Poezi nga Lumo Kolleshi
TAKIMI I PARË
Ku t’i gjeja fjalët? Fjalët kishin ethe.
Zemra ngrinte dallgët sa për shtatë dete.
Sytë ishin ndezur,një zjarr i paparë,
Buzën ma përzhite,m’i shtove nje plagë.
Eh,të tilla plagë m’i mbaj plot një jetë,
Kaq thashë atë ditë tek ike si retë.
Ç’t’u them pulëbardhave?
(Takimi i fundit me tim vëlla)
Vëlla,ti që detrat ke çarë e ke bredhur,
Pse nuk po çohesh sot nga shtrati?
Po më dukesh si një nëndetese e fshehur,
Vetë deti pas Karaburunit po ikën nga ianti.
Sot nuk më le me detin të takohem,
Me atë det që lidhe plot një jetë.
Pse më bëhesh valë e kripur përplasur në qerpikë?
Në syrin tënd sot dua të zgjohem.
T’i shtrydh qiejt qoftë dhe për një rreze dritë.
Më thuaj një fjalë e të largohem
Ç’t’u them pulëbardhave në breg?!
BËHU NJË PEMË
Nëse një ditë rrëzohesh në rrugë,
Përpiqu të ngrihesh e rrugën ta zësh sërish,
Pikëllimin mos e lër të të mbajë në shtrungë,
Kripa e tij sytë t’i enjt e t’i prish.
Nëse mendon se t’u shua çdo rreze drite,
Se bota për ty mori fund,
Kurrë mos e shko ndër mend një dorezë thike,
Një këmbëz të akullt që djeg një plumb.
Vjeshtës së zymtë të vetvetes bëhu një pemë,
Një pemë që pret dimër e të gjitha gjethet i shkund,
Një pemë ëndërron përherë një pranverë,
Mbush sythet ndër ngrica dhe dimrin e mund.
SHEKSPIRIANE
Ende vazhdon të flasë Makbethi
e faqja s’i skuqet e syri s’i ka lot.
Sapunët ndërron herë pas here Ledi,
nga pellgjet e gjakut nuk del e s’ del dot.
S’i bëhet përsipër për Dunkan paqësorin,
për Banko dyshuesin, ca më pak,
cili emër u përmend në gjumëmizorin
e mëngjesi s’e gjeti të mbytur në gjak?
Dhe prapë e dëgjojnë dhe heshtin,
një Hamlet nëpër kohëra ndihet keq.
Fjalët e tij dhe sot shpojnë veshin,
por dhe veshët qenkan shurdhuar për dreq!