Shtëpia Botuese “JOZEF” publikon vëllimin poetik “Arie t’krisuna” të autores Desantila Qerimaj

 
Shtëpia Botuese “JOZEF” publikon vëllimin poetik “Arie t’krisuna” të autores Desantila Qerimaj
 
Titulli: Arie t’krisuna
Autore: Desantila Qerimaj
Editor: Jozef Radi
Shtëpia Botuese: “JOZEF”
 
Nji natë u ula buzë shtratit e përballë vedit në provë. Ishte dimën i vjetit 1994. Shkrova “Gjana në vargje”, për rrugën e fëminisë e adoleshencës që m’fliste nëpërmjet dritores t’nji dhome gjumi ku andrrat s’kishin emna as ftyrë, vetëm imagjinatë t’pakjartë. Ato fjalë nuk ekzistojnë má askund, me tanë përpjekjet e mia me i ruejtë nëpër portofolat e panumërt t’jetës. Por vetvetja që kërkova mbet. Rreth ngjarjeve të shumta t’jetës gjej nji emnues që përcakton anën ma t’ngrohtë temen, ftuese, t’heshtun e t’zhurmshme, qiellore, tingullore, mistike e t’panjoftun por edhe ma kapriçoze. Poezia. Në ndjehet a shkruhet, s’ka randsi…
 
Nji ndër ngjarjet që kujtoj shpesh, asht kur jam regjistrue për edukim ma të naltë “Higher Education” në Londër. Profesoresha tha: – Formularët në t’cilët ju keni me spjegue për vedin i keni përballë jush, janë pak të gjatë sepse ju duhet me dijtë me shitë vedin e çka dini shtrejtë, për m’u pranue në kët’ kurs!
– Si mund të shitet vedi shtrejtë? – pyes.
Ajo ndal pak sekonda shikimin te un’, kontrollon emnin tem.
-Ti je e huej Desëntajla, sa gjuhë din?
-Dy gjuhë: italisht dhe anglisht, kuptoj pak edhe norvegjisht po s’e flas! – përgjigjem.
– Je Italiane?
-Jo jo, jam shqiptare, por dij dy gjuhë, italisht dhe anglisht.
– At’herë ti din tre gjuhë, edhe gjuhën tande të nanës (mother tongue), – thotë e ekzaltueme dhe habi e gëzueme ia mbush ftyrën. – Asht e mrekullueshme. Kjo asht diçka që mund ta shesësh shtrejtë!
 
Shikimet e klasës sillen kah un’. Qeshi lehtë me buzë të mbylluna, mendueshëm. Ndjehem e dukshme. Hesht. Mendoj kalvarin e dhimbshëm, t’përjetshëm të “duhet me ba ma shumë” të shqiptarit, kalvarin e t’huejit. Këtu e kam pa vedin gjithmonë edhe me poezinë. Bash në kët’ pikë. Duhet me ba ma shumë. Duhet gjithmonë me ba ma shumë.
 
Uroj ky libër të përcjellin që poezia asht diçka ma shumë prej vedit. Ma shumë prej tokës, ujit, qiellit, diellit e trishtimit, diçka ma shumë prej lumtunisë, hanës, duerve, syve e lkurës teme. Uroj ta kem “shitë shtrejtë”, gjakun, fjalën, kohën e dashninë! Uroj të kem dijtë me përqafue mallin, brengën, ikjen e ardhjen te lexuesi…
 
Kur pashë librin në librari, u ndjeva mjaft e emocionueme, mu rikthye gjithçka në kujtesë. Nata e parë që kam shkrue poezi. Hera e parë që më kanë lexue… Poezi shpërnda në blloqe e vite. Takime. Kujtime… Mbështetja e parë dhe e mbarë këtu në fb e lexuesve e shkrimtarëve që lexoj e vlerësoj, (ishte shtysë jo pak domethanëse, që më riktheu dëshirën me shkrue), mbështetja e pandalun e Leon Lekaj qysh me poezitë e mia të para postue po këtu , gjej rastin me e falenderue me zemër t’lumtun për shumëçka e për mendimin estetik. Nën t’njajtën dritë falenderoj Shqiptar Oseku për mendimin estetik. Falenderoj Shtëpinë Botuese “Jozef”, drejtuesin Aurel Kaculini për mbeshtetjen e realizimin mbi kërkesat e mia të botimit. Falenderoj toliart.co.uk për kopertinen. Dhe me shpirt e zemër të hapun ndër duer falenderoj Jozef Radi, për redaktimin, punën e mbështetjen e jashtzakonshme, shtysën e vazhdueshme e këshillat e detajueme, që un’ të sillja ma t’mirën teme. Falenderoj lexuesin! Si instrumentiste, e ndjej duartrokitjen, asht toka ku instrumentisti, kësaj here poeti, lëshon tinguj, fjalë, lule, fara e bimë. Uroj t’çilin, t’nisen, t’ecin, t’bajnë rrugën e prekjes e ngjitjes, e t’përfundojnë në ndjeshmëninë tuej ashtu si duartrokitjet rrokin dëgjuesin me interpretuesin, muzikën me ne, sallën e botën me ne…
 
Pë t’interesuemit, ‘Arie t’krisuna’ mund ta gjeni te libraria Adrion në Tiranë, tek Libraria Ora e Shkodrës në Shkodër, dhe për ata që jetojnë jashtë Shqipniet, online tek adrionltd.com.
 
Me përjetimin e vjeshtës po risjell vjeshtën teme nga libri me gëzimin që më keni lexue, që më keni dashtë, e me gëzimin që doni me më lexue.
 
Vjeshtë
 
Kaloj përmes teje, shikimthyeme
mes gjethesh të shplame që kanë nisë m’u grrye.
Ke me ardhë tue lajmërue, un’ gjithnji pres,
si nanë e ngarkueme, që s’ka nevojë me ia kujtue vedit
përkujdesjen e dhomave t’përgjumuna,
akordet e ndjeshme lëkundë deri n’rrëzim,
perdet e syve ndrysh për çdo emocion,
mungesën e zhurmës n’shtatin e qytetit zymtue.
Ti je ditar pa gërma, shije që risjell ndër mend
tempujt e të vërtetave të dhimbshme, detnat,
zbaticat e lkurës e ndjenja që s’ecin má.
Mundem me t’pasë.
Jo kot gjendem n’pushtetin tand
tue mbjellë vyshkje që duhen përjetue.
Ti mbyt gjithçka mbrendë kutisë ku ruej
lule të vjetrueme, lindun qysh n’mars, brengë e vogël
kthye ma vonë n’kopësht që ka me vdekë.
 
Kaloj përmes teje, po ti ke mbrritë
matanë meje, aty ku s’ka má vend për kohë.
 
PS. Për promovimin e librit, uroj e shpresoj t’ketë nji lajmrin në të ardhmen, mbasi çeshtja e Covid, mi vështirson mundsitë.
 
 

Autore: Desantila Qerimaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s