Poezi nga Lida Lazaj
NE, ISHIM TRIDHJETË
Ne
ishim yje,
që s`kishim pikuar prej qiellit,
por ishim tridhjet fëmijë,
sjellë nga dashuria
e selitur në jetë me mund dashuri
nga duart e prindërve.
Ne, ishim tridhjetë fëmijë,
që s’kishim supermarket lodrash,
por një univers dëshirash dhe ëndërrash,
të madh sa qielli ku kryqëzoheshin
jehonat e këmbanës së kishës së Shën Pjetrit,
jehonat të kishës së Shën Gjergjit
dhe tingëllonin yjet.
Ne, ishim tridhjetë fëmijë,
që lidheshim zemër më zemër
dhe lodronim rreth bredhit
që na vinte dhuratë,
i zbukuruar me lepurusha e ketrusha
nga thellësia e pyjeve.
Ne, të tridhjetë
pikturonim me yje,
e skiconim në blu shtigjet,
ku do të kalonin drerëtbriartë.
A e dini, se Santa Klausi
më gjatë se kudo nëpër botë,
qëndronte në qiellin tonë, të piketuar
prej Gurit të Vjeshtës e Gurit të Rahut,
Kishës Shën Thanas
e Kishës Shën Pjetër?
Ne, tridhjetë fëmijë ishim,
që lodronim me yje dhe dëborë
e rriteshim me bukë Perëndie!
Ne jemi
tremijëetreqindetridhjetë palë sy,
të kthyer nga vendlindja.
EDHE PAK
Edhe pak
edhe pak të rrimë brenda guackës së këtij çasti
që nuk i ngjan askujt
që buzët tona qumështore
se dinë si emërtohet.
Rrimë dhe pak
nën këtë qiell
që shkund yje, aroma fëmijërie e letra bore.
Rrimë dhe pak
pas pak nga bisku i një vetëtime
do nyjëzohet ikja
dhe si dhëmballë e krimbur
brenda një goje
do ngujohemi në ajrin e ndenjur
të një dhome
ku objektet, njerëzit e sendet
kryejnë ritualet monotone me përpikmëri.
Rrimë dhe pak
madje a mund ta rrisim edhe pak
kët’ grimëz kohe?
Rrimë dhe pak fryma ime, rrimë dhe pak.