Poezi nga Anjeza Dielli

Poezi nga Anjeza Dielli

 

DASHURI NË DAMASK

Ai duhet të ishte qyteti ynë.
Kuaj të bukur si statuja,
drita e kisha nën planetin e Hënës,
tempuj si shpella,
vajza të bukura që heshtin prej dashurisë
e ujë që rrjedh nën themele.

Ai vend duhet të ishte pikënisja,
shkretëtira e pafund,
fillimi
e ne
të mbuluar
të mbrojtur
të panjohur
të sapogjetur.

Ajo kohë duhet të ishte koha jonë.
Ti do më ndryshoje emrin
e unë
do të rritesha vertikalisht brenda teje.
Me indiferentizëm do të prisnim kohen
e njerëzit
e gjarpërin e madh do ta linim të na gëlltiste
e do të jetonim qetësisht në barkun e tij,
derisa ai te bëhej shtëpia jonë.

Nuk kemi më qytet
as vend
as kohë.
Jemi anakronikë,
jetojmë në syrin e një Faraoni të pazbuluar
e fati na është shkruar në papirus të padeshifrueshëm.
E ajo që na lidhi fort, është e madhe
saqë po na ringjall prej gjakut të saj.

Jemi të papërcaktueshëm.
I kemi shpëtuar me dashje Zotit prej Duarsh
e një Titan mban fort zemrën tonë.
Nuk kemi asgjë njerëzore,
ndaj asnjë qytet nuk mund të jetë i yni.

Do ta gjejmë Damaskun tonë një ditë…

 

HUMANISMUS

Nuk i dilet përballë kësaj toke të lagësht e të pasigurt
që të fundos këmbët brenda saj e të mban të lidhur e të murosur
e të vë për emër një tingull parahistorik
e bëhesh pemë që koha e këput,
mbasi ka shëtitur gjitha stinët mbi ty.

Nuk i dilet përballë këtij njerëzimi plot vëretje
që të ftohtin nëpër grushta e thërmon
e syve u kërkon ngrohtësinë,
shkel gishtrinjtë e të përditshmes,
mbyll veshët ndaj klithmave,
për të ardhmen ka një pikë të vendosur mbi ballë
e kështu justifikohet për besimtar.

Nuk i dilet e vetme përballë kësaj bote.
Është e tmerrshme fuqia e errësirës që përsëritet,
edhe e atyre që e veshin mbi krye.
Është e thekshme uria mbi faqen e njerëzimit
e buka hidhet nëpër lumenj e peshqit e ndritshëm nuk e hanë
e etja mblidhet prej mjegullave e nuk ka re të vendosura
që sakifikohen për qiellin,
por vetëm për tokën.

Në nxitimin e ardhjes ti ishe frymë.
Më pas u bëre duar
e njerëzimi u shënua nga një dashuri
që nuk lindet e as vdes,
por vetëm ekziston.

 

KU ËSHTË VDEKJA?

Ku është vdekja?
Jashtë
në mes të rrugës
si karrige boshe
me ngjyrë të verdhë
që pret
pret..

Përballë një dritareje,
mbrapa saj unë,
që shoh nga xhami
e në atë karrige ulem unë.
Kurmi im,
me një palë këpucë blu,
një fustan veror
e një shi mbi krye, të butë e të lagshëm.

Shoh gjithcka:
veten time të ulur në karrige,
me flokë të lagur,
nga sytë vërshonte shiu,
nga hunda po ashtu
e ajo heshte
heshte
e më shihte në sy
sikur më fajësonte
për vdekjen time
që ishte aty,
që ishte ulur tek karrigia e verdhë
që po lagej,
që fustani i ishte ngjitur mbas lëkurës,
që gjinjtë po i pikonin ujë të kripur
e jo qumësht,
që kishte në bark fëmijën e dashurisë së madhe
e nuk mund ta lindte.

Për një moment m’u duk se vetja ime buzëqeshi pak
e syte i ndriçuan frikshëm.

E mbylla perden nxitimthi
e nuk guxova ta shihja më vdekjen
nga kaq afer…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s