Kur ndërronte fustanet…! / Tregim nga Rudina Muharremi Beja

Kur ndërronte fustanet…!

 

Tregim nga Rudina Muharremi Beja

Edhe hëna kishte vënë unazë të artë përreth siluetës atë natë shtatori të 22 – viteve më parë. Do kapërcente pragun e yjeve e të shkelte tek portat që i kishte caktuar Dielli. Portë e bardhë, me qemer të lartë dhe kanate që e ftonin të hynte brenda.
Mëngjesi zbardhi shpejt dhe të gjithë brofën në këmbë. Secili do të ndiqte angazhimet e veta në pregatitjet e rastit. Vetëm i ati nuk u ngrit, s’lëvizi dot. Atë ditë ai ishte zgjuar më i sëmurë se kurrë. As këmbët s’i bindeshin e vetëm ndiente dhimbje. Ajo ndaloi frymën ca çaste e iu afrua tinëz për të kuptuar diçka, kurse e ëma i hodhi një vështrim të rrufeshëm.
Imagjinoi … Ishin ditët e fundit të jetës dhe gjendja keqësohej çdo minutë. Sakaq disa gra kishin nisur rregullimet dhe pastrimet, sepse dasma do të bëhej gjithësesi! Sytë i shkuan tek njëra që me një bisht fshese të gjatë vazhdonte të hidhte poshtë me ngut folenë, ku çdo pranverë priste dallëndyshet të vinin vezët, të rritnin të vegjlit e tyre, për të shtegëtuar më pas viseve të ngrohta.
Qielli ishte ngjethur agut të asaj dite e retë laheshin pikërisht mbi atë kodër, që etur i mblidhte dhe shtrëngonte për shi.
Dielli u fsheh pas tyre, koha terrej, ndërsa koridorit të angësht dëgjohej vetëm britma e tij që priste të mbërrinte mjeku.
Në portë u shfaq parukierja që do bënte grimimin e nuses. Vajza kishte vendosur të shmangte çdo gjë mondane…, i ati po jepte shpirt dhe asaj asgjë nuk i hynte më në sy. Lotët rrëshqisnin në faqe, ndërsa flokët dukeshin sikur nuk donin të bindeshin, por derdhnin trishtimin dallgë fshehur brenda shpirtit. Gjyshja sakaq ishte afruar dhe çuditej dhe më shumë me format që donte të jepte parukerja.
-Mos ia ngatërro çupës flokët me asisoj marifetesh, duke parë me përçmim lule kordele e karfica mbi kokën e saj. – Është princeshë ajo – dhe i ngjeshi në kokë një kurorë të bardhë me perla e gurë të shndritshëm.
Parukierja s’merrte frymë nga klima therëse e i bindej dëshirave të tyre, gjë që nuk i kishte ndodhur asnjëherë.
-Shko bijë – i tha e ëma, që sapo i mbërtheu zinxhirin e fustanit e i hodhi mbi fytyrë vellon e bardhë. Të ka nëna si zanë mali, shko tek yt atë të të shohë nuse…
Mbërtheu sandalet e bardha me taka e u nis të kapërcente atë koridor, që i ngjante një honi të thellë e dukej sikur ndante jetën me vdekjen.
Ai nuk vdiste pa e parë të bijën nuse, megjithë sëmundjen agresive që e kish përfshirë dhe nga minuta në minutë priste ta rrëmbente. Ja kish arritur asaj dite. Përfundimisht po e shikonte vajzën e tij të vogël me fustan të bardhë.
I ati rrëzoi vështrimin mbi bardhësinë e tij, më pas në kurorën e flakëruese. E kuptoi që e bija do të shkonte nuse .
Ngashërimi që nuk mund ta shoqëronte dot çau qiellin dhe me atë pak frymë që i kishte mbetur, belbëzoi;
-Ma bëj hallall bija ime, se të kam lodhur e mërzitur shumë. Dhe në këtë ditë nuk arrita të të gëzoj dot. Eja të të përqafoj princesha e babait. Faqebardhë, si e ka nderi dhe tradita e familjes tonë. Bekime bija ime!
Ajo ngriti vellon, u perkul para tij dhe ai e puthi në ballë. Në atë çast plogështie, ajri jehoi zhurmën e daulles, klarinetës e , fizarmonikës, që i prinin treqind dasmorëve të ardhur për ta marrë. Ai e dëgjoi, u ngashërua sërish dhe i përsëriti:
Shko bijë, shko!
E ëma i bëri shenjë të zhvendosej, ndërkohë dikush kishte ndalur krushqit përtej derës së oborrit.
Ndaloni çdo këngë, kemi mort këtu.
Tonet e forta të ngjyrave të dasmorëve u murosën në drithërimën, që i përshkoi e në fjalët që beftas zbrazën dhimbjen, ndërsa një ylber rrëzëllitës përpiqej të vizatonte pak ngjyrë në qiell.
Kapërceu orën e dajos, si e donte adeti, pragun e vështronte andej nga vinin rënkimet që shponin ashtin.
E shoqëroi vëllai, dajua i madh dhe qeni besik. Mbërriti në krahët e tij dhe vuri re gjyshen e saj.
Kishte vajtur t’i thoshte fjalët e të birit që atë mëngjes nuk mundi ta çojë të bijën në altar.
-Amanet vajzën djalë i mirë!
Ai zgjati dorën e puthi në ballë dhe dorën tjetër e vuri në zemër. Përkuli kokën në shenjë respekti e mirënjohje për të gjithë ata që qenë prezent.
U nis me të treqind dasmorët, që sapo kaluan rrugën vijuan të festojnë me këngë e valle.
Qeni besnik s’ju nda turmës dhe e kërkonte me sy, madje e shoqëroi deri tek shtëpia e të shoqit, ndërsa asaj si shqitej nga mendja zonja që prishte folenë e dallëndyshes.
Pa mbërritur mirë erdhi lajmi se i ati ishte keqësuar shumë e ajo me ngut do të ndërronte fustanin…!

6/09/2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s