Shkrimtarët / Nga: Vladimir Myrtezai ( Shkëputur nga Gazeta “Liberale”)

Shkrimtarët

Vladimir Myrtezai: Shkrimtarët

Borana Zhupa po linte fundin e bulevardit dhe po kapërcente në anën tjetër të rrugës. Atypari i zunë sytë tre nga shkrimtarët më të njohur të qytetit, të ulur në një kafene të rastit, e panjohur për të. Një kafene nga ato si pa shkak, që mbijnë udhës duke të ndërprerë shtegun, me një ngulitje të sheshtë e të pazhurmë. Të shestuar ngeshëm, tre shkrimtarët, të shpleksur ngjashëm me një pemë, në një pozicion trupash të tillë që iu dukën si një skulpturë e Xhakometit, me copëza të hallakatura, si stërzgjatje e ardhur nga ndonjë mundim i brendshëm, që po të mbyllje pak sytë ngjante me ritmin e kërcureve të tharë, në perspektivën e një rruge dimërore.

Qe një krahasim që iu aksidentua dhe u rrokullis në ndërgjegje beftë, duke e bërë të buzëqeshte me veten, pasi për çudinë e saj, në një hapësirë të përbashkët ishin ulur njerëz krejt të panatyrshëm për të qenë së bashku nën një kulm. Të shkrirë në një gjuhë trupi si e nënvizuar ngatërrueshëm me hepime që vinin nga drejtime krejt të përmbysura e përjashtuese, dhe të zënë në çark nga një çast rastësor apo prej ndonjë halli të palexueshëm që i plekste që të tre, ose thjesht nuk i vinte dot një emër atij kompozimi të rrallë. Por, që të tre të atyre gërxheve e gungave, sa zor se mund t’u qasesh në paqe, sepse mund të gjendeshe në një zabullimë thekëse ironish, si rrjetë, që të mos kishe nga t’ia mbaje.

Qe një pasdite vjeshte e ndriçuar dhe e qartë, sikur çdo gjë ishte larë e fërkuar nga shkëlqimi lëbyrës i ajrit të kthjellët. Borana Zhupa sapo qe ndarë nga një panair libri, ku, me sa duket, qe e thënë të përplasej papritur e befasisht. Për hatër të një lloj telepatie që iu ngjit vetëtimthi, iu faneps një mbivendosje e shpejtë dyjare shoqërimesh, ku shkrimtarët zbarkonin e vendonin për një kohë të shkurtër në pavëmendjen e saj. E njohur me të tre që shumë herët, dhe me secilin syresh ndante nga një histori të ndërprerë keq. Ajo i takonte një brezi më të vonë se brezi i tyre, por, siç ndodh, më të mëdhenjtë shpesh mbahen mend shumë më mirë, pasi pjekuria e tyre u kalit në brezin e mëpasëm të poeteshave të reja; ngaqë në njëfarë kuptimi ata ishin dhe dritaret e para live të çudive të ngrehura me pamjen e adhuruar të shkrimtarit. Një dorë gojëdhënash ishin hedhur tavolinash studentore, kur flitej për shkrimtarë të rinj, që shihnin me talent nga e ardhmja e tyre, e jo në të tashmen, ku ende ndriçonin klasikët me soj e soj historish nga ato të pashkruarat e deri tek ato më të shpëlarat.

