Poezi nga Gladiola Jorbus

Poezi nga Gladiola Jorbus
 
 
Vetmia
 
Vetmia është një frikë e fshehtë.
E hutuar, herë – herë e pavlerë.
Si një kartëmonedhë e grisur,
e shkelur, e çjerrë.
Vetmia është një faltore
e përvuajtur, e ngratë.
Me zemra që dergjen
e kallafaten çdo natë.
Mbushulluar me lutje
e dhembje të pashpresë.
Si dilemë shekspiriane-
Të rroj a të vdes?!
 
 
 
Oblivion
 
Ëndrrat e çmuara fluturojnë
në drejtim të horizontit.
Përtej shikimit, përtej prekjes,
venitur butësisht nga puthja e diellit.
Murmurima ekosh të harruara…
 
Gjithçka ka një fund.
Të gjithë do të plandosemi në errësirë.
Si mjeranë të dëshpëruar
me duart zgjatur në humbëtirë.
Pa përgjigje, pa të nesërme.
Murmurima ekosh të harruara…
 
Të brishtat zemra – dritëshuara
Më s’do t’i këndellin sytë,
në agime të purpurta,
a perëndime të vagëlluara.
Asgjë nuk do të mbetet për të treguar…
As këngë dhe as balada me gulçima dashurie.
Veç oblivion, murmurima ekosh
dhe klithma të shurdhëta marrie…
 
 
 
Xhelozia
 
Xhelozi,
Një grackë qerthulluese
Në ishullin tënd të shkretë
Ku vuan e dergjesh
i vetëm ti.
Më patetik, më qesharak
Se një fëmijë.
Robërohesh nga xhelozia
Për sytë e të panjohurve,
Që tinëzisht përvidhen
mbi kurmin e saj.
Për erën e marrë
që i flladit flokët,
për shiun dhe diellin
që luajnë lagaterën
me qenien e saj .
Kështu, xhelozia
bëhet thurimë për ty.
Si muret e pakapërcyeshme
të një kështjelle gotike.
Dhe sytë përpëliten nga dyshimi.
Në tymin e cigareve
që ndez dhe shuan pareshtur;
I zhytur në nervozizmin tënd,
mjegullohen premtimi, dashuria,
besimi.
Dhe e gjithë ç’ mbetet
është hiri i një
heshtjeje brejtëse
e frika:
Se mos ndoshta atë,
dikush tjetër
më fort e do?!
Apo më keq akoma…
Në mos,
e dashuroftë dhe Ajo.
 
 
 
Buzëqeshje
 
Një femër është hibridi
midis gruas dhe nënës.
Pas ninullës dhe puthjes
mbi krye.
Ajo nis të dëgjojë
rrahjet e zemrës së saj.
Dhe gjumi e mbështjell
me flatra tyli.
Si mijëra gjilpërëza
që natën përshkojnë.
Mendimet e heshtura
I lexohen mbi ballë.
Teksa fryma nxiton të regëtijë.
E buzët reflektojnë
një buzëqeshje të qashtër, plot dritë.
Buzëqeshje që ndihet
në tokë, në qiell, në shpirt…
 
 
 
Vikingu
 
Vikingu në tablo
i ngjante Odinit.
Me sy të egërsuar
Që buzëqeshjen s’e njihnin,
në ditët që pas netëve strukeshin.
Vikingu ushqehej
me salmonin e liqenit Vanern
Dhe nëntë bijat e tij
U ngjanin valkirive.
Vikingu në tablo shkruante
Për një grua, por jo të tijën.
E kish parë diku
Dhe zemra i qe dridhmuar.
E kish zhveshur me sytë e shpirtit
Dhe i kish rrëfyer histori
Të lavdishme për jetën prej pirati
Nën yjësitë e pamposhtura.
Më pas kish pikturuar mesnatën
Që dremiste në flokët e saj,
Diku matanë akujve,
Në suazat që me qiellin shkriheshin
E bëheshin një.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s