NJË LETËR REXHEP SHAHUT… (për librin poetik “Lis i vetëm në fushë” të poetit Rexhep Shahu) / Nga: Vaid Hyzoti

 
NJË LETËR REXHEP SHAHUT…
(për librin poetik “Lis i vetëm në fushë” të poetit Rexhep Shahu)
 
Normalisht kjo leter duhet te ishte falenderimi dhe me shumë mirënjohje për begenisjen që më bëre për librin e derguar. (nga Tirana në New York). Por duke ndjekur e kundruar “Lisin…” për çdo ditë, duke numëruar degët, fletët, zogjtë, qiellin e mje…rgullt në kurorë, duke i parë rrathët në ndonjë degë të këputur, duke parë selitjen e foleve në nyje, më erdhi të qortoj haptazi, për gjendjen që më solle, që çuditerisht më gjeti të njëllojtë.
Në fillim dhe në përshtypje të parë, duke e parë thjeshtë si një pemë lartësish, mendova vendlindjen. Më erdhi ndërmend Agim Spahiu, për të cilin me 10-vjetorin e ndarjes fizike, pata ndenjur gjatë në botimet e tij, ndeza qirinj nderimi për atë poezi të rrallë.
Me pas shfletova e kërkova sa munda për mikun që të shoqëroi tek unë, Izet Durakun dhe poezinë e paktë që munda të gjej për të.
Të dy këta i kam njohur nga afër dhe ruaj një konsideratë të mrekullueshme, tepër të përforcuar nga krijimet e tyre.
E ti që më sjell ndërmend miq aq të mirë, mos thuaj që s’njihemi. Se askush nuk do ta besonte.
Nga ana tjeter, mendoj që ai mal i pagëzuar poetikisht “Pikëllimë”, ai Drin dykolorësh që t’i ka përkundur ëndrrat që në lindje, ajo copë mjergulle e gjithëgjendshme në vendlindje e që rri si plis në krye të maleve, ajo rendje për të njohur e kapur çdo cicërimë e çdo rreze shprese, të kanë bërë poet.
Është së pari vendlindja qe ti ke ditur ta tresësh e të vijë organikisht në poezinë tënde Rexhep, që të jep ëndrrën, trishtimin, krenarinë, gëzimin dhe fjalën e matur. Poetët luajnë me fjalën. Poetët luajnë se duan dhe mbeten disi femijë. Pa këtë lodër kurrë s’do vinte kaq e pastër dhe e ndjeshme poezia jote.
Madje, ti luan rëndë dhe me të pathënën, përcjell një imazh dhe na perfshin dhe ne në lojë. Shoh lisin buzë greminës dhe trupin tënd (dhe timin) të varur atje. Në u thyeftë dega, bie në hon, në fryftë shumë murra, të thanë e të ngrin, të kthen në copë akulli e të hedh në Drinin e Bardhë e ai të përkund e të merr me vete.
E Drini, si gjithë lumenjtë, derdhet në det. Atje ku ti rri në pritje, herë si murg, herë si dashnor i marrë, me një durim sizifian, në pritje të së dashurës, derisa deti të shterrë…
Poetët flasin me vete. E thënia e popullit që, kush flet me vete është i marrë, nuk gjen vend këtu. Poetët si ti, flasin me vete, përjetojnë dhimbje të pamata, e na marros ne lexuesve, na marros të gjithëve.
Rrallë herë gjen në poezi një dhimbje të tillë për babain, të ngurtësuar në lakonizëm absolut “…po plakem femijë / pa ty”…
Ka aq shumë gjetje ajo autobiseda kushtuar R . Kiplingut tek poezia “Ne mundsh”, sa marros këdo që e lexon. Se poezia jote, miku im, rri aq gjërë në hapsirën e dimesionit njerezor.
Dhe kur nuk has njerëz, sy dhe veshë që të të ndjekin, të të japin një shenjë gjallimi, ti harron vetën në atë mizëri e shkon e kërkon diku tjetër….
Megjithë mjergullën që rrallë daravitet, megjithë dhimbjen që shpesh të krijon gulçe, i gjithi “Lisi…” vjen me një aromë njerzore, ngjan si pemë dashurie për njeriun, për ëndrrën për të.
Blerimi dhe farfuritja e gjetheve që krijojnë poezitë e dashurisë, (jo vetëm ato intime që vijnë me një trajtesë origjinale), të bëjnë ta duash këtë pemë të bukur.
Të bëjnë të vuash e të mbetesh gjatë rob i përjetimeve të tua të rralla, Rexhep Shahu.
Dhe unë jam një prej robërve të pikëllimit tënd poetik…
 
12 Janar 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s