Poezi nga Sahit F. Osmani

 
Poezi nga Sahit F. Osmani
 
 
URIMI
 
Urimi më erdhi me ngricë dhe acar
Brymë e pjalm trëndafilave të zemrës
E kuptoja largësinë por jo dhe ndarjen
Klithnin fjalet e plagosura vargjeve
 
Nën dritën e diellit lëngonte zemra
Nga mbarimi i gjërave të shenjta
Që orvateshin të arrijnë lumturinë
Dallgëve të jetës, pambarim…
 
Mrekulli nuk është që të shpresosh
Kur në festë të tendoset zemra
Por dashuri e saj që të jepë forcë
Dhe përtej vdekjes bën që t’jetosh
 
Urimi u derdh trëndafilave të zemrës
Brymë e fjalëve mbuloi ndarjen
Të ngrirë memece mbetur vargjeve
Duke kujtuar dashurinë e largët.
 
 
 
LAJTHITJE
 
Më lajthitën vargjet me perçartjen e tyre
Tendosen emocionet nga goditja shpirtërore
Kur ligjet s’janë të natyrshme sjellin dhunti
                                                            misterioze
Mbërthyer mbahem pas germave me peshën
                                                          e dhimbjeve
 
Nuk më zë besë as dashuria s’kam se si ta bind
I shpreh dhimbjen time më çon tejpërtej…
Ç’farë t’i kërkoj më shumë nga ky shtrëngim
Më ka mbërthyer zemrën s’kam se si ta shqit?!
 
 
 
PËRMES GABIMEVE
 
Nëse përmes gabimeve kam humbur
Kjo nuk do të thotë që fitimtare je ti
Doja të isha më i veçantë se të tjerët
Me pastërtinë shpirtërore pa djallëzi
 
Mosmirënjohja jote më ka dëshpruar
Të pata mbrojtur mos t’biesh në kurth
Yllin që e meritoje kishe për ta gjetur
Jo te ata që të përqeshnin marrëzisht
 
Më le me një dhimbje të vetëveçuar
Ti drejt vetmashtrimit tani po endesh
Kurrë s’ke për ta gjetur yllin e merituar
Gabimet nuk të lënë që të rikthehesh.
 
 
 
E ZGJEDHURA IME!
 
Nuk do ta shqiptoj fjalën”lamtumirë”
ajo prehje le të gjejë aty ku ka rënë
si një gjethe vjeshte e tretur në rërë
valëve të detit a brigjeve pa shpresë
 
Në një pikë a pluhurin ku qëndron
kudo që ekzistencën ajo dëshmon
“mirupafshim” i pëshpërisin buzët
e me zemër të vërtetën përcepton
 
Fisnikëria e shpirtit më kthen tek ti
me qëllimet edhe ndjenjat e pastra
porta më mbyllet në vetvete përsëri
si mik i shtrenjtë zemrës t’i trokita…
 
Ti e mira që m’shërben si shembëll
ndaj të këqijve se si të nxjerr mësim
unë të flas, ti me heshtje përgjigjesh
e zgjedhura ime që frymon në poezi.
 
 
 
NË GJERDANIN E VARGJEVE
 
S’i fshin dot kujtimet me gomën e urrejtjes
çelësi i mban mbyllur në dryrin e peshores
çdo çast jete matet e shndërrohet në vepër
tē mirat e t’ligat bashkëjetojnë në mes vete
 
T’i flet me të sotmen e dashurisë së rastit
në mendje të shkëlqen kyç i shndritshëm
që hapej dhe mbyllej me syrin tënd diellor
e ngulitej në zemër nga dashuria e pastër
 
Në çdo germë ka pikuar lëng shija e gjuhës
dhe është rrokjezuar me bukurinë e fjalës
ai lot që të pat rrëshqitur si perlë ka mbetur
në gjerdanin e vargjeve t’i rrezatojë kohës!
 
 
 
KA SY
 
Ka sy që shfaqin forcën e shpirtit
Ka sy që shikojnë dhe përtej territ
 
Ka sy që kullojnë dhe japin dritë
Ka sy që të ngjallin t’merr e frikë
 
Ka sy që u dalin lotë nga gëzimi
Ka sy që derdhin lotë hidhërimi
 
Ka sy që si vesa në lule shkëlqejnë
Ka sy që buzëqeshin dhe këndojnë
 
Ka sy fluturues si zogjtë e qiellit
Ka sy të verbër si rrathët e ferrit
 
Ka sy që e shohin botën sy më sy
Ka sy që se shohin vetveten e tyre
 
Ka sy, si vëllezër në të njëjtën kokë
Si lë hunda ta shohin shoqi-shoqin
 
Ka sy që dhurojnë dashuri për dashuri
Ka sy që shikojnë me urrejtje e xhelozi
 
Ka sy, sa hapen e mbyllen, jeta fiket
Ka sy, që shpirti i dashurisë ndizet. .
 
Ka sy…!
 
 
 
KOHË DIMRI
 
Në qiell ndriçon dielli
Rrezet bien në tokën e mbuluar me borë
Ditë dimri, e ti në mendje më kthehesh
E shtangur nga të ftohtët
Shkujdesur e mbështetur për kraharor
 
Mbi flokët e bukura që rrezatonin ar
Gëzimi i dashurisë sikur ishte stolisur
Duart e tua të njoma lumturinë kishin thurur
Dashuria në kohë dimri shkëlqente në fytyrë
 
Shkëlqente si borë e bardhë përmbi tokë
E stolisur me rrezet diellore nga lart
Nga shpirti yt flladi dilte i ngrohtë
Vuajtjen time e kthente në dëshirë
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s