RIKTHIM NË ATDHE / Tregim nga Rudina Muharremi Beja

 
Tregim nga Rudina Muharremi Beja
 
 
 
RIKTHIM NË ATDHE
 
Ishin të rralla herët që shkonte me pushime, sepse kompania ku punonte nuk mbyllej asnjëherë dhe lejet që merrte nuk korrespondonin pothuajse kurrë me ato të bashkëshortit.
Kështu ndodhte në më të shumtën e rasteve e gjithmonë kishte pakënaqësi mes kolegëve.
S’ kishte marrë pjesë në asnjë festë familjare, të cilat kryesisht zhvilloheshin në muajin Gusht.
Atë vit asaj i’a dhanë pushimet me 3 Korrik.
-Hm, as këtë rradhë s’mi dha në Gusht, mbyste me vete një psherëtimë ndërsa nga ana tjetër punëdhënësja që lexonte zemërimin e saj të brendshëm, zëvendësonte mungesën e sqarimit me të njëjtën buzëqeshje…!
Shkollat sapo kishin mbaruar, ndërsa i shoqi s’ bëhej fjalë të largohej nga puna, sepse sapo kishte filluar punë në një firmë tjetër dhe i duhej të fitonte besimin e pronarëve të rinj.
Në vendlindje kishin disa punë të lëna pas dore ndërsa kompania që ndërtonte pallatin ku kishin blerë një apartament i kishte njoftuar të shkonin të merrnin në dorëzim banesën dhe të kryenin proçedurat e rastit.
Gëzimi ishte i papërshkrueshëm. Më në fund do të kishin një shtëpi të tërën për vete.
Pasi diskutoi me të shoqin vendosi të nisej. Do të udhëtonte me avion dhe me këtë rast do takonte dhe të afërmit e saj.
-Do vij dhe unë, ia priti vajza që sapo kishte kryer klasën e tetë .
Ajo u kthye, e vështroi butë si për t’i thënë se nuk ishte momenti i duhur.
-Qëndro me babain, nuk është e lehtë për mua të kryej gjithë angazhimet që kam – i tha ajo.
E bija e dinte se shtëpia ishte pranë detit dhe mezi priste ta shihte, madje do të zgjidhte dhe dhomën që i përkiste…!
-Si të duash, vazhdoi më pas, vetëm se duhet ta dish që ky udhëtim është një sakrificë e vërtetë
Vajza me një guxim të paparë nguli këmbë në të sajën dhe nuk tërhiqej.
-Do të vij dhe pikë, nuk të le vetëm.
Ajo vuri buzën në gaz dhe s’mendoi më gjatë. Bleu dy bileta vajtje-ardhje dhe i tha të bënte gati valixhen.
Të nesërmen i shoqi pasi kishte mbaruar punë i shoqëroi në aeroport. Nisja qe e vonë. Do të mbërrinin atje në orën 22.00.
-Njoftoni dikë që t’ ju presë atje- tha ai.
-Po po, i’a priti ajo dhe i ktheu të puthurën me ngut.
Ishte hera e parë që udhëtonte pa të dhe ju duk disi e çuditshme. E pa me bisht të syrit tek i lëmonte flokët të bijës dhe e puthte në kokë.
-Më njofto për gjithçka, i tha ai dhe kujdesu për mamin.
Një lot i zbriti tinëz dhe u mallëngjye për një çast tek ndiqte atë skenë.
-Kujdesu për veten – tha ajo dhe me një pëshëdetje me dorë kaloi portën për të hyrë tek kontrolli e më pas tek terminali i udhëtarëve.
Iu duk se kishte lënë atje një copëz prej vetes, por tashmë ishte vonë…!
Avioni u nis një orë me vonesë dhe mendoi se nuk ishte rasti të shqetësonte njeri.
Do të gjente ndonjë taksi.
Lexoi gjatë gjithë udhëtimit dhe as që e kishte vënë re orën, vetëm kur dëgjoi kapitenin e bordit që njoftoi për mbrritjen dhe temperaturën jashtë.
Nata ishte pis e errët dhe një drithërimë e pushtoi befas.
-Mami kush na pret, foli e bija, dhe nga mënyra e vështrimit të saj dukej se priste me ngut një përgjigje.
Ndenji një çast në mëdyshje e më pas i tha që të mos shqetësohej duke i shtrënguar më fort dorën.
-Jemi dy shoqe të mira, apo jo,?!
Do të kënaqemi së bashku.
Në dalje, rrotulloi sytë majtas djathtas për taksi, por beftas ndërroi mendje. Frikohej pasi me vete kishte vajzën dhe të holla që duheshin për të berë pagesat e nevojshme atje.
