FJALA E BUKUR E POETES LIDA LAZAJ! – “Magjistarja” e fjalës së bukur / Kumtesë studimore nga Arqile Vasil Gjata

FJALA E BUKUR E POETES LIDA LAZAJ!
“Magjistarja” e fjalës së bukur

 

Kumtesë studimore nga Arqile Vasil Gjata

Përmbledhje

Në hapësirën e informacioneve letrare artistike, që duam t’i pasqyrojmë në kohën e sotme, na vjen bindshëm ideja se për përcaktimin e vlerave të një krijimi poetik, duhet të mbështetemi në kritere të caktuara si; forma, dendësia stilistike, figuracioni, kuptimi, konteksti dhe ambiguiteti i vargut etj. Ky punim ka në thelb poezinë lirike të kohës moderne, të përfaqësuar nga poezia e poetes Lida Lazaj, për të analizuar magjinë e fjalës se saj në vargje.
Sipas studiuesit V. Ziko
“ Gjuha poetike sendërtohet në bazë të vargëzimit metrik, gjë e cila ka shpënë edhe formën e saj aq të ngjeshur dhe lakonike me vargje e strofa, në dallim nga proza, që kërkon faqe të tëra për tu shprehur. Po të shprehemi figurshëm, do të themi se poezia është parfumi i mbyllur në shishkë dhe proza, vera në një but”.1
Si e tille poezia e saj është një sinteze mendimesh e ndjenjash të purpurta, të cilat varen nga këndvështrimi i lexuesit që gjykon për to, nga situatat dhe dilemat kur autorja i hedh këto vargje në letër, nga niveli kulturor i saj për të shprehur sa më shumë botën e saj në lidhje me realitetin ku jeton, me muzën poetike se si kjo “magji” vjen, dhe sa pragmatiste është në ato që shpreh brendashkruar poezisë së saj. Le ta zbulojmë nëpërmjet një analize semantikore dhe gjuhësore, në mënyrë që të nxjerrim në pah ato vlera, që poezia me leksikun e saj i mbart drejt lexuesit.

Hyrje

Impresioni dhe impakti që merr nga poezia, të çon drejt rrugësh të pashkelura, që vetëm poezia, përzgjedhja e fjalës, thellësia e një mendimi të pjekur artistikisht, përzgjedh objektin, që i paraprin formësimit të analizës, që dikush merr përsipër të bëjë në një krijimtari poetike, e cila të lë mbresa që në leximin e parë.
I pavdekshmi Dostojevski, krahas veprave madhore, shkruante se “Bukuria do ta shpëtojë botën” dhe një nga këto bukuri është poezia. Në këtë raport vlerash, unë po kërkoj të hap një dritare, të hulumtoj lidhur me poezinë e zonjës L. Lazaj, e do të vë theksin jo vetëm në vlerat poetike formale, por më së shumti tek brendia bindëse, tunduese, magjiplotë për nga gjuha dhe leksiku i përdorur dhe veçantia që ajo sjell në këto kohëra të reja moderne për artin tonë të poezisë.
“Poezia konfirmon humanizmin, duke zbuluar se individët në të gjithë botën ndajnë të njëjtat pyetje e ndjesi. Poezia mbetet shtylla kryesore e traditës verbale ndër shekuj, e cila mund të komunikojë vlerat më të thella të kulturave të ndryshme”2
Mbi këtë të vërtetë mbështetet përpjekja ime në hulumtimet rreth krijimtarisë poetike të poetes Lazaj dhe do të perpiqem të jap një pasqyrim sa më të përafërt të vlerave, veçorive dhe mesazheve, që përciell poezia e saj tek lexuesi. Mendoj, se për poeten Lida Lazaj ke çfarë të shkruash. Prurjet e saj janë të admirueshme, produkti “poezi” me vulën e saj sa vjen e bëhet më shumë interesante dhe meriton vlerësime të padiskutueshme. Ajo dallohet dhe për paraqitjen e formave abstrakte të menduarit dhe ideve tejet të çmuara për nga retorika që ato përmbajnë.
“Historikisht, koncepti mbi gjuhën poetike dhe vetë poezinë ka evoluar. Poezia mund të shkruhet edhe duke shmangur metrikën, me varg të lirë.
Paraqitja grafike e poezisë, leximi i saj individual, komunikimi i heshtur meditativ e zbehu anën tingullore dhe vlerësoi, mbi të gjitha, figurshmërinë artistike, proces i cili i përcaktoi në mënyrë selektive kufijtë midis gjuhës poetike dhe gjuhës së prozës, duke e zhvendosur në plan të parë rolin e ritmit si mjetin bazë të vargëzimit poetik.3

Kultura gjuhësore dhe poezia e autores LIDA LAZAJ

“Kultura e gjuhës është kujdesi për të zhvilluar në gjuhën letrare, ato veti, që janë të domosdoshme për funksionimin e saj të veçantë”. 4

Nën dritën e një gjuhë vërtet të shkruar me kujdes sipas normave letrare, poetja vjen me një produkt poetik të pasur leksikor dhe të kuruar bukurisht me gjuhë të lexueshme plot “ledhe” dhe drite-hije, ku poezia hedh “nur”. Vargjet e saj janë të zhdërvjellta, të ngjyrosura ndjeshëm me metafora. Mbroj mendimin se, në poezitë e Lazaj, metafora është mjeti kryesor për krijimin e njësive frazeologjike, kjo sidomos tek vëllimi “Syri i së Dielës”, por edhe në poezitë e shkruara më pas.

“Qielli shkund dimër, yje kristalë qerpiku i pishës llamburit”5
“unë, për të mos vdekur prej urisë
ha libra dhe ndez qirinjtë.
Heronjtë sot, vdesin prej bubullimës.”
“Përkundruall
ecin një burrë dhe një grua.
Shkëndijuan vështrimet.
Pemët u përshkënditën si llampadarë.
Supet e burrit që mbanin mbi gjysmëshekulli jetë
dhe hijeshi Apolloni
nisën të këndonin.
Shpina e gruas si Venerë nisi të qeshte.
Nuk u përshëndetën,
vetë heshtja foli.
Të dy dikur kishin kafshuar një mollë qershori.
Pakëz më tej marrokja e lagjes bëlbëliste
(thonë që dashuroi fort e u çmend)
e thithte cigaren me eks.”

Ajo ha libra, është e etur për dituri, heronjtë vdesin prej bubullimës, shumë rall, ose aksidentalisht, shkëndijuan vështrime, shkëmbyen të lumtur vështrimet, dhe pemët u përshkënditën, si llampadarë, pemët ndrisnin, shpina e gruas si Venerë nisi të qeshte dhe supet e burrit mbanin 50 vjet jetë mbi to”, personifikime të mrekullueshëme…
Kultura e gjuhës është tashmë një prej degëve të mirënjohura të gjuhësisë, që merret me studimin dhe përcaktimin e normës letrare në të gjitha rrafshet e sistemit të gjuhës, me zbulimin e prirjeve të zhvillimit të gjuhës letrare për të ndikuar mbi të në pajtim me këto prirje, si dhe me rrugët për përvetësimin e zbatimin e normës letrare.6 I tillë e i vlerësueshëm në sytë e lexuesit, përngjan edhe vargu i poezive të Lazaj, i cili përcjell gjithë delikates një mori problemesh dhe trajton tematika nga më të ndryshmet e mjaftë të pëlqyeshme që i përkasin vetë jetës.

“Mirësjellja gjuhësore ka ekzistuar që në çdo vend dhe në çdo gjuhë, sepse ajo ka qenë dhe mbetet shprehje e traditave kulturore dhe lidhet ngushtë me organizimin politik e shoqëror dhe me zakonet dhe traditat e çdo vendi a kombi”7. “Gjuha e një kombi, siç dihet, është e lidhur ngushtë me karakterin e popullit ose të bashkësisë shoqërore përkatëse, që është djepi i saj dhe madje, sado që mund të duket e diskutueshme, ndoshta edhe disi e çuditshme, është e vërtetë se ashtu si gjuha zbulon dhe tregon karakterin e një kombi, ashtu edhe cilësitë dhe virtytet e çdo populli duken nga etnografia e të folurit të tij”. 8
Frazat e përdorur kanë lezetin e “xixëllonjës”, ato ndrijnë dhe janë në fluturim të pandërprerë… “Më duhet të kuptoj,/përse nuk dëboj si insekt të hutuar xixëllonjën,/por e marr në pëllëmbë e puth në ballë si kryezonjë /dhe zemra ime pa u menduar fare pas i shkon?”, vargje që frazeologjinë e mishërojnë në vetvete për tu bërë kuptimplota…
Siç dihet, frazeologjizmat e ëmbëltojnë dhe e thellojnë semantikën e fjalëve e të shprehjeve. Ato janë njësi gjuhësore që shprehin diçka ndryshe nga leksiku i tyre. Në poetikën e Lazaj gjejmë njësi të tilla si: nyjen e lotëve; i afrohem tokës; lot i menduar; shkrep mali; vetmin e madhe me domethënie të brendshme semantikore e që i japin vargut një dimension të ri.
“Tema dhe simbolika e elementëve të natyrës, dielli, qielli, malet, shkëmbi, hëna, yjet, uji, pylli, dheu, flladi, fusha, trëndafili, si edhe ato elementë shpirtëror, kujtimet, dashuria për pranverën, dashuria për jetën, dhembshuria për nënën, kenaqësia për muzikën, puthja është një element tjetër, madje shumë interesant: ‘’ Një puthje më pak, një hap më larg’’, janë në funksion të frymës lirike që e përshkon gjithë veprën.
Bota e mat largësinë me dritë jete, këtu në vëllimin poetik, Lida, autorja jone e nderuar, e mat jetën me puthjen, si simbol i dashurisë. Aq natyrshëm vjen vjershërimi nëpërmejt simbolikës, sa që kodi- gjuhë është i qartë, ekspresiv, personifikues, imazhe mbreslënëse, ritëm, muzikalitet, pasuri e gjallë leksikore- semantike, gjurmët, që brendia dhe konteksti, e sjellin poezinë si diapazon lirik të pashmangshëm nga moderniteti i kohës, janë thellësisht të dukshmedhe shprehëse”9.
Po ç’emër ka dashuria tek poezia e Lidës?

Lida Lazaj

Dashuria për të është pranvera që vjen ‘’ si flladi me mantel lulesh qëndisur’’. “Poezia e dashurisë në pamje të parë është si një përrallë e përjetshme. Është poezia një “instrument” për çlirimin e shpirtit dhe shkarkimin e ndjenjave?
Kjo mvaret nga ai që e përjeton dhe di ta lexoj poezinë.10 Dashuria është gjithmonë pranë ëndrrave. Ajo noton neper vargje, shkruhet ne shpirt dhe shpërthen me muzën poetike duke sjell botë…
Në poezinë “ Më duhet një ëndërr, më duhet një mit”, imazhi bashkëkohor poetik është reflektim i një emocioni, ku figurativiteti dhe miti i dashurisë vihen në funksion të fjalës, ne funksion te ligjërimit per te depërtuar ne shpirtin dhe mendjen e lexuesve. S’është çudi, që kjo gjuhë është e ngjeshur dhe dinamike, me mendime të forta, ku fantazia mbështetet dhe frymëzohet në botën e pakohshme.

  • Akademiku Gjovalin Shkurtaj tregon qartë se “Titulli është kartëvizita e çdo teksti dhe e pjesës përbërëse të tij, pra ndërtimi i tekstit nis qysh nga fillimi”11Disa nga titujt e poezive të Lazaj, na imponojnë të përfytyrojmë një seri skena të çuditshme, plot fantazi, ngjyrime, muzikalitet dhe skenare idesh poetike!

Të tillë janë:
Syri i së Dielës
Dimëroj me Miq
Për ty Shoku i Shortit.
E Diela Vdiq
Lajme prej Pikës së Shiut
Në Emër të Shpirtit të Petales
Letër Gurëve, etj., …

Është vetë titulli i tyre që të ngacmon së tepërmi sapo i lexon poezitë e saj, dhe ajo çka është me e gjetur, është ideja se çfarë ato shprehin në vetvete, çfarë domethënie kanë e çfarë mesazhi përcjellin… Pasi lexon poezinë “Moshohem” të poetes L. Lazaj, bindesh se, vargjet e saj janë eliptike për faktin se ajo është e prirur për të hyrë në thelb të mendimit. Poetja është në kërkim të vazhdueshëm me gjuhën e formën eliptike, për të shpërthyer me ndjenjën e saj. Ajo transmeton tek lexuesi ndjesi tingëllimash të një njeriu përpara të çuditshmes me frymëmarrjen e dihatjen e saj poetike.

“Tek njeri vesh oshëtin deti
ketrat e pyllit thyejnë lajthi tek tjetri.
Ditë pas dite i afrohem tokës
e lehtë jam, sa gjumin e bëj në petalen e lulemollës.
“Gjysma ime e papërsosur
as me imagjinatën më të çmendur
se imagjinoj jetën pa ty.
“…dhe shinat e trenit vegojnë në ëndrra
si shpata që zgjidh nyjen e lotëve në fyt.”

(Në këtë poezi…dhe “shinat e trenit” që simbolizojnë rrugët e jetës, “vegojnë në ëndrra”. Duket se ka karakter pragmatist duke aluduar se jeta rrjedh vrullshëm . me “shpatën që zgjidh nyjen e lotëve në fyt” duket si “nyja Gordiane…“ e zgjidhur nga shpata e Aleksandrit të madh.).
Mendimi në poezinë e Lazaj, ruan vertikalitetin (si vlerë estetike) në të gjithë hapësirën e thurur të poezisë, si një tërësi vlerash, ku fjalësia leksikore e saj është e qëmtuar me shumë kujdes. Vertikaliteti, guximi, çiltërsia e mendimit poetik janë disa karakteristika, që autorët i frymëzon dhe përfytyrimi i tyre konsolidon vetëdijen estetike.
Vertikaliteti në poezitë e Lazaj, nënkupton pikëshikimin nga lart dhe ajo e përdor atë për të sjell jetësoren, fjalën e gjallë plot vitalitet.
Ajo e ndërton mendimin, rrëfimin me ndjeshmëri, inteligjencë dhe elegancë.
Poetja ka aftësi natyrale si kultivuese e fantazisë për të pikturuar tablotë e saj poetike.
Poezia e madhe realizohet si një poezi kur gjuha e thjeshtë është e mbushur me të gjitha kuptimet e mundshme! Aftësia për të shprehur qartë, me shkathtësi dhe pa vështirësi gjithë spektrin e ngjyrave me domethënie të ndryshme kuptimore, e bën poezinë të përveçme dhe me tipare estetike funksionale!
Figurat e ndryshme letrare, metaforat, krahasimet etj., janë pjesë e strukturës së poezive. “Kur flasim për analizë stilistike, ajo mishërohet tek stili unik se si poezia vjen nëpërmjet metaforave:
‘’… e uji rrëngjethet rrathë, rrathë…’’, ‘’qyteti pi kafe…, përtyp briosh e gazeta’’, ‘’pikën e lotit ma piu dielli …”12
N ë poezinë e saj fjala rrjedh natyrshëm, bota gjuhësore e pasur me leksikun poetik “alla Lazaj”, dhe rrëfimi zakonisht në vetën e parë, duket se janë shprehje e këtij “uni” të përveçëm që shpreh individualitetin e saj. Imazhet e poezisë së L. Lazajt kanë aromë femre, janë thellësisht të sinqerta dhe të mbarsura edhe me surealitet të dallueshëm. Ato janë të formuara nga shndërrimet e sendndërtimeve figurative të shumta, si tipare veçuese të stilit të saj të krijuar, si mëvetësi individuale të karakterizuara nga epitetet metaforike dhe gjykime tepër origjinale rreth mendimit të saj poetik.

“Letrat për ty!

Çdo ditë të kam shkruar letër.
Ndonjëherë dhe dy
ndonjëherë edhe tri.
Ndonjëherë, si një kafshatë,
që s’të mjafton i mbledh dhe thërrmijat,
krejt ditën e kam shpenzuar, duke shkruar letra për ty.
Por, s’ti kam dërguar!
Jo sepse pëllumbpostierit ia lagu krahët koha,
jo sepse druaj, se mos të shtoj mall e hall,
por se ti JE,
e s’dua të të zhbëj.
Sepse, çdo ditë,
dua të shkruaj letra për ty.(duhet diagrama….)?”13

Ajo është e vetëdijshme, për misionin e saj …poezia e saj ka një mision me shumë rëndësi, atë të poetit, të derdh shpirtin në vargje e të ngrejë zemrat peshë me mesazhin që përcjell tek lexuesi…

“Misioni im nuk ka mbaruar
(në çastin e daljes nga gjumi)
Rreze dielli lojcake luan mbi qelq
e lulja e akullit lëvaret si lot i menduar.
Ëndërra e natës në pemën e trurit lëkundet si frut i kalbur
e unë mëdyshem
nuk di “jam zemra e frutit në pemën e trurit, a ç’jam?

Nuhas parfumin e flokut të Ninës,
ngrohem nga prekja e burrit
dhe zgjohem;
-jam grua.”
“Moshohem, njëtrajtësohem
kurmi im: shkrep mali, ku vetëtimat shkarkohen”.

