MONUMENTI SHKRIMOR PËR SHËN ANGJELINËN GDHENDUR NGA GOLOMARJA E RE, ZENEPE LUKA / Nga: MSc. Albert HABAZAJ

MONUMENTI SHKRIMOR PËR SHËN ANGJELINËN GDHENDUR NGA GOLOMARJA E RE, ZENEPE LUKA

Ndihem fatlum që jam një ligjërues në promovimin e monografisë “Angjelina Arianiti Komneni, shpirti i shenjtë i Arbërisë” të autores Zenepe Çekrezi Luka, gazetare dhe shkrimtare shqiptare.

Kam fatin të jem në Qytetin e Luleve dhe Diturisë dhe pikërisht këtu, në sallën e Prefekturës Elbasan, ku pikërisht sot, të enjten e 30 korrikut jemi mbledhur sipas situatës që ndodhemi për të kujtuar bashkë me ju, Lulëzimtarë të Nderimit, për herë të parë pas 5 shekujsh, në vendlindjen e saj, 500 vjetorin e të vetmes shenjtore shqiptare mes 40 shenjtorëve në kishën e Fan Nolit në Boston, Shën Angjelina Arianitin e shekullit XV, që i dihet dita e vdekjes 30 korrik 1520. Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, falë mirësisë humane të kryetarit të bashkisë Vlorë dr. Dritan Leli, në bashkëpunim me Prefektin e Elbasanit z. Maksim Malaj dhe kryetarin e bashkisë së Librazhdit, z. Kastriot Gurra, po realizon këtë bashkëbisedim  serioz dhe të bukur, edhe pse të kushtëzuar nga protokolli antipandemik, në pamundësi të konferencës shkencore të planifikuar me kohë për këtë rast të rrallë. Ky festim solemn na vjen i trishtuar edhe për faktin se s’na erdhi dot shpirttrëndelta Margarita Xhepa dhe i urojmë shërim të shpejtë Divës së Artit Shqiptar, margaritares Margaritë, që mezi e presim mes nesh me atë zërin e saj hyjnor, me atë humanizëm fisnikërisht buzagaz…

Fjalën time do ta paraqes shkurt në dy pamje.

Pamja e parë: Përgjithësisht, si turmë pa organigramë kulturore, që shfaqemi se jemi, tek hiqemi sikur dimë shumë, fatkeqësisht sa pak gjëra dimë!… Sidomos gjithologët kaptinëlartë për modë janë të paparë mushkonjërisht deri në bezdisje. Më vjen ndër mend shprehja e mbarënjohur që thonë të huajt për ne, shqiptarët, se heronjtë i bëjmë baltë, ndërsa ata nga balta krijojnë heronj. Mirë gjatë kohës së kaluar, po gjatë këtij 30 vjeçari të famshëm të lirisë demokratike pa kufi (!!!) përse ende të mbetej në baltë kjo arbërore e madhe e përmasave tejballkanike?! Përjashto 2-3 shkrime në vitet 2000-2002, u desh të vinte viti i bekuar 2020 që të na paraqitej i plotësuar profili i Shenjtores së Parë Shqiptare, Shën Angjelinës së Arbërisë e shekullit XV, pas së cilës vjen edhe Shënjtorja e Madhe Shqiptare, Ulliri i Mirësisë Universale, Nënë Tereza Jonë e shekullit XX…

Pamja e dytë: Veçanërisht e pikërisht “kokëforta e kombit”, e paepura, e pakthyeshmja prapa për synimet e mëdha, të larta e të gjera, gruaja shqiptare e cila, deri në harrim të vetvetes, aspiron nderimin e të tjerëve që kanë kontribute të dallueshme, të mira e të dobishme, simboli i gazetares guximtare, e veçanta bijë juaja dhe qytetare jona mund dhe duhej ta bënte këtë punë kaq fisnike e, ndoshta askush tjetër jo!

Për të mirën e kulturës shqiptare, për emancipimin e publicistikës letrare dhe gazetarisë profesioniste, për letërsinë e bukur me të gjitha ngjyrat e jetës, Zenepe Luka edhe sot e kësaj dite është po ajo që ka njohur Dritërori Dritëro Agolli qysh në vitin 1973: “vajzë e gjallë dhe me mendje plot fantazi”. Sot Luka, si gazetare në terren ka të regjistruar mbi 12.000 shkrime të botuara, ku zotërojnë zhanret e intervistës, reportazhit, kronikës, etj. Në shkrimtarinë e saj harmonizohet sipas standardeve të kërkuara profesioni me pasionin.

Angjelina Arianiti Komneni – Shpirti i shenjtë i Arbërisë”, është libri i 18-të i autores, që botohet me rastin e 500 vjetorit të ndarjes nga jeta të Shenjtores shqiptare, e panjohur dhe e pavlerësuar në vendlindjen e saj, në vitin e 18 të kryesimit nga ana e Lukës, si Presidente e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”.

Angjelina, bija e gjashtë e Gjergj Arianitit të historisë apo Gjorgj Golemit të Epikës historike, për jetën e saj të devotshme ajo është shpallur shenjtore dhe nderohet si e tillë nga Kisha ortodokse serbe dhe, tash e 500 vjet, prehet shenjtërisht në Manastirin e Krushedolit në Vojvodinë.  Ka që shtrojnë pyetjet: – Nga ishte Angjelina? Nga Librazhdi, nga Berati, nga Vlora, nga Mallakastra, nga Dibra, nga Kanina, nga Serbia?! … Kush ka të drejtë të krenohet me të?! Unë them, së pari vendorigjina, Librazhdi, Elbasani, Berati, Çermenika, Mokra, Shpati, Sopoti, Vlora, Kanina, edhe Serbia, gjithë mëhalla e Ballkanit. Jo thjeshtë për të hequr një paralele rastësore, shtroj pyetjen: nga është Zenepe Luka nga Dardha e Librazhdit, njëri nga 100 fshatrat turistikë shqiptarë, nga Mokra, nga Elbasani, nga Tirana, nga Kukësi, nga Gramshi, nga Vlora apo nga  Cellino San Marco e Puglias në Italinë e Albano Carrisit?! Bija dardhare dhe mbesa mokrare ka marrë e ka dhënë mirësi edhe në Librazhd dhe në Elbasan, edhe në Kukës e Tiranë, edhe në Gramsh e në Vlorë, edhe në Krushedol e Puglia, edhe në Tërbaçin tim të Labërisë. Ajo, si një misionare vullnetare e Shën Angjelinës nuk i përket vetëm një lokaliteti, një vendlindjeje gjeografikisht të ngushtë; ajo është një krijesë e veçantë ballkanike që i kalon përmasat europiane deri në Kinë… Me të krenohemi të gjithë, sepse gazetare e shkrimtare të klasit Luka i zgjerojnë natyrshëm përmasat e vendlindjes dhe, vetvetiu, hapësirat e krenarisë së motivuar. Pika e dobët dhe frymëzimi i Lukës janë sopotaret me histori, është Golomarja e Gjorgj Golemit, që mjeshtërisht e përjetësoi në baladën e tij liriku ynë i shquar Koçi Petriti. E nëse poeti Koçi Petriti e përjetësoi nënë Marën – Golomare, legjendaren bujare, të ëmën e Gjergj Golemit Arianinit, Zenepe Luka përjetësoi në vendlindjen e saj Shën Angjelinën, të bijën e tij, vajzën e gjashtë të Arianitit, figurës më të përndritshme të shek. XV, ajzbergut historik ende të pashfaqur, zotëruesit të Aulonës, Kaninës dhe Elbasanit, birit të një dere fisnike dhe trimash, që reputacionit të paraardhësve i shtoi reputacionin e vet, nderuar ndërkombëtarisht, si lavdimadh kundër hordhive të tmerrshme osmane. Gjithashtu, shenjtorja Angjelinë ishte e bija e Marije Andrea Muzakës, të bukurës fisnike, të mbushurës me një paqe të veçantë, trupdrejtës së mirëmbajtur me ecje të sigurt, veshur me  rroba të zeza, të prera dhe qepura me elegancë, me flokët e gjatë të thurur gërshet dhe të kthyer në qafë, si dhe një unazë me fytyrën e Zonjës së Bekuar…

Angjelina Gjergj Arianit Komneni u martua në Shkodër më 1461 me një trim serb të verbuar nga sulltani qysh më 8 maj 1441, pas rënies së Smederevës. Ajo e lidhi jetën me fisnikun Stefan Brankoviç, të birin e Gjergj Brankoviç, Despotit të Serbisë dhe të Irena Kantakuzenit.

Po ashtu, Angjelina ishte kunata e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili ishte burri i motrës së madhe, Andronikës/ Donikës, si e njohim ne Zonjën e parë të Arbërisë. Nëse në qytetin e Librazhdit Gjergj Arianitin e derdhi në bronz skulptori Odise Paskali në atë monument epik, të bijës së tij shenjtore, shkrimtarja Zenepe Luka i bëri një përmendore në lëvizje me botimin e librit “Angjelina Arianiti Komneni, shpirti i shenjtë i Arbërisë”, që përurojmë sot.

Nuk do të analizoj figurën e shenjtores së parë shqiptare, sepse e ka gdhendur në monument shkronjor Golomarja e e Re, Zenepe Luka, ndërsa mendimet e ndjenjat e mia janë të botuara në këtë libër dhe nuk e kam natyrë të përsëris të njëjtat gjëra dy herë.

Kjo Zenepe kaq e fortë përballë furtunave të kohërave, që njohim të paktën tash e pothuaj 50 vjet, në fund të fundit, është një njeri, një qytetare, një bijë, një femër, një grua, një nënë. Siç qesh bujarisht bukur, ajo, edhe pse rrallë nxjerr lot, qan dhembshurisht, sa të këput shpirtin për mikeshat e shtrenjta që i mungojnë vetëm fizikisht, që nga Nermin Vlora Falaschi e Violeta Manushi e deri tek Modeli i saj, hyjnesha Zylfie Ymer Çekrezi (lindur në Mokër më 13 tetor 1915 e mbyllur sytë në Librazhd më 4 nëntor 1999). Nuk mund të kuptohet Zenepja pa natyrën krenare, por Luka nuk është mermer. Në hidhërime ajo qan me lot fisnikje, siç di një bijë e mirë për nënëbardhën. Dhe shprehet e malluar denjësisht: “E shtrenjta nëna ime! Jam krenare për ty, jam e lumtur që përmbusha amanetin tënd, pas ndarjes nga jeta. Vetë historia jote, përcjell modelin e gruas mokrare, që përballoi e sfidoi cdo vështirësi e dhimbje që solli jeta. Ti ike duke lënë pas 8 fëmijë, 40 nipër e mbesa e 176 stërnipër e stërmbesa. Nuk të harroj dhe do të nderoj sa të kem jetën e shtrenjta dhe e paharruara Nëna ime!”.

Dhe nga goja e nënës së saj, përcjell mesazhin altruist: “Ti njeri, që kalon këndej, mësoje se jam nënë dhe për ty

Nuk e citova pa qëllim këtë epitaf mbi varrin e nënë Zylfies, sepse vetë Zenepe Luka është një nënë për të gjithë meritorët e kombit, për tërë dritanët e mirësisë edhe tej hapësirave shqiptare, sepse ajo ndërton ura miqësie, nuk ngre mure armiqësie; nuk i than, por i lulëzon kopështet e mirëkuptimit e mirëshkuarjes midis vëllazërive të popujve në mëhallën e Ballkanit. Po nuk e kuptuam këtë mision të lartë, që duhet të realizojmë – mjerë ne, se bota ngroh duart, kur ne si fqinjë jetësorë me njëri-tjetrin grindemi, mbajmë mëri sherrnajash e më keq vritemi e pritemi, sikur do të marrim gjë me vete, kur të ikim, e, fatkeqësisht, duke harruar mesazhin kuptimplotë të Aleksandrit të Madh para frymës së fundit…

Jo thjesht miqësisht, dardharen e Hotolishtit, bijën tuaj dhe qytetaren tonë, Gardianen shpirtërore të Kalasë së Skënderbeut, Mëmëbletën e Shpellës së Shkëmbit të Bletës, viganen, rebelen, sentimentalen, Lukën tonë të dashur, unë e quaj “kokëforta e kombit”. Për përkushtimin qytetar dhe atdhetar shembullor, jo shfaqur për dukje, po thelbësisht mirëshuar në udhëtimin gati gjysmë shekullor fushave, kodrave, shtigjeve, shkrepave, honeve dhe majave të Gazetarisë së Terrenit dhe Letërsisë Shqiptare, shpreh dëshirën, që nga ky takim simbolik e domethënës të formulojmë propozimin drejtuar Presidentit të Republikës, që E Hekurta e Synimit, Zenepe Luka të dekorohet me titullin më të lartë, që u jepet qytetarëve shqiptarë, të cilët me veprat dhe emrin e tyre nderojnë kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit, me Urdhërin e Artë “Nderi i Kombit”.

 

Nga: MSc. Albert HABAZAJ

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s