Poezi nga Gladiola Jorbus

Poezi nga Gladiola Jorbus
 
 
Abis
 
Midis meje dhe ekzistencës
qëndon një abis i errët, i thellë.
Si mure të pakapërcyeshme
ngrihen emocionet, ndjesitë
që pas nuk kthehen më.
Ndihem Odisea,
në kërkim të Itakës së tij.
Një Penelopë fatkeqe
që besnikërinë e thur
me penj të mëndafshtë.
Përhumbur në ëndrra lunare,
rravgoj në brigjet e dashurisë.
Pakëz prehje a armëpushim.
Të harroj …
vragat e pashlyera të shpirtit.
 
 
Nata e Valpurgës
 
Në natën e Valpurgës
kundërmojnë esencat e pranverës.
Lulekambanat ngjyrëvjollcë
frymojnë të vetmuara.
Të dashuruarat lule presin
që s’i venit harresa,
as i zbeh vetmia.
Ankesat çmendurake
mbushen me fjalë të fildishta…
Nata e Valpurgës ndizet ngadalë.
Të dashurit flenë nën një hënë të plotë.
E zgjohen nën të njëjtin agim.
Indeksi i dashurisë përthyhet
në të kuqen onufriane,
të perdes së mëndafshtë.
Ashtu si korali i zemrës
çel gonxhe të buta,
mbi shpirtrat e ngrysur.
 
 
 
Notting Hill
 
Si fryma e shenjtë
që perëndinë ngjiz.
Si një çast mistik
që dashurinë burgos.
E kupton që një libër të deh,
më shumë se aromat
e një kantine verërash friulane?
Gjithmonë. Kudo.
Në një qytet klaksonësh,
në një lagunë të vetmuar,
apo në Notting Hill.
Dikush, krejt papritur,
mund të shëmbëllejë
si një Hugh Grant çarmatosës.
Dhe romanca të jetë
poezia e jargavantë.
E çelur në pragmuzgun
që shtriqet hutueshëm,
mbi supet e tua.
E ti qesh, shkujdesur,
mes dritës dhe ëndrrës,
me librin në duar.
 
 
 
Uvertura e hënës
 
Mbuzet nata.
Sfera e përkryer
sodit ëndrrat e mia.
Të qëndisura me penjtë e argjendtë
që iu përvodhën qiellit.
Timbrin e zërit tënd
gdhenda mbi violonçel.
Mungesë drite në sytë e mi.
Përgjëruese…
në kufirin imagjinar, ku puthjet ndahen.
Malli më lakohet ndër duar.
I pezullt – qëndron mbi gishtërinj.
Dhe uvertura në do minor,
si tingujt e shpirtit ngridhet.
 
 
 
Skllave dëshirash
 
Skllave dëshirash të paduruara.
Mbretëresha e kështjellës së vanitetit.
Tekanjoze dredharake.
A s’të kanë quajtur
gjithnjë kështu?!
Ngrica e lotëve të rëndon
mbi brishtësinë e qepallave.
Kush e përdhosi fërgëllimën tënde?!
Kush e tradhëtoi dëlirësinë e syve të tu?!
Me dhëmbë, klithma e thonj,
do të shqyeja një për një…
Hipokrizinë e klisheve shekullore,
historinë e gjatë të vuajtjes,
madhështinë e turpit dhe të përskuqjes.
Femër në agoni.
Feniks shpirtbraktisur.
Pranverën rikthe në jetë.
Duaje veten,
më shumë se ç’të përbuzi fati.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s