Më i prapi nga ata ishte Behxhet Morina, pasi aq sa i ndezur e kokorosh në romuzet e tij, shfaqej po aq edhe mjeshtër në prapaskenat e thashethemnajës, që shkrimtarët ishin të zotët e parë në atë truall. Me hap e mbyll sytë historia e saj me Behxhetin vite më parë qe bërë një vragë e hapur, e qepur e riqepur disa herë në tavolina të gjera, ku ai shtjellte fantazitë e zgjeruara e të lyrëta, po aq edhe perverse. Vetëthurej në një korkolepsje të pafund vijëzimesh, që mbas gjithë katrahurës arrinte të tallej deri dhe me aromat e aktit seksual të saj, duke i kthyer në një duhmë të personalizuar, që e shkundte si akt të rrëfimeve të tij, që të vinte në majë të hundës kur e shihje të tallagjatej në rrathë të ngushtuar me miq e kurvarë soji. Një prush djegës i vlonte në gjoks sa herë ndeshej me të, sepse vetë ajo, Borana Zhupa., ishte e thekur dhe përcëlluese në shtratin e meshkujve, por e kishte të shenjtë të mbante sekret çdo lidhje që kish kaluar, meqë, sipas saj, jeta e vërtetë ishte veçmas, pronë vetëm asaj, lidhje e flirt, dhe të tjerat ishin llogari, fatura dhe meskinitete që i prodhonte shkaku material, i cili e ftohte deri në palcë një marrëdhënie ku shkëmbeheshin rob të së njëjtës racë si ajo e shkrimtarëve.

I përvëlonte nga brenda ai Behxhet Morina, për një trajtë rrokanisëse të mendjes, që të dukej sikur të shtinte në magji me format e tij të hapura e do sosh dhelash në fshehtësi, gati skandaloze e të papritura. Ishte një tip mashkulli çudi, me një magji tërheqëse, që merrte udhë gjithherë nga antipatia si fillim, e më pas harkonte gjithë panoramën e marrëdhënies në një farë padurimi të zbutur e plot vraga të thella, të pazbuluara nga thellësia e misteri.

Jeta e Borana Zhupës rrekej mes letërsisë e filmit, nisur e rebeluar që në adoleshencë, me shumë eksperienca boheme tallazesh e vuajtjesh, që i dukej sikur sa vinin dhe e ripërtërinin.

Dashuria e parë ishte më e vështira, të tjerat ishin si një udhëtim me shumë gropa, që ajo pëlqente dhe stimulonte me rropatje. Takimi i saj me Rron Vatnikën ishte një tjetër trajtë udhëtimi, disi më i përmbajtur e i veshur me një ndjesi sikur po i superpozonte në koshiencë një përjetim të parashikuar të tij në pashmangshmërinë dhe zaptimin e saj. Ishte e habitshme se sa i kujdesshëm e fluid ishte në raportimet e tij me shumë shembuj nga rrëfimet, ndërkohë që ishte krejt e kundërta në krevat: një hamshor i heshtur dhe mjaft i zgjatur. I dukej më së shumti që kur kish shkuar me Rron Vatnikën sikur po mbante mbi trup një rreshtim të pafundëm apostujsh të kulturës së hershme, pasi në të gjitha pauzat provonte një çlirje me kavalierë të fjalës, apo me të tjerë filozofë, që ishin të përkushtuar ndaj dështimit si një fryt i nevojës.

I vetmi që e kish lënë në tentativë ishte Dan Cirilami, një merak i saj që kish ngrirë në ajër. Kishte tentuar disa herë në shumë mënyra, nga më të paturpshmet dhe nga më ekstravagantet, pasi e njihte mirë si konstrukt, dhe përpiqej të ishte ana e parealizuar e tij, meqë e kish kuptuar që vuante deri në vetëvrasje për të pushtuar kështjella që nuk mund të ishin të tijat.

Qe një lloj maniaku nga bota e shkrimësisë, që vuante nga sindroma e parashikimit, dhe jo nga e kundërta, e një lëshimi total e pa zinxhirë; një specie e çuditshme që operonte me një paqe që s’të linte të qetë. E kishte dashur me të vërtetë, por siç e shpjegonte edhe ai në formën e tij të vetëmbushur dhe të qetë, se flirti mes e tyre nuk ishte i kapërcyer, sepse ata të dy kishin një ritëm jete të ndryshëm, që për fat të keq të gjitha pikat i ndjente të përputhura. E dëshironte Borana Zhupën për panatyrshmërinë e saj me një shtrirje kah vulgu, duke qenë se ishte tërheqëse dhe jo e bukur, gjë që për Dan Cirilamin nuk kish ndonjë rëndësi. Me vlerë për të ishte fakti tundues në një zhytje të egër e të zeshkët të saj, ku shkrehej në një mekje paralitike në seks, që e përfytyronte krejt të shpartalluar dhe lënguese; një fatalitet që ai e ngrinte në teori:

