“Dehje nga metamorfoza” (Roman) – STEFAN CVAJG / Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani

“Dehje nga metamorfoza” (Roman) – STEFAN CVAJG

“…Vetëm një çast ka që po pret mes errësirës së pyllit, kur dy fasha të gjera drite zbardhin rrugën, një far fshik pishat me shkëlqimin e vet të argjendtë; me siguri që shoferi e ka spikatur, sepse dritat shuhen sakaq, dhe vetura e zezë, e madhe, ndalet fare pranë saj me një kërkëllimë të rrotave. Tani shuhen edhe dritat e brendshme, dhe mund të shquash vetëm ndriçimin blu të matësit të shpejtësisë, një rreth i vogël e i ngjyrosur mes territ të natës. Errësimi i beftë pas atij shkëlqimi verbues drite e lë shtang Kristinën, ajo nuk po dallon dot asgjë, por ndërkohë hapet një derë, një dorë e ndihmon të hipë, pas saj kërcet doreza e derës që mbyllet, dhe gjithçka ndodh me një shpejtësi kalamendëse, si në filmat me aventura fantastike. Akoma pa arritur të marrë frymë a të thotë diçka, vetura niset me vrull, dhe në këtë troshitje të parë, që e hedh prapa mbi shpinën e ndenjëses, e ndien veten sakaq të përqafuar, të shtrënguar. Kërkon të mbrohet, bën me shenjë tërë shqetësim në drejtim të shoferit, që po rri si i ngrirë në timon, me shpinën që ngjan si një masë e errët shkëmbore. Asaj i vjen turp nga ky dëshmitar, por, më anë tjetër, falë pranisë së tij, ndihet e mbrojtur nga diçka më e keqe. Burri pranë saj rri gojëkyçur. Ajo e ka lëshuar veten në një shtrëngim të ngrohtë, të fuqishëm, ndien duart e tij mbi duart e saj, pastaj mbi krahë, tani mbi gjunjë, dhe më pas një gojë e ashpër, ngulmuese, kërkon gojën e saj, e cila, plot zjarr e njomështi,nis t’i hapë buzët, që dorëzohen pak e nga pak. Të gjitha këto i ka dëshiruar, i ka pritur në një mënyrë të pavetëdijshme: shtrëngimin e vrullshëm, harbimin e çmendur të puthjeve të tij mbi qafën e saj, mbi supe, mbi faqe, ato kupa flakëruese që lëvrijnë herë këtu e herë atje mbi lëkurën e saj fërgëlluese, dhe meraku për të mos bërë zhurmë në prani të atij dëshmitari e shton në njëfarë mënyre dehjen nga kjo lojë plot afsh përvëlues. Me sytë të mbyllur, s’gjen dot as fjalë e as forcë për t’u mbrojtur, rënkimet e saj i përthith goja e tij, dhe tërë trupi i harkohet e i dridhet nga kjo kënaqësi që i gufon prej buzëve. Nuk arrin dot ta kuptojë sa ka që po vazhdon e tërë kjo, i bëhet sikur gjithçka po ndodh në një tjetër dimension, jashtë kohës e hapësirës…”

(Stefan Zweig: “Dehje nga metamorfoza”, 
Titulli i origjinalit: “Rausch der Verwandlung”, 
Roman, 274 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s