-Do të marim një makinë- tha, dhe pa u menduar dy herë i’u afrua sportelit ku jepeshin me qera.
-Ju lutem më jepni një makinë për dy javë me qera dhe mundësisht të mos ketë probleme?
-Po- iu përgjigj një burrë me një vështrim pothuaj qortues e me një fytyrë që s’ishte e aftë të pillte një buzëqeshje
-Kujdes zonjë i tha,këtu është një katrahurë e vërtetë
E bija s’i kuptoi të tëra fjalët, por kuptoi frikën në sytë e së ëmës
A, jo, jo! , foli ajo. Unë po e marr për qetësinë time, por ka ardhur im vëlla të më marrë.
– Mirë zonjë, ia priti tjetri duke mos i besuar natyrisht, vetëm bëj kujdes!
Ajo mori çelësat, vëzhgoi për pak çaste makinën për njohje, ndezi motorrin dhe fluturoi në rrugën drejt qytetit të saj.
Rruga ishte pa drita e me sinjale të rralla dhe makina sapo kishte dhënë shenjë të kuqe për naftë.
“Eh bela” teksa i afrohej me ngadalë një distributori.
Uli xhamin, pagoi me euro pa pritur kusur, por në nisje makina nuk ndizej.
U detyrua të zbrite dhe paksa e frikësuar dhe me ndihmën e puntorit atje ndezi makinën dhe mbërriti në shtëpinë e nënës e përmalluar por dhe e tronditur.
Kishte mbetur e gozhduar duke mos i besuar syve.
-Po ju? Nga vini? Vetëm jeni? Ku është yt shoq?
Njëmijë pyetje pa përgjigje e më pas u kujtua të përqafojë të bijën.
I shpjegoi ngadalë asaj gjithçka dhe pasi hëngri diçka të lehtë u shtri të flinte.
Të nesërmen mori rrugën për në qytet. Do bënte dokumentat e shtëpisë dhe rinovimin e pashaportës. Zuri radhë në komisariatin e qytetit dhe priste ta thërrisnin.
U ndje keq për një çast, ndjeu fytyrën ti mpihej, u përfshi nga një ndjesi të vjelli dhe gjendje të fikti.
E bija e trembur kërkoi ta ndihmonte, por pa rezultat. Kur pa një burrë me uniformë të afrohej u qetësua disi dhe mendoi se më në fund ai do kujdesej për nënën e saj.
-Thërrisni një ambulancë ju lutem, kishte folur vogëlushja me një shqipe të sforcuar, por ai ishte egërsuar në fytyrë dhe u kishte dhënë urdhër të iknin nga aty.
-Nuk mund të qëndroni ulur e as të villni mbi bar, kishte bërtitur ai.
Atje në radhë iu lutem …!
U habit edhe më shumë nga kjo sjellje dhe nuk e konceptonte kurrsesi këtë mënyrë komunikimi.
Gjithësesi ajo mblodhi forcat, mbajti radhën dhe kur dëgjoi numrin u përgjigj me një fije zëri.
Vajzat me uniformë dhe buzë të kuqe si trëndafil e këmbë të trasha e të bardha nën minifunde qeshnin.
Ajo s’ kuptoi dhe vazhdoi të ndiqte proçedurat që i kërkoheshin
-Eja pas 12 ditësh, i foli njëra, atëherë do të jenë gati dhe pëllciti një flluskë çamçakëzi me një zhurmë neveritëse.
Mori udhën për në shtëpi duke menduar sjelljen e keqe të burrit me uniformë në shërbim të qytetarëve e vajzava pas atij banaku të gjatë e të xhamtë, kur makina u fik përsëri…
“Hej bela”, tha me vete dhe vështroi pozicionin ku gjendej.
Një metër më poshtë një humnerë priste me gojë hapur dhe vdekja e sigurtë natyrisht.
Instiktivisht i kërkoi të bijës të zbriste dhe ajo do të përpiqej të vinte në lëvizje sërish atë mjet difektoz.
Harroi sjelljen e keqe të nëpunësve që kishte takuar, mblodhi veten dhe shkuli me sy mbyllur atë makinë të djallosur nga buza e asaj humnere e me bisht të syrit pa të bijën që ishte ngjitur në sedile e s’kishte pranuar në asnjë mënyrë ta linte vetëm.
Ndjeu gjoksin t’i gufojë në një moment kaq absurd, por edhe fuqinë për të vazhduar përpara.
Ohh, bota do të bëhet më e mirë,
i pëshpëriti ngadalë vetes duke marrë frymë thellë, tek dëgjonte të rënat e një daulleje e një zë rrënqethës që thërriste Ezanin…!
 
15 /01/ 2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s