– Kishim orare krejt të kundërta. Unë zgjohesha shumë shpejt, kurse ajo zgjohej kur dita më kish hyrë në trup dhe nuk i përshtatej më kohës.

Një gjë për të qeshur, por i pëlqente për vdekje kur i thoshte me të madhe se ne kemi zakonologjinë ditore në konflikt, që nuk na lejon të shkapetemi. E donte Dan Cirilamin për mënyrën se si e rrethonte me një agresion natyral prej mashkulli, dhe gjithë kohës ndjehej e cytur nga ndjesi erotike, që gjendeshin gjithnjë në një mundësi të re, shkaktuar në të ardhmen e pamundësisë. Një dëshirë që nuk u realizua kurrë, dhe për këtë rreshtohej shpesh me të via online, dhe aty derdhej siç do i derdhej në krevat, në formë të çlirët e pa objektin në prekje, me orgazmat e saj të shpeshta e me një fjalor të rrjedhur, muzikuar pisët, gjë që asaj i pëlqente pamasë, dhe i shkaktonte një adrenalinë soji, që i dukej se e kishte shtrirë në dyshek, duke e shpartalluar me zjarrminë e saj ngjethëse. Një ndjesi në tentativë, ndërtuar aq mirë, saqë ndonjëherë ndjente keqardhje ta prishte atë ngrehinë të marrakotur lumturisht të fantazisë së saj. E ngatërronte dendur në shumën e karaktereve që i ndërtoheshin në kokë, që merrnin aromat e tij si etaloni i mashkullit të hepshëm e të ëndërruar në flashkjen prej mashkulli të vdekur për krevat. Ishte një lloj fiksimi i saj, që nuk priste ta merrte më seriozisht.

Rron Vatnika, Behxhet Morina dhe Dan Cirilami po pinin kafenë në një cep të Tiranës pas një ndarjeje shumë të gjatë në mes tyre; një ndarje nga ato që duken si një jetë e shungulluar nga tringëllima të shumëfishuara tensioni e rrokopuje beftake. Kur ja, pas më se njëzet e kusur vitesh, u gjenden sërish pranë njëri-tjetrit në një tavolinë rrumbullake. Sebepi i këtij takimi ishte një panair libri. Me gjithë shkaqet që u bënë të tre bashkë, filluan të tjerrin mes tyre mbarë kohën që kishin lënë në mes, duke u munduar ta mbushnin me fragmente nga koha e tyre e hershme, duke sjellë në bash të ligjërimit miq e armiq të shumtë, me një humor të gunguar nga sarkazmat dhe talljet në stil krejt të zi. Njëri syresh, diç më i zbutur tashmë nga format e agravuara që i rrinin si zgjatime në kokë, për të mos qasur pranë asnjë humanoid të racës së letrave, pasi kish një neveri patologjike, ndoshta për një radhë të stërgjatur njerëzish të ngushtuar në numër. Dhe zifti i metaforave me të cilin i trukonte të gjithë ata, e bënin të ishte edhe më agresiv, deri në simptoma vrasësi në batutat krahasuese me të cilat i kthente me kokë poshtë.

