Të vetshpallurit poet / Poezi nga Miltiadh Davidhi

Posted on January 26, 2020

0


Poezi nga Miltiadh Davidhi
 
 
Të vetshpallurit poet
 
I morën të gjitha çmimet,
Për be asnjë nuk lanë,
Ca zhgarravitës të rëndomtë,
Që veç poet nuk janë.
Ca miq këtej, ca miq matanë,
Dhe e vetshpallën veten “mbret”,
Ca grafoman të rëndomtë,
Që shkruajnë për ibret.
Në majë të piramidës
Rrëshkasin porsi ngjalë,
Disa duke u servilosur,
Disa me t’bukurat shalë.
S’lenë fjalë pa të thënë,
Po t’i kritikosh n’gazetë,
Të fryrë si gjela deti
Me lafshën ngritur përpjetë.
Hiqen si gurë të çmuar,
Si smeraldë të vërtetë,
Dhe shkojnë nder konferenca
Duke u mburrur si poet.
Ca fjalë këtej, ca fjalë matanë,
I stivosën librat mal,
Të gjitha vijnë era tagji,
E ti ndjehesh si kal.
Natë e ditë përmbi letër,
Këta derdimen të mjerë,
E pa turp shkojnë nëpër botë,
Shpërndajn’ atë që kan… dhjerë!
Posted in: POEZI