Abilio Estevez
Kalendari poetik: Abilio Estévez 7 janar 1954
Sot, më 7 janar është data e lindjes për shkrimtarin dramaturgun dhe poetin kuban, Abilio Estévez. Ka studiuar në universitetin e Havanës gjuhë dhe letërsi spanjolle dhe më pas filozofi. Romani i tij i parë, “Tuyo Es El Reino” (“Jotja Është Mbretëria”) u prit mjaft mirë edhe jashtë Kubës, Në Francë, Estévez u përshëndet si Proust i Karaibeve. Në vitin 2000, duke mos duruar dot më regjimin kastrist mërgoi në Spanjë, ku pas katër vitesh mori shtetësinë spanjolle. Ja një poezi nga Estévez:
KUNDËRSHTIM
Nuk ka thesarë atje, thonë shtegtarët që kthehen.
Qëndrojnë aty, buzë rrugës, në breg të detit, lumit,
të pagjumë dhe pa mundur të prekin ujët, qelben
dhe si në jerm, të trembur horizontin tregojnë.
Nuk ka thesarë, thonë dhe mbyllin sytë, thyejnë
bastunët dhe shëmben përtokë papritur.
Nuk luten, nuk përgjërohen më. Qielli nuk përgjigjet
dhe shpresa as ndër ëndrra s’kanë.
Doli gënjeshtër historia e anijeve të mbytura me thesarë.
Nuk ka qypa me florinj në fund të oqeaneve,
me arin e oborreve, me rubinë,
smeraldë dhe kurora të perandorëve të zhdukur.
Nuk ka vezullim të tyre mes peshqve,
përsëritin, si në jerm, shtegtarët që kthehen.
S’u hyn më në punë përse janë munduar, cili u prishi mendjen,
ç’djall qe që shoi mes leshterikëve
shkëlqimin e arit dhe gurëve të çmuar.
Ti ndalesh një çast.
Nuk ka thesarë, klithin të dëshpëruar.
(Mos e kthe kokën. Mos i vështro ata sy të zbrazët.
Mos dëgjo se ç’thonë. Rruga është e gjatë, s’kemi kohë për të humbur.)
© shqipëroi Maksim Rakipaj