Në panairin e librit ishte bërë modë të trajtoheshin figura që bënin efekt në memorien kolektive, dhe që të tre filluan të thumbonin sa lart e poshtë të gjithë spektrin e mundshëm, me sharje e qyfyre që pësonin metamorfoza të lehta në atë energji të lakuar. Mbase monumenti më i errët i trupëzuar në sharje ishte lartuar pikërisht në atë treshe tavolinash që kishte ndjellë letra dhe historia e saj e shkronjëzimit. Rron Vatnika ishte disi më i çliruari nga të tre, si aristokrat nga qetësia e qëndrimi, por edhe nga stili i sheshtë i veshjes dhe nga një portret që nuk ndryshonte në kohë. Pikërisht ky fakt e bënte edhe më agresive ligjëratën e tij në një pasdite nëntori, ku të dukej për pak se ferri i vërtetë do qe me patjetër ai i letrarëve. Bile në një prononcim publik, Dan Cirilami kish vënë re që miku i tij, Rron Vatnika, shprehej krejt kundër asaj që mendonte në rreth të ngushtë për një shkrimtar të njohur. Gjithsesi, këtë fakt e kapërdiu si teknikë e sjelljes së njerëzve ndaj disa figurave të stampuara tashmë në një opinion më të gjerë publik, dhe si një lloj taktike në grup të shkrimtarëve, që ndërtonin kundërpesha publike grupimesh, për të qenë më të fortë në këtë arenë ngjyer në të zezë. Gjithsesi, në pamje të parë, në qoshkun e tyre të zgjedhur disi rastësishëm, ata tingëllonin me një teksturë përfshirëse njerëzish në zë, që në njëfarë mënyre i lidhte përbashkët në një startim në kohë, si dhe më vonë në histori krejt të veçanta, që i jepte atij qoshku një vlerë të shumëfishuar për nga historitë. Kapriçozë, të murrëtyer në struktura pamjesh të ndara e të shkapërhedhura, ku njërin mund ta vendosje sigurt më pranë rilindësve, tjetrin diku tek ekzistencialistët, dhe të tretin disi më tëhu, në një skarpat arti që sheh më nga e ardhmja, por me një pamje të përhedhur e të ngatërruar akoma me modernët.

Rron Vatnika sikur varkonte në një rini të përjetshme; një ndër ata lloj njerëzish që dukej se ushqehej vetëm me libra e letërsi të mirë dhe në çdo kohë nuk se krijoje një ide të saktë se me çfarë tjetër ky humanoid mund të zgjidhte jetesën ditore. Nuk të jepte përshtypjen as edhe për një thjerrëz që kishte të bënte me prakticitetin, apo me gjërat e rëndomta që mveshin njeriun. Behxhet Morina ishte një tjetër shtjellë e çudisë, që e kishte ndarë jetën mes të kënduarit të librave dhe një lloj agresioni të lindur, vënë ballë me rrezikun ndaj gjërave të ndaluara, që ai i skedonte si niveli më i lartë e i hapur në shoqëritë e klasifikuara perëndimore. Të gjitha regjimet, të çfarëdo lloji, për të ishin mediokre e trushpëlara. Me një portret të shformuar së gjeri, merrte një shprehi si të mbështjellë me tragjizëm, çdo herë kundër një empirizmi në mode, me të cilën ai shihte botën e torturuar nga hajvanë aventurierë. E banonte gjithësinë dhe fenomenet si një kthinë humori të degraduar tek e zeza. Një çudi që në ditë të përkora të kthehej në një fëmijë të butë e të pazëshëm, duke mos t’u shqitur nga mendja, si një flakë e fshehur, që në fakt duhet t’i ngjajë shuarjes, jo fillimit të dritës. Një qenie në konflikt, me një zgjuarsi të mprehtë, që gjithsesi gabonte, pasi luftën e fillonte nga brenda, dhe së shumti viktimat ishin format pushtuese e të rrepta të batutave me të cilat ai stoliste betejën e tij.

