KAFENEJA BALLKANIKE (Udhëzime për Teatrin Europian)

KAFENEJA BALLKANIKE
(Udhëzime për Teatrin Europian)

begzad

Autor: Begzad BALIU
Botimi i parë
Prishtinë, 1996
Editