muranave
Mbase kjo heshtje e metaltë
Ua mban shpirtin e këputur
Sa shumë dhembje paska dhembja

Më janë lodhur shikimet
Këto pamje tronditëse
S’paskan të ndalur sonte
Mi mbyllni sytë me një shami të zezë
O ju përgjërojë mi mbyllni sytë.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s