Cikël poetik nga Kozma Billa
LAMTUMIRË
Gjethet i zverdh mendimi apo vjeshta?
Era flokëprishur i shpërndan,
ndjenjat ç’më mbërthyen,
syzezë, Svjetlanë.
Gjethet shkelen shpërfillshëm,
shiu i pamëshirshëm i përlan,
bashkë me to dhe dashuria,
nga ty ngriu, Svjetlanë.
Bien gjethet në ledhet e shpirtit,
era i shpërndan,
përveç fjalës “Lamtumirë”,
s’ka për ty, Svjetlanë.
NJË LOT MBI GJETHE RA
Mbi një gjethe të trishtuar vjeshte,
pikëza loti malli derdhi,
syri i kaltër vizatoi lotët,
një copëz deti formoi mallin.
Dhe gjethja
u drodh nga ky lot i nxehtë,
është gërryese vetmia,
vazhdimisht pret atë që e braktis,
ndaj s’dua t’i ngroh
të shtatë shpirtërat e saj.
Ah, moj vjeshtë që gjethet zverdhe,
zverdhe dhe një pjesë të shpirtit tim,
unë gjatë u luta
ta thyeje këtë traditë të lashtë
që ishte burim vajtimi
i një filmi me metrazh të gjatë.
NJË ZEMËR KËRKON DRITË
A e ke provuar ndonjëherë
të jesh i vetëm,
të jetosh
në shtratin e ftohtë të vetmisë,
të vërtitesh,
të vërtitesh e gjumin ta mundësh,
siç ndodh me mua tani?
Unë e ndjej mungesën tënde,
si vapa e korrikut pikat e shiut,
unë e ndjej zbrastësinë
në shtratin e ftohtë,
si zogu folenë e braktisur.
Dhe tik-taket e zemrës që largohen,
i ndjej,
në pyllin e madh të shkretëtirave harrohen,
e dëgjoj
këngën e vetmuar të zogut çdo mëngjes,
trokitja e tij
në dritare herët më zgjon.
E jetoj vetminë
pa ty,
një copë që shkëputet
ndjej në shpirt,
një diell që lind
dihet,
ka dhe perëndim,
një zemër e vetmuar,
sonte kërkon dritë.
ATË MBRËMJE…
Atë mbrëmje
qielli pikonte kaltërsi,
ne flisnim fjalë pa kuptim
dhe nuk po e kuptonim,
se merimanga e zezë e mbrëmjes
po na ngatërronte
në pëlhurën e saj.
Atë mbrëmje
qielli pikonte kaltërsi,
fshiu ndoshta çastet e fundit,
por kish çelur një syth
brenda syve të mi.
DRIDHEN TELAT
Dridhen
vajtueshëm telat e zemrës,
lëshojnë trishtueshëm
tinguj,
melodi,
nën mbretërinë e hënës
dhe yjet janë shuar,
ndjej
si po perëndon dhe kjo dashuri.
Hidhërim,
farmak pikojnë tingujt,
melankoli
shpërndan kitar’ e çakorduar,
sytë përloten si të pafaj
për dashurinë e braktisur,
të harruar.
KALTËRSI E LIQENIT NË SYRIN TËND
Po qendis në kaltërsinë e liqerit
kthjelltësinë e syrit tënd,
spërkas çdo ditë
fytyrën tënde
me freskinë e mëngjesit
dhe rrudhat heq
me lëngun
e porsashtrydhur të ullinjve.
Bukuria e hënës
derdhur mbi flokët e tu,
me gonxhe trëndafilash
përkëdhel flokët
mbi trupin tënd,
dor’ e Buanariotit ngrin.
A thua,
se skulptura ideale je
vetëm ti?