Shoh se ajo ka një ligjërim të veçantë, ku dhe mjete shprehëse të gjuhës bëhen elementë estetikë duke dhënë kuptime semantike të figurshme ndryshe nga ajo konkrete. Ajo luan me fjalën për të dhënë filozofinë e saj individuale në konceptimin që i bënë fenomeneve: “ pemën e trurit” e personifikon me mendjen dhe nëpërmjet krahasimit “si frut i kalbur”, kërkon të tregojë se s’ka vlerë…

“…bëje një çmenduri të vogël .
Sot është mëkat
të mos mëkatosh pak.”

Nëse i drejtohem poezisë “TRISHTIL” ka aq shumë ngjyrime, aq sa ndihesh se je në kopshtin e “magjistares” së fjalës së bukur. Tërësisht, pandehmat e saj janë kompozime për identifikimin e vlerave estetike, që nxirren në pah nga autorja.
Trishtil14

“…Të joshen,
të çmenden
të marrëzohen të gjitha gjethet
të bëhen zogj e të cicërojnë njësoj si ti.
Kështu të bindem
të zverdhen
të bien si gjethet
të gjitha pandehmat dhe dyshimet
që të mendojnë zog qeparisash
e cicërimën tënde; vajtim.
Këndo trishtil
I gjelbërthi zog i pyllit tim”.

Në kë të poezi autorja me shumë mjeshtëri, ajo nuk e përdor lidhësen ftilluese “që”, dukuria e ambiguitetit është e qartë, edhe zog i natës, edhe me zë që “të çmend” ku aludon se duhet edhe gjethet t’i ngjajnë atij “të bëhen zogj e të cicërojnë njësoj …”, mendimi vjen i thellë, por ka abstrakizëm; metafora vjen e fortë…
Poezia e saj vjen si një lumë i rrëmbyeshëm në çdo stinë plot imazhe e metafora, ku lexuesi dhe mund të “humbasë” nëpër ligjërimin e saj plot ndjesi, që rend pas një bote, që të zgjojë vëmendjen për fjalën e saj të përçuditshme…

“Pishëz e vogël zu brymë mbi qerpik
kupa e qiellit përmbys mbi male
nga vargjet zbret bohemi Rreshpja
dhe ndajmë bashkë vetmin e madhe.”

Në vargjet e poetes nuk ka qetësi. Ajo është e qetë vetëm brenda vetes, kur e shikon si portret, por në vargje është shpërthyese me frymëzimin e saj, si poete të ngazëllen, të ngacmon me ngjyra e gjithfarë figura letrare, sidomos me semantikën e kuptimit dhe ndërtimet frazeologjike të shëndetshme e të mirëorganizuara në tërë strukturën e saj poetike. Poezitë e saja janë të krijuara nga ndjenja e brendshme e poetes. Vargjet e këtij vëllimi (“Syri i së dielës”) dhe të poezive të tjera të shkruara në kohë) janë zëra prej “uji” të rrëmbyeshëm, ose copëza hëne, që të mbushin duart me yje!” Çdo poezi e poetes L. Lazaj është një “trandafil që era e lehtë e përkund”, por mëdyshet “të çelet, apo mos të çelet” pa pasur frymëzimin dhe mallin e saj!Një zë prej uji, “Eja” më tha:

“Eja të fshihemi thellë në pyje
Një copëzë hënëzë do të dhuroj
Do ti mbush duart me yje!
Është atje një trëndafil,
që era lehtë e përkund.
Mëdyshet “të çelet a të mos çelet”
Ah,i mungon fryma që përkëdhelet…

Gjithashtu ajo e ndërton mendimin, rrëfimin me inteligjencë të veçantë. Poetja, ka si pasion aftësinë kultivuese të fantazisë për të pikturuar tablotë e saj poetike.
Poetja ka një fjalor shumë të pasur, ku filozofia e saj, sa hermetike, aq dhe intime ka si veçori–enigmën për të pasqyruar “fytyra të dlira foshnjash”!
Kjo lloj “enigme” indentifikon “unin” e saj poetik e cila është mbartëse e një individualiteti, ku mendimi, thellësia, konceptet, filozofia marrin jetë brenda poezisë së saj! Me anë të ligjërimit të vet poetik, autorja shprehet qartë për realizimin e dëshirave të saja krijuese dhe mesazheve të nënkuptuara.

“Gjethërisht!
Flladet e majit do ti grish për ti bindur gjethet,
që shëndrisin në diell: fytyra të dlira foshnjash,
të cilave klorofili nuk iu është pjekur
dhe se kanë marrë ende pamjen e
metaforave të ripërtypura,
të shndrrohen në kartmo!”

PUNUAR NGA ARQILE V GJATA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s