Tyran Prizren Spahiu – Poeti bohem që bashkëjeton me vuajtjet e Kombit dhe njërëzimit  (Fragment nga dorëshkrimi im “Përsiatje letrare dhe teologjike”; vështrim vëllimit poetik “E-dita” të poetit z. Tyran Prizren Spahiu) / Nga: Zekerija Idrizi

Tyran Prizren Spahiu – Poeti bohem që bashkëjeton me vuajtjet e Kombit dhe njërëzimit  

(Zekerija Idrizi: fragment nga dorëshkrimi im “Përsiatje letrare dhe teologjike”; vështrim vëllimit poetik “E-dita” të poetit z. Tyran Prizren Spahiu)

Ka kohë e kohë që lexoj e stërlexoj perlat letrare poetike dhe prozaike të mikut tim të çmuar, shkrimtarit, Tyran Prizren Spahiu. Dorën në zemër, veçanërisht i shijoj mirë e mirë margaritarët e tij letrarë poetikë. Kjo për arsye se ai depërton me penën dhe muzën e tij fascinante në të gjitha skutat dhe sferat më të ndjeshme të shoqërisë, respektivisht, në pikat më nevralgjike të popullit, dhe din të bashkëndjej e bashkëvuaj me kategoritë më të ndjeshme të saj: me të mjerët, me të pastrehët, me varfënjakët, me bonjakët, me të mërguarit, me bohemët etj. Pikërisht këtu, në këtë rrafsh, del qartazi në spikamë shenjtëria e vargjeve të tij sublime, që i dedikohen popullit shqiptar dhe njerëzimit mbarë ndërkombëtarisht. Thjeshtë, të gjitha tekstet e vargjeve të tij ngërthejnë mesazhe sa domethënëse e filozofike, aq edhe hyjnore, humane e me vlera gjithënjerëzore. Zatën poeti është “i ndëshkuar” në saje të vokacionit të tij krijues botën ta transformojë pozitivisht, gjitha plasaritjet në rrethin dhe mjedisin e tij t’i arnojë e t’i riparojë, që ta ndërtojë një botë më të mirë e më fatlume të ardhmen, kjo për arsye se muza e poetit ka rrënjët në hapësirat kosmike, tejqiellore… Dhe pikërisht këtij synimi sublim i qaset edhe poeti ynë z. Spahiu në tërë krijimtarinë e tij letrare.
Këtë më së miri ai e vë në pah te poezia e tij “unë dhe poeti” teksa thotë:

“Pasioni i zjarrtë i poetit
lexuesin ushqen me nektar,
pije që deh, natyrën pasuron
ai, shkruan poezi të përjetshme.
Politikan nuk është, edhe më pakë lypësar
zotëri është
ofron bujari, fisnikëri, burrëri…

Piramidë, fortesë, kushtrim, dashuri, epsh, ekstazë,
poeti është
i kombit, letërisë, etikës, bashkimit,
flamur, pendë e përjetësisë.
Pikturon jetën e juaj
për atdheun dashurinë zgjon,
jeton, bashkëjeton me vuajtjet e juaja,
dritëzohet gëzimi kur ju sheh të lumtur
po, është ai, i juaji poeti!

Madje, për më tepër, në pothuaj çdo varg të tijin vjershëror, në çdo vepër të tij letrare, ai himnizon lartë, në piedestal, pozitën e gjuhës shqipe, të kombit dhe atdheut shqiptar. Si, fjala bie, te poezia e tij:

“BOHEMI Shqiptar”
…gdhendur në skulpturën e kohës
poetët
lartësojnë të Bekuarën Gjuhë Arbënore
në vend këtë të shenjtëruar
Krenar qendron në mauzoleun e përjetësisë!
Të lutem, hedh shikjimin
në sofër ulur është bohemi
prirë nga shkronjë-dashësit
kurorëzuar nga oborri mbretëror shqipfolës
kujton në qetësi
vargjet e shkruara në SHQIPNJË…”

