Kronikani i shpirtit parisian dhe frymëzimit krijues të shkrimtarëve të “brezit të humbur” (Parathënie e librit “Bohemë Anglosaksonë në Paris” të autorit Luan Rama) / Nga: Ylljet Aliçka

 
 
Kronikani i shpirtit parisian dhe frymëzimit krijues të shkrimtarëve të “brezit të humbur”
 
Parathënie e librit “Bohemë Anglosaksonë në Paris” të autorit Luan Rama) 
 
Kam lexuar thuajse tërë krijimtarinë e Luan Ramës, librat e të cilit gati më zenë gjysmën e bibliotekës sime, kjo dhe për shkak se ai nuk harron të m‘i dhurojë përzemërsisht saherë që shkruan një libër të ri.
Nuk e teproj të them se si një shkrimtar e studiues poliedrik, Luan Rama mbetet kronikani më elegant i kulturës franceze, shpirtit të saj bohem dhe pikëlidhjeve të kulturës së këtij vendi me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Dy librat e tij të mëparshëm të kësaj kolane „Mbresa pariziane“ dhe „Parisi letrar“ patën një pritje të mrekullueshme nga lexuesi shqiptar.
E lexova librin e tij të ri dhe mora po të njëjtën ndjesi e kënaqësi që pata ndjerë me dy librat e mëparshëm. Një rrëfim realist, prekës, melankolik e veçanërisht njerëzor.
Kësaj radhe ai shkruan për atë brez shkrimtarësh anglosaksonë që u vet-etiketuan apo i etiketuan brez i humbur, atij grupi krijuesish të mbijetuar nga Lufta e Parë botërore, që ndanin një kujtesë të përbashkët, të njëjtat dilema dhe konflikte të brendëshme dhe që zgjodhën për frymëzim Parisin e viteve 20 të shekullit të kaluar, aty ku ekstravaganca e kohës, diversiteti, humbja e pafajsisë nuk mundi dot tua humbiste sensin e thellë të shprehjes artistike.
Thënë ndryshe se si ky grupim shkrimtarësh e përjetuan Parisin,i konsideruar si epiqendra e kulturës botërore, dhe anasjelltas se si Parisi i përjetoi ata.
Duke shmangur kategorizimet morale dhe puritanizmin, Luan Rama na ofron një polifoni përvojash jetësore, një katalog përjetimesh joshëse, duke kaluar nga veset, kapriçiot, aventurat dashurore dhe ndjeshmëritë e secilit krijues anglosakson i brezit të humbur dhe mbi të gjitha të veçantën e shpirtit parisian ku Rama jeton prej 30 vitesh.
 
 
Luan Rama
 
Me një vështrim të ndjeshëm teksa kalon nga njëri shkrimtar në tjetrin, të duket sikur ai i përdor personazhet letrare për tu ballafaquar me përjetimet e ngazëllimet e veta, pra dikush që ndjen nevojën të zbulojë, kuptojë frymën dhe shpirtin e atij qyteti që të kthen po aq dashuri sa i jep dhe ti atij, duke mbushur kësisoj hendekun mes shpirtit parisian dhe frymëzimit krijues.
Gjithçka në këtë libër është reale, fluide, e huaj dhe njëkohësisht familiare, me histori që lidhen e shkëputen herë pas here, një libër që zgjeron horizonte, ofron emocione, përmes faktesh e gjurmimesh historike e biografike, të ndërthurura këto me ndjesitë dhe përjetimet e autorit, i cilipërpiqet të shmangë pronësinë e ideve, por i lirë “të udhëtojë” përvoja jetësore plot ulje ngritje,ku secili individ shkrimtar është i pangjashëm në melankolinë e tij, në kërkim të vetes, aty ku ndërthuret e kaluara me të sotmen, personalja me universalen, ndjenjat sublime me trishtimin.
Fjala është për një libër që jep aq njohuri, po aq dhe ngacmon njëherazi ndjenjat dhe mendimin. Them mendimin pasi tërthorazi libri provokon dilema e mëdyshje të tilla si: “A mund të flitet, për një gjeografi frymëzimi të krijimit, apo nëse atmosfera qytetesh të ndryshme kanë efekte apo frymëzime të ndryshme krijimtarie, sipas larmisë së tyre të dhembjes, ngazëllimit apo zhgënjimit?
A është frymëzimi aq universal, po aq sa dhe individual, ku secili ka mënyrën dhe ngacmimet e veta të frymëzimit? Apo individi shkrimtar është një univers më vete, dhe se kzistojnë aq universe të veçanta bohemiane sa dhe individë shkrimtarë?
Në këtë libër të fundit Luan Rama na përgjigjet thjesht duke përzjerë historitë e vogla personale me historinë e madhe njerëzore.
Dhe së fundi, falë energjisë, ndjeshmërisë dhe talentit të vet, shpresoj se pritshmëria e radhës është që Luan Rama ta plotësojë sagën e shkrimtarëve të huaj në Paris me brezin e krijuesve shqiptarë, pse jo dhe me një tjetër grup të njohur shkrimtarësh latino-amerikanë, që kanë shënjuar e lënë gjurmë në mozaikun e letërsisë së madhe botërore.
 
 
 

Ylljet Aliçka

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s