Poezi nga Petrit Sulaj
TI KE LINDUR PËR TË MË RINGJALLUR MUA
Ti ke lindur për të më ringjallur dhe mua
pasi ndryshove veten dhe Botën.
Në sy ke heshtje
që flet më këngë zogjësh të dashuruar,
në buzë,
puthjen e fundit të krejt të dashnorëve të marrosur.
Je re që merr në gji diellin kur është i trishtuar,
e tokën e fut në sezon dashurie
kur në vend të shiut,
lot të ngrohtë shtrydh.
Një muaj ka që hesht
eshte koha të qeshësh
të na ringjallësh.
Po të them:
asgjë ka mbetur nga unë
dhe në pasqyrë nuk dukem më,
veten e kam kaluar në vrimë të gjilpërës,
lëkurën e kam bërë pe për të qëndisur
ty në zemër.
Kockat i përdor për tu vetrrahur me ta,
mendjen, kovë që del e hyn bosh
njëzetekatër orë rrjesht
në pusin e trishtimit.
Je dafinë gjithmonë e gjelbër
nuk të shkon ngjyrë tjetër.
Frut i pjekur që ben xheloz diellin,
bëmë të marr frymë si fëmijë i lumtur,
ndihmomë të vrasim heshtjen
të varrosim indiferencën
e te fitojmë jetën.
Dridhu një herë e mirë,
bëj tërmet
pastaj te qeshim,
ti je toka ime
i gjallë e i vdekur:
rrënja për të jetuar
e varri
përjetsisht për të fjetur.
Ti je Amerika ime,
sa me zor të kam gjetur.
petrit sulaj
Shkëputur nga libri “MËKATI IM BËN FËMIJËN E PARË”