Nicanor Parra
Kalendari poetik: Nicanor Parra (1914-2018)
Më 5 shtator 1914 u lind Nicanor Segundo Parra Sandoval poet, matematicien dhe fizikant kilian. Vepra e tij poetike pati ndikim të fuqishëm në letërsinë latino-amerikane. Mbahet nga kritika letrare si babai i ‘antipoezisë’ dhe ndër më të shquarit poetë bashkëkohës. Poezia e tij u ndikua nga veprat e T. S. Eliot, Ezra Pound dhe Walt Whitman. Fillimet e tij si poet shkojnë në vitin 1937, pra mbi tetëdhjetë vite krijimtari poetike, prej profesorit të fizikës dhe matematikës, që la gjurmë të thella në poezi dhe jetoi afro 104 vite. Ja shqipërimi i sotëm nga poezia e tij:
ATI YNË
Ati ynë që je në qiell
dhe mban hallet e botës
me ballin rrudhur
si të ishe një prej nesh,
mos e vra mendjen më për ne.
E kuptojmë që vuan shumë
sepse nuk rregullon dot gjë.
E dimë se Djalli të qetë nuk të le,
gjithçka shkatërron, çka ti ndërton.
Ai të përqesh,
por ne qajmë me ty.
Ati ynë, që je atje ku je,
qarkuar me engjëj hileqarë,
sinqerisht,
për ne mos vuaj më.
Kupto dhe Ti
se Zotat të pagabueshëm s’janë,
por ne dimë të falim, gjithçka falim.
© shqipëroi Maksim Rakipaj