Blaga Dimitrova
Kalendari poetik: Blaga Dimitrova (1922-2003)
Sot, më 2 janar, është data e lindjes për Blaga Dimitrovën, poete, shkrimtare, eseiste e njohur bullgare. Pasi u diplomua për gjuhësi sllave në universitetin e Sofjes, në vitin 1945 shkoi në institutin Gorkij në Moskë ku mbrojti doktoraturën me një tezë mbi Majakovskin. Ka qënë dhe përkthyese zyrtare nga greqishtja e vjetër, rusishtja, polonishtja, suedishtja, gjermanishtja dhe vietnamishtja. Shkroi kryesisht poezi lirike, larg nga politika e kohës. Kur filloi demokratizimi i vendit qe ndër themelueset e komitetit për mbrojtjen e mjedisit dhe themelimit të partisë Bashkimi i Forcave Demokratike. U zgjodh zëvendës presidente e Bullgarisë në vitin 1991. Qëndroi në atë post deri në vitin 1993. Por s’qe llumi i politikës për të:
“S’ke të drejtë të gënjesh
edhe sikur për shaka të jetë…”
…kështu shkruante Dimitrova në një nga poezitë shkruar pas viteve ’90. E zhgënjyer nga politika, dha dorëheqjen nga posti dhe u mor vetëm me shkrimet e saj deri në fund të jetës. Vdiq e nderuar më 2 maj 2003. Për të përkujtuar poeten bullgare, përzgjodha këtë poezi nga shqipërimet që kam prej saj:
ARS POETICA
Çdo poezi tënden gjithmonë
bëje sikur e fundit të jetë.
Në këtë shekull mbingopur me stroncium
me terrorizëm mbushur
me fluturime supersonike
dhe ku terrorizmi gëlon
vjen vdekja më shpejt nga ç’e mendon.
Çdo fjalë tënden thuaje
si të fundmen para pushkatimit
si klithmë në mur të burgut gdhëndur.
S’ke të drejtë të gënjesh
edhe sikur për shaka të jetë.
Sepse as kohë nuk do të kesh
lajthitjen ta ndreqësh vetë.
Shkurt, saktë dhe pamëshirë
çdo poezi me gjak ta shkruash
sikur të jetë për lamtumirë.
© shqipëroi Maksim Rakipaj