Borçe Panov (Maqedonia e Veriut)

Borçe Panov (Maqedonia e Veriut)
 
Borçe Panov ka lindur në Radovish, Republika e Maqedonisë. Diplomoi në Fakultetin filologjik në Shkup. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëvë të Maqedonosë nga viti 1998, si dhe kryetar i manifestimit ndërkombëtar “Karamanovi sredbi”.
Poezia e tij është përfshirë në më shumë antologji dhe panorama të poezisë bashkëkohore maqedonase. Një pjesë e poezisë së tij është e përkthyer në anglisht, gjermanisht, ukrainisht, bullgarisht, në gjuhën katalone, sllovenisht, serbisht, frëngjisht, spanjisht, danisht, shqip, kinezisht, rumanisht dhe në gjuhën mongole.
Në vitin 2016 doli nga shtypi përzgjedhja e tij poetike dygjuhësh, bullgarisht dhe maqedonisht “Çestiçki hematit” (Grimca hematiti), në vitin 2017 libri poetik “Vdah” (Gjallërim) në sllovenisht, kurse në vitin 2018 libri “Brijanje ballona” (Rruajtja e tollumbaces) – përzgjedhje nga poezia e tij në gjuhën serbe në botim të UKS Srbija. Në vitin 2019 doli nga shtypi edhe përkthimi i librit “Glloçka shkollka” (Guackë gjembore) në bullgarisht me titull “Fotostiheza” (Fotojetë), në botim të „Libra skorp“, në Burgas – Bullgari.
 
Ka botuar këto përmbledhje poetike:
 
“Ç’ka parë Çarli Ç nga e prapa” (1991)
“Sy cikloni” (1995)
“Stop Çarli ” (2002)
“Takti” (2006)
“Gjëegjëza nga qelqi” (2008)
“Bazilikë dorëshkrimi” (2010)
“Darkë e menduar” (2012)
“Frymëzim” (2014) dhe
“Heshtje njerëzore” (2016)
“Gjallërim” (2017)
“Guacka gjembore ” (2018)
 
Borce Panov gjithashtu është autori i disa përmbledhjeve alternative dramatike:
 
“Kohë e pestë kalendarike” (2000)
“Qytet i dyfishtë” (2001)
“Mes sokaku rrugicë e verbër” (2002)
“Homo sapunes” (2004)
“Rroke somnabullin” (2005)
“I ndarë nga hunda e vet” (2006) dhe
“Kinema verore” (2007).
 
 
MILINGONA DHE SIZIFI
 
Milingona
Rrokulliste pikën e ujit drejt majës
Kurse unë si Sizifi
Zbritja poshtë
Dhe nuk dija a do ta gjej përsëri
Gurin e njëjtë
Me të cilin përvetësova majën
 
Milingona fare nuk mendonte
A thua pika e ujit
Do të jetë e fortë sa duhet
Që të jetë pjesë e pakuptimësisë
 
 
 
HIDROGJENI
 
Hidrogjeni është element më i lehtë në natyrë.
Kur digjet lirohet uji.
Nga ai zjarr edhe ne jemi krijuar.
 
Hidrogjeni është element më i lehtë në natyrë.
Zoti e krijoi dhe djegien e parë.
Zjarri i parë mes fjalëve e dogji.
 
Hidrogjeni është element më i lehtë në natyrë.
Ne krijuam hidrogjen të rëndë
si protiumi dhe triciumi.
Nga triciumi krijuam bombën atomike.
 
Hidrogjeni është element më i lehtë në natyrë.
Kur digjet lirohet uji.
Nga ai zjarr edhe ne jemi krijuar.
 
Zot, na mundëso të digjemi me zjarrin tënd,
e jo me zjarrin tonë.
 
 
 
FOTOJETË
 
në megjet e urrejtjes
gurët zhvendosen natën
kurse ditën askush
nuk e di se ku kanë qenë
 
për një megje të tillë
dy fshatar u vranë mes veti dhe aty i varrosën
me kufirin si gur mbi varr
 
afër gurit një lis çatall
shekujt kanë ngritur rrënjët e vjetra
deri kur në rrëmbimet e tyre
nuk u dukën kafkat dhe kockat
nga dy fshatarët ngritur mes tyre
 
dhe vargu ashtu
i ngre rrënjët e vjetra të tij
dhe gjith ligësitë nga toka e koha
i nxjerr në diell kurse fjala
në anën tjetër gjethon me fotojetë shprese
 
 
 
SHTAMBA
 
Fjala e bukur është si shtamba
Gjithkush që kalon
E puth
Vetëm ti
Le buzëkuqin në të
 
 
 
HAMENDJE FOSILIZUESE
 
mëngjesi më preku me gishtin tregues nga një ditë
dita në një çast
çasti në gjith kohën
 
dhe vrapova i shtyrë nga gishti tregues gjith kohën
dhe vetëm trupi im ishte hapësirë dhe kohë
si anije e madhe plot me fjalë
 
megjithatë as përmbytja e së heshturës
nuk sqaron fosilet e ditëve
ku nuk arrita t’a them gjith padrejtësinë
 
dhe e di – në një centimetër katror
nga toka deri në tehun e gjithësisë
na shtypin dhjetë Njutna ose një kilogram ajër
 
dhe mëngjesi më preku me gishtin tregues nga një ditë
dita në një çast
çasti në gjith kohën
gjith kohën me pyetjen
sa peshon një fjalë e pa thënë
që hamendet mes kaosit dhe jetës?
 
 
 
MARIONETËT
 
E përndoqa merimangën me gishtin tregues
dhe ajo si marionetë u shtri nga skaji i dhomës
në pe të urtësisë
 
Në buzë të acarit
e përndoqa dhomën time të humbur
dhe kështu si marionetë
u shtri në fije të ngrohtësisë
 
E përndoqa këtë mesditë alarmante
deri në tehun e pavetëdijes
kështu si marionetë
u shtri në rrufetë e motit të lig
 
E përndoqa aromën e shqetësimit
deri në skaj të pagjumësisë
dhe nga frika dhe shpresa
u zgjat si marionetë në penjë
 
E përndoqa zemërimin e lotëve
më tej rrugëve të thara të kripës
dhe si marionetë
u zgjatën në fije të pazëshme zanore
 
I përndoqa grimcat e kuqe të gjakut
deri në teh të kapilarëve
dhe si marionetë me grimcat e mia të bardha të gjakut
ato u zvarritën mbi letrën e etur për gjak
 
Arsyeja më përndoqi në skajin e botës
dhe si kukull u tërhoqa nga krejt skajet unit tim
dhe regjistrova: Na fal Zot
ngase ende nuk dijmë çka bëjmë
 
 
 
Përktheu nga origjinali: Adem ABDULLAHU

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s