Dan Cirilami, një tjetër materie humane, që merrej me të shkruar dhe i rrinte botës në bisht, sikur ndillte pafund erërat e rënda të kurmit njerëzor, për t’i radhitur në formën më të estetizuar në faqet e tij. Dani merrte shkas së fundmi nga një konflikt në natyrën e tij të paqtë, që nuk e linte të zhvillohej, ngaqë ishte një nostalgjik par excellence në tërësinë e tij, që koha e kishte trandur në dilema të pashpresa, që derdhnin në letrat e tij forma nga më të shthururat, udhëhequr nga ideja se aty ku ai shkaktohej si afri mund të gdhihej gjeni; një lloj narcizmi i tejkaluar, që së shpeshti i kthehej në patinë për atë çfarë shkruante. Shpesh mendonte se sa të panevojshëm ishin shkrimtarët. Por, ja që këto ishin fazat e tij të vjelljes, ku nga mbingopja e mbyllja veçuar, humbiste lidhjet me jetën e thjeshtë e të gjallë, dhe shfaqej si kometë e programuar që lundronte pa pushim në mendjen e tij.

Ja pra, të tre aty, rastësisht puqur, në një gjendje të hapur ndaj mediokritetit, teknikave të pushtetit dhe zogjve të kurvave, që yshtnin me zgjuarsi e pa ndalur instalimin e një dige progresive. Një kundërklimë apo ajër me kusht për të tre. Qëndrimi bashkë nuk mund të zgjaste shumë, sepse ashtu të rebeluar, të shtyrë në moshë, ngjanin me ca kërcunj që nxinin si të papranueshëm për oksigjenin farmaceutik që thithnin të gjithë në kor. Një oksigjen i legalizuar prej kohësh tanimë. Një formë e cytur e gjuhës së trupit, që shpërfaqej me një arenë heronjsh të vonuar që luftonin me hijet e së shkuarës; një materie mes aromave të gjalla të mishit dhe gjësë, në uri të ekzagjeruar, në gjendje të përtypnin çdo gjë, pa nam e nishan.

Do vdisnin sigurt, ose të siguruar po të doni, ashtu të pagdhendur, në një gjendje prej fëmije në tentativë për t’u rritur, pa kompromise të shpejta e me shkarëzime aventurash plot lëng, si histori letrash shkruar me thëngjij që teprojnë nga zjarri.

Diku më larg tyre ishte ajo – Borana Zhupa, konkrete deri në dhunë, nën ryben e një kurioziteti që nuk dallohej se ku kishte vendosur të ndalonte. Po perëndonte diku përtej, në një tis të mugët e të kuqërremë. Të tre ata, veç e veç, kaluan në mendje Boranën, si një mundësi për t’u kredhur në të shkuarën, për një copë malli jetuar në vijime krejt të kundërta.

– Na, moj errësirë… – u çor Behxhet Morina, jo i sigurt si ngaherë, si gjithnjë me sokëllimë, por nën korda të zbutura e të mbytura. Dukej që kishte në ajër dëshirë të ngutur, që e kish tejkaluar arsyen kontrolluese krejt hapur. Ngriti dorën drejt saj dhe ndjeu sërishmi që në ajër digjej një lloj elektriciteti vaginal, i parealizuar, gjë që bëri t’i hollohej zëri si pa kontroll, dhe ia shprishi pamjen e paqtë e drejtvizore. Ngriu i tëri, ngaqë ashtu fshehur, akoma ndjente diç për të, dhe nuk ishte më një formulë që e kishte kryer funksionin. Kishte zbuluar pa dashur që ajo ishte pengesa e nevojës së tij, si muzë e fshehtë e pamjes së hallakatur dhunshëm që i buronte gjithandej, apo një rrjedhë që kutërbonte kundër gjithçkaje që ai e dëshironte fshehtë për vdekje.

– Ditë panairi, ditë shkrimtarësh. Tirana ndjehej e zhytur nën një zhurmë të nëndheshme e të fashitur turbullt nën një tis vëzhguesish e të vëzhguarish nga vetvetja e tyre nga qëniet më të ndërlikuara në thelb dhe më të mërzitëshmit në llojin e shfaqjes së tyre.

/Gazeta Liberale

 

Nga: Vladimir Myrtezai

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s