Poezi nga Mercedes Gega
Duarbosh
Qetësi e pluhurosur dyshimesh
Nderur në litarin e tendosur të ajrit
Midis nesh
Mirëmëngjesi i shikimeve tona
Sot s’u përqafua!
Mbi pistën e ngrirë të çastit
puthjet e buzëqeshjeve përkëdhelen duarbosh!
Aromë dashurie
Nga strehëzat e pritjes
Mbi qerpikët e mëngjesit tim,
Pikon e kristalizohet imazhi yt
Si mushti i limfës së një degë e të re nga pema e jetës,
Me një grusht me gonxhe premtimesh,
Nderur livadhit të buzëve
Aromë dashurie!
Në zemër të shekullit të 21-të
Forma të paforma
Vargojnë
Nën vargonj unazash
Pamundësie
Mbirë në yjësi rrethanash
Lidhur nga jeta nyje!
Ditëjavë të dielash
Qetësi e diele
bosh
Vërtitet e dremitur
Pa një bosht!
Ka kohë që çapitet
kuturu
Rreth vetes, për një rrugë
Me emrin: “Ku?”
Qetësi e diele
ngjyrë bosh
Në një vend ditëjavë të dielash
Quhet: “Modë”!
Advertisements