Poezi nga Rita Hoxha
MAGJI…
Magji kërkoja kur zemrën ta dhurova,
kur ti më quaje perëndeshë e dashurisë
Shikoja qiellin, lutesha e gëzoja
nga ky ëndërrim nuk doja të zgjohesha.
Kur hapa sytë, jo s’ qenka e vërtetë
kopshtin e dashurisë unë dëshiroj
Aty s’ mbijnë lule dhe s’ ka më jetë
dhe pemët janë bosh, ç’ të shikoj.
Gjithçka që shoh, gjithçka e tharë
ndoshta kanë shpirt e ndihen acar
Gjithë stinët thërras, lulen të lulëzojë
të çeli sërish, ngjyrat plot kolor.
O Diell i zjarrt m’ mbulo me rreze
Këta lot t’i thajë, toka t’i përthajë
Magji kërkova, kur shpirtin të dhurova
Magjinë flakë, ku shpirtin përvëlova…
PROVOJ TË SHKRUAJ
Ndjej fjalët me tërë forcën e tyre
shkronja në fushnajën e pafund
në kërkim të dashurisë time,
mall e dhimbje
kohës së shiritave gri.
Provoj të shkruaj,
Pëshpërimat shndërrohen në vërshimin e ujrave të vjeshtës,
që shuajnë zemërime të hidhura
tufullojnë egër
e honeve të tmerrshme gremisen.
Provoj të shkruaj,
për çastet e bukura dashuri,
puthjeve të ëmbla ndjerë në shpirt
e përhumbur
labirint jetë në zgjim.
Provoj të shkruaj,
me shkronja që marrin arratinë,
si mendimet e mia
humbur nëpër erë
FLUTURIM
Zogjtë fluturojnë ,
i mbushën pistat e qiellit
e mbrëmja në këtë hapësirë vjen e ngrysur.
Anija e natës lundron në det
larg flatrave të tyre përplasur
drejt një tjetër bote
shpresës shndërruar në ëdrra të reja.
Si zogjtë,
ikur ndër vise të ngrohta largohem
e qielli bosh vetëm shtëllunga resh mbledh.
Ndjej erën që përplaset fytyrës
dhe mallin e ndarjes me qytetin tim
në bulëzime loti pikuar mbi det.
Valëzojnë dallgët blu,
e anija kalëron nëpër ujëra pa ndalim
me memorien time mbetur pas
tek ai breg që tretet vështrimit të lodhur
horizontit pa kufi.