NATË ME SHI / Fragment nga libri me novela “ZHGËNJIMI” i autorit Kristaq Turtulli

NATË ME SHI

Se kush qëlloi me armë përjashta. Rrugica oshtiu, kanatat e dritareve u drodhën. Pranvera e hidhur vononte të vinte. Kërceva i llahtarisur nga shtrati. Mu duk sikur më kishin qëlluar pas krese. Kisha filluar të trembesha në gjumë dhe për këtë xhuxhmaxhuxhi bënte qejf. Kërceu përpara hundës sime dhe më pëshpëriti:
‘U llahtarise!’
‘Pse ti s’u trembe?’ e pyeta.
‘Xhuxhët nuk trembem. Jam i vogël s’më zë plumbi,’ më tha. Qeshi dhe, me tallje luajti veshët llapushë. Dënesa nga inati.
Xhuxhmaxhuxhi u kthye në brinjë, më vuri duart në shpatulla dhe çuditërisht filloi të dëneste më keq se unë.
Unë fshija lotët e tij dhe ai fshinte lotët e mija. Më në fund e pyeta:
‘Përse qan?’
‘Qaj për frikën tënde..,’ më pëshpëriti.’
Gjyshja më tundi nga krahët, më tha:
-Mos qaj në gjumë. Nuk është mirë.
Hapa sytë me vrull, vështrova i mpakur nga plaka. Gjyshja gogësiu, ndezi qiririn e trashë prej dylli, por s’i hapi perdet. Më pështjellonte errësira dhe zë dridhur iu luta gjyshes të hapte perdet.
-Shëëët,- ia bëri ajo: -Plumbi përgjon dritën.
-Ç’janë këto krisma o gjyshe?!
-Krismat duan të lëndojnë fëmijët, të kryqëzojnë natën, të vrasin jetën. Trembesh, vërtet ke frikë?!
-Kam frikë…
-Mos ki frikë. Fëmijët nuk lëndohen, nata nuk kryqëzohet dhe jeta nuk vritet.
S’fola, vështrova i hutuar zverdhimin e fytyrës së gjyshes si hënë të harruar.
-Na biro, pi çaj mali. Kujdes, fryji, mos të digjen buzët, – më foli ultas gjyshja dhe më afroi gotën e ciflosur. Fillova të rrufitja çaj me gllënjka të vogla.
-Po të vijë ëndrra rrëmbeje dhe fli, – më pëshpëriti gjyshja dhe qëndroi mbi kokë, në përgjim, derisa më zuri gjumi.
Kur më erdhi ëndrra, xhuxhmaxhuxhi më ngjau më shumë me miun dhe, dredhoi përpara hundës. Më përqeshi dhe humbi. Nuk dukej askund. I pashë bishtin e hirtë që humbi sakaq prapa stufës, folesë sime të shenjtë. Aty, gjyshja ka vendosur një minder të vogël, mbuluar me kuvertë leshi të kuqe. Më pëlqen të ri aty, të mblidhem kutullaç, të ngrohem kur është ftohtë, dhe xhuxhmaxhuxhi vjen e ngucet pas meje.
‘U fshehe, hë’ i thashë xhuxhit.
‘Ta kam thënë, dukem dhe zhdukem sa herë ma do qejfi.’ Mu bë sikur dëgjova zërin e acaruar të xhuxhit.
‘Përse bishti zhduket i fundit? ’e pyeta.
Xhuxhmaxhuxhi rrotulloi sytë pa ditur ç’të thoshte dhe nisi të kruante kokën, pastaj më foli zë grindur:
‘S’më interesojnë hollësitë, s’ është bishti im. Hej, kuptoje njëherë e mirë, është bishti yt.’
‘Bishti im! Gënjen. Shpif. Mua më ka larë gjyshja në govatë, gollomesh. Njëmijë herë e kam parë trupin zhveshur përpara pasqyrës, të veçantë kam dalluar vetëm bibilushin e vogël dhe disa qime të vogla fare, të buta, si push, por kurrë hijen e bishtit. Pa më thuaj një çikë, bëhet shurrka me bisht?’
Xhuxhmaxhuxhi u mendua një copë herë, preku diçka me dorë nën vete dhe pëshpëriti i mërzitur:
‘Jo, nuk bëhet.’
‘Mos do të thuash që bibilushi është bisht?
‘Joooo?!’ u përgjigj i trishtuar dhe mu ngjesh pas trupit.
Unë qesha. Xhuxhi u murrëtye, më ktheu shpinën me inat dhe u fut nën minder.
E pyeta gjyshen në mbrëmje lidhur me çështjen e bishtit. Ajo më pa një copë herë me vëmendje. La shtijat mënjanë, punonte çorap. Hoqi nga koka shaminë e irnosur, pështyu pëllëmbët e ashpra dhe shtroi flokët e bardhë dhe më tha:
– Në cilat shtigje shkon e punon kjo mëndka jote e vogël, hë?
Unë ngrita supet pa ditur ç’ ti thosha dhe e vështrova drejt në sy. Ajo më shpupuriti flokët dhe si për inat tha:
-Edhe njeriu ka bisht bir i gjyshes, por s’ i duket…

 

Kristaq Turtulli
Fragment nga novela : NATË ME SHI.
( Libri me novela ZHGËNJIMI)
Botuar në Amazon. 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s