Botimet 2M: Përralla Popullore Spanjolle / Parathënie nga Teuta Dhima

 
Përralla Popullore Spanjolle
 
 
PARATHËNIE
 
Përrallat, si një nga nënllojet më të përhapura të krijimtarisë gojore, sjellin disa nga tiparet më thelbësore të një vendi, si mënyrat e jetesës, traditat dhe botëkuptimin.
Tridhjetë e katër përrallat popullore spanjolle, të shqipëruara nga Diana Jaka, vijnë si një arsenal i trashëguar nga kultura orale dhe në përmbajtjen e tyre, kanë elementin fantastik, magjik, ashtu si përrallat e cilitdo vend të botës.
Fakti që ato nuk kanë autorësi, iu jep atyre një shtrirje të gjerë, duke i kthyer në një pasuri shoqërore që trashëgohet, ruhet e pasurohet nga vetë shoqëria.
Përrallat spanjolle, edhe pse i referohen besimit dhe traditave vendase, kjo, nuk do të thotë aspak që ato mund të kenë kufizime në leximin dhe përthithjen prej lexuesit të cilit po i ofrohen.
Ato nuk janë shumë të gjata dhe lexohen me shumë kënaqësi. Për çdo lexues është legjitime pyetja:
“ Çfarë më sjell mua ky libër, çfarë fitoj unë prej tij dhe sa ai, mund të jetë libri i duhur për mua?”
Me Përrallat popullore spanjolle, lexuesi do të futet në një botë fantastike, plot aventurë, siç mund të jetë vetëm bota e një përralle. Në mënyrë të veçantë për lexuesin e vogël, do të jetë si hapja e një porte në një kopësht magjik, ku ëndrrat më të pabesueshme plotësohen dhe imagjinata kapërcen çdo kufi.
Karakteristikë që vihet re në këto përralla është se gjatë shqipërimit, janë lënë në origjinal emrat e përveçëm, pavarësisht paraleleve të tyre në shqip si: Hose- Josif; San Pedro- Shën Pjetri; San Horhe- Shën Gjergji etj. Këto dhe emrat e disa vendeve në Spanjë, (“Gjarpri i Balzolës”
“ Kovaçi i Salamakës”, “Zonja e Ambotos”), bëjnë që lexuesi mos të shkëputet për asnjë çast nga vendi i origjinës së këtyre përrallave dhe të përhumbet i tëri në rrëfim. Këtu kufijtë tokësorë shkrihen dhe ia lenë vendin shijimit të fantastikes ku: Miushja që fshinte shkallët lidhet në martesë me miun; Shtatë lepujt e bardhë janë shtatë princa; Vajza lidhet në martesë me tre burra; I vjetri i shpellës rreh djalin se kishte ofenduar gjyshin; Gajdja i bën të gjithë të kërcejnë; Manteli i artë bën çudira etj, etj.
Ashtu si në të gjitha përrallat, edhe në përrallat spanjolle, ka objekte magjike si: uji i verdhë, manteli i artë, gajdja magjike, pasqyra, balsami çudibërës etj. Fundi, përfundimi i tyre është i lumtur dhe lexuesi merr një orientim optimist si: e mira gjithmonë triumfon, trimi gjithmonë do të fitojë, apo e bukura princeshë do ta gjejë princin e saj. Përrallat popullore spanjolle që po vijnë në duart e lexuesit shqiptar, kanë thurje interesante të subjektit, larmi dhe fantazi. Ato janë dokument kulture dhe historie. Kanë vlera filozofike dhe didaktike. Duke e lënë lexuesin në shoqërinë e tyre, kujtoj shkrimtarin, poetin dhe gazetarin Ambrose Bierce dhe thënien e tij se përralla, është një gënjeshtër e vogël, për të ilustruar një të vërtetë të madhe.
 
4 gusht, 2020
 
 
 

Teuta Dhima

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s