Poezi nga Marjeta Shatro Rrapaj
***
Nata ecën qiellit,
Hëna shëtit reve
e pas tyre lëvizin mendimet.
Ndjenjat gjunjëzohen para shikimit.
Triumf
Puthen erërat e qiellit
e lindin uragane.
Përplasen valët e detit
e ngrihen tajfune.
Dëgjohen këngë të reja
që askush nuk i njeh.
Është triumfi i botës së re
që shkel mbi urtësinë e të parëve
e ecën mbi ëndrrat e vjetra
për njohjen e një të nesërme më të madhe.
Prehje
Kushdo që shkon në tjetër qiell
merr me vete perëndimet, muzgjet,
për të pushuar përgjithmonë
poshtë qiparisit, ku kukuvajkat bëjnë folenë
e përvajshëm nisin netëve trishtimin
përkundur kurorës yje, si lehtësim për shpirtin,
dhe prehjes së mundimit të përbotshëm
në eter të frymës së fundit, prehje.
Kohë memece
Ngadalë zvarritemi rrugëve të jetës,
dhimbjet i shtyjmë tutje,
gëzimet i sjellim afër,
Herë të pandjeshëm,
herë tepër sensibël.
Kalimtarë të rastësishëm,
në rrëmujën e lodhshme të ditës.
Ca të moshuar ngecur në kujtime,
ca të rinj rendur në të ardhmen,
Të maturuarit mbetur në të tashmen.
Mendimet u përplasen në heshtjen e kohës
e rendin drejt së panjohurës memece.
Faleminderit Agron Shele!
Faleminderit Atunis!
Shumë vargje të bukura! Të lumtë Marjeta!
Faleminderit Adem Xheladini!