Shpirtin patriotik, human dhe altruist-gjithënjerëzor, z.Spahiu e trashëgon nga familja dhe rrethi ku ka lindur, është rritur dhe edukuar, sikundër ai vet e pohon te poezia e tij “Jetë e djaloshit”: “…fat, lindur jam në qytetin e Lidhjes//frymëmarrë në Shadervanin e Zotnive//vend i edukatës, lashtësisë, frymëzimit//ke dyqani i babait, këpucar// rritur jam në pastërtinë e Prizrenit
afër// ëmbëltorja pikante e sheshit//
kohën e fëmijërisë aty kam shijuar/shoqëruar me thjeshtësi, miqësi, dëlirësi më kujtohen//dyqanet e shumtë, briskaxhitë, ortarët//këmbanat, ezani//dëgjonim respekt fjalët// punë të mbarë or shoq// esnafët me dorën në krahëror uronin// të mbarin mëngjes”.

Tyran Prizren Spahiu

Duke qenë me një pedigré solide familjare, i brumosur me një edukatë e arsimim të shëndosh patriotik qysh në lindje në familjen e tij dinjitoze dhe në qytetin historik shqiptar, në Prizren, z. Tyran Spahiu në shumë vargje të tij kërkon zëshëm që paqja e mirëqenia nga atdheu i tij të dominojë në mbarë botën, te të gjitha nacionet, kulturat e qytetërimet. Në këtë kontekst ai edhe e thotë mjaftë qartë në poezinë e tij “Pa kufi”:

PA KUFI

Lindur jam nga një nënë
bardhë, aziatik, afrikan
në botën e njerëzve dua te hyj,
ndasi ku nuk ka, as urrejtje
i thjeshtë jam, si ti, si ju
gjaku u kuq rrjedh ne damarët e mij,
ndaj ndjenjat e dashurisë, të bukurës
njësoj si ti, ju, miqtë e botës…
Dëshiroj kënaqesi shpirtërore te gjej,
te shoh se jeni të lumtur,
qetësinë përallore te përqafoj,
keni bukë për të ngrënë
për të pirë ujë,
unë, jam i lumtur shumë
kur shkronjatë e mia hedhin vargjet e dashurisë…
Pendë kjo, thërret në mirësi,
vajton për paqen në botë,
ditë atë, kur troket harmonia,
buzëqeshja e fëmijëve sundon,
tupanat e luftës fund marrin,
unë,edhe në i mbyllësha sytë,
ju shihni lotët si pikojnë,

kohë atë zbritur ka paqa,
në tonin, ruzullin tokësor….

Një imazh impresiv, hermeneutikë metaforash të bukura me fuqi shprehëse, e sajuar nga refleksione të shumta poetike, ka qenë familja ndër shekuj, veçanërisht, me epërsi të veçantë, ka qenë gruaja si bashkëshorte dhe si nënë në familje. Së këndejmi, ajo çka mua personalisht më ka bërë përshtypjen më të thellë është fakti që familja – si strumbullari, bërthama e qeliza fundamentale e shoqërisë, shtetit dhe kombit, për poetin Spahiu është e frymëzimi i tij më sublim e më i shenjtë në jetë. Për më tepër, ai këtë e shpërfaq qartazi te poezia e tij “Frymëzim” teksa i drejtohet bashkudhëtares e bashkëluftëtares së jetës-gruajës, të cilën ai e cilëson ZONJË, që përfaqëson gurrën e pashtershme të inspirimit të tij, madje-madje edhe si pararojë e vet jetës së tij. Dorën në zemër, këtë poezi aq shumë e kam lexuar sa tashmë e kam mësuar përmendësh:

“I shoqërisë snob nuk jam
as bohem i zbritur nga parajsa,
koha kurrë nuk mjafton
bashkërisht të lundërojmë, kënaqësitë e botës të shijojmë,
nuk dua të të quaj bashkëshorte
mistrece, oxhaku që ngrohë shtëpinë,
je më shumë, je jeta ime që gjallëron
në mua je, aty frymon,
imja piktore, ti, gjallëron vet natyrën
zbrite në krahërorin tim,
heshtur, aromën e bukurës nektar solle,
Zonjë
nënë e fëmijëve të mi
çastet më magjepsëse ti më ofron,
ëndrrat e çiltëra më jetëson
dua me epsh të rrallë të të arrestoj me dashuri,
dorën, zemrën time ka kohë ke burgosur
dorëzuar jam,

I thure shpresë egos time të etur
më mësove ç’domethënë jeta vet.
Inspirim je, që pasuron qenien time
e lehtë posi puhiza
rrëmbeve rininë time të rebelosur
ujërave të qeta drejtove anijen e ardhmërisë”

Kam dhe shumëçka tjetër për të thënë e shkruar rreth opusit mjaft të begatë e shumëdimensional letrar të z. Spahiu, por këtë herë do mjaftohem me kaq, për ta zgjeruar ca më thellë ditët në vijim, meqë kjo përsiatje imja dedikuar krijimtarisë së tij do zë vend meritor në dorëshkrimin tim aktual “Përsiatje kulturo-letrare e teologjike”. Po, ky shkrimtar do zë vend të veçantë në librin tim të radhës, meqë ai është një krijues zëarbëror dhe zëhyjnor, respektivisht, është pikërisht ashtu sikundër përshkruhet në poezinë e tij “Atistokrat i qytetit”:

UNIKAL, NDER I KOMBIT, VET PARAROJA E TIJ:

“Ti, që kërkon drejtësi
shkruan vargje e poezi
ti, që ëndrrat i përjetëson
mbjell farën e lirisë
dashuri në letër sërish kërkon
Ti, që endesh bulevardeve
veshur si në mesjetë
kokën kurrë nuk e ul
stuhisë së zyreve i bën ballë
Ti, që krenarinë nuk e mposht
Ti, që del nga libraria me libër të blerë
ledhaton shkronjat e bukur
vazhdon me filxhanin gjysmë të zbrazët
gllënjkën e fundit shijon si nektarin e natyrës
ndez cigaren, shtëllungjet sulmojnë

kolli të mundon, ngritesh ballëlartë
ti, që nuk dorëzohesh zyrave vendosëse
anashkalon qeveritarët
partive nuk u vardisesh
ti, që u përkulesh Dëshmorëve
shpirti të kjan për të Pagjeturit
ti, qe prore rri me nevojtarët
bashkëbisedon me të pastrehët
ti, poet
nder i kombit je, pararoja vet
mohikani i fundit, ti, Bohem i Qytetit Shqiptar…”

(POSHTËSHËNIM)

*** Për mendimin dhe shijen time letrare janë dy poezitë e tij perla, margaritarë të rrallë letrarë, që për nga vlera dhe mesazhet domethënëse do t’i rezistojnë kohës: “SHQIPNJË” dhe “PERËNDESHË E LETËRSISË” . Për më tepër, këto dy poezi, për mendim timin, janë credo moralo-etike e kombëtare për çdo shqiptar të mirëfilltë:

SHQIPNJË

…je, burrë dheu i rrënjve denbabaden
dhe JU, bekuara burrneshë
SHENJTI BEKIM është, Ne, Shqiptar jemi lindur
gjenezën të kujtojmë
zakonet të mos harrojmë
fjalën e dhënë të respektojmë
mirësinë të kultivojmë
tashmë
koha e Kanunit ka kaluar
histori janë ngujimet
shtrenjti gjak nuk do derdhet
mesjetës hasmërit takojnë
hapësira kohë punon
kërkon bashkimin e kombit
jetësuar është ëndrra
ndodhi poezia epike
një komb, flamur, hymn
Shqipnjë
don të rrëfehet lavdisë shekullor
popullit
dëshmorëve
sonte, që sonte
ke Lidhja do ulem
pres puhizën e mesnatës
me nota të kitarës vargje këto do recitoj
freskia do bartë shkronjat
ke varret pa fillim dhe mbarim
në altar ku prehen shpirtërat e pavarësisë
do njoftoj Qëndresën, Vlorën, Durimin, Prekazin
lajmëtarin Engjëll do lus
porosinë të dërgoj
Mbretit të Epirit, Jasharëve
pasardhësve Shqipnjë
qetë flini, Guri Është në Vend të Vet
Pllaka Graniti fort qëndron
në një anë pushka
gjaku matanë
majtas trojet
Shqipnjë djathtas
katër kulla janë këto
Beden i Largëpamësisë Shqiptar
nën zjarri do digjej
flaktë do kujtojnë
rrëfimin e dhembshëm të popullit autokton.

Nga: Zekerija Idrizi – Teolog Berlin-Shkup

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s