Poezi nga Rudina Muharremi Beja

Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 

MERMER I AKULLT

U ula mermerit t’ akullt nën hije t’ qiparisit,
ku im atë pushon eshtrat e lodhura, ka ca mot,
por s’e ndjeva përpara, të më dilte si përherë
e shëmbëlltyrë e tij të më shkrinte në lotë.

Kurrë ai varr s’ka qenë më i ftohtë se sot,
Ati im, më thuaj, pse?!
Ai s’ish aty,
pranë gjyshërve kish shkuar t’ u ngrohte zemrën.
Vajta dhe unë…!

 

EKUILIBËR

Brenda gjoksit stuhia përmbys ç’ të mundë
një re shkund e trondit tërë memorien,
fekset e zhbëhet prej shkreptimës së rrufesë
e përpin mëritë e çastit
para se dielli të rilindë sërish në shpirt.

Ndërroj hapat njëra pas tjetrës,
pa hezitim, në të ngadaltën zhvendosje ndjej zemrën të qetësohet,
zhurmën e dallgëve drejt bregut
tek akordohej me të sajën frymë,
e prehje gjente hapësirës së vështrimit.

Pata frikë…, se mos humbja ekuilibrin.

 

SYTË E MBESËS

Nata mbështolli zbrazëtinë time muzgut të vonë,
drithërimat zgjatën krahët deri në yje
e mendja më mori për dore,  tej…

Shkallëve të hijshme në gji oborresh
ulur gjyshërit
veshur mirësinë e shpirtit
tym i llullës pazgjithshmërisht përzier buzëqeshje
këshillë e mjaltë që pemën e gjallë mbështjell mantelit t’bardhë
nënëmira,
tek shpupurit hiret e të shuarit zjarr.

Dheu përqark qëndisur lule
shkel mbi shkallë
mbi flokët e mi e njëjta puthje
dy lot që mbyllin atë kangjellë,
dy sy t’pafajshëm zgjasin shikimin cakut përcjellë…

Rrënjët ka thellë malli, që dhemb egove të sëmura,
po veten s’ dhashë
faqet m’u skuqën si dikur fëmi
përqafimit të tyre të mëndafshtë.

Ti strehëz e mirë që prej mërzisë time po rënkon,
bëhu bujare…,
se borxhin fëmisë nuk ja kthen dot
fale një gjyshe, që dashurinë di t’a dhurojë …
tespijet t’numërojë pragut të derës
tek pret që ora të kalojë
e sytë e mbesës prapë të takojë…

 

VARKA

Përkundej varka valëve
e rendëte me ngulm mantelit të zjarrtë të perëndimit të ndezur
krahëve të erës përqafimit velë
veshur me një tis të bardhë
lëkurës së krishtë fshehur turfullimës det.

S’ ish ëndërr
as anije madhe që të vizatonte shkumë nga pas…
Dukej sikur në vend qëndronte…,
ndonëse,
zhvendosej bregut të paqtë…

 

MENDIMET

Vrapuan këmbëzbathur mendimet në kalldrëmin e vjetër
drejt muzgut krahët kanë shtrirë,
e hija,
zhurmën e hapave dëgjonte e verbohej çdo çast e më tepër…

Hapëronin heshtur në kërkim të vetvetes,
kapërcyen oqeanët e frikës,
kurajën mantel mbeshtjellë.

Rrebelë mendimet,
s’mund t’ i ndalosh të vrapojnë,
frymën e marrin nga ëndrrat e zbritura
furtunës buzëqeshje,
veshur me flatra shprese.

 

KUR LIND RRËZOHET DIELLI

Të athtit dimër u rrëzuan brohorimat
buzëgreminave përmbysur
ëndrrave të trëndafilave
jehojnë tinguj dhimbjesh
rutinave rraskapitëse,
udhëve pa krye shtegut të lënë shkretë
për një dorë…, thërrime lumturie,
larg zemrës veten humbur.

Zbardhen e ngrysen ditët
lind rrëzohet dielli
bëhet e zhbëhet hëna,
rrathëve Dantesk
lyp qiellin e paqtë
mbi zjarrin që djeg
kushedi ç’ mëkate
hukatjes mbështjellur
si në përqafime.

Ngjyer me pluhur yjesh
brishtësive thyer
ëndrrave rrokullisje
strukem brenda tyre
e dal herët në mëngjes,
në teh zemra këmbëkryq
rri ulur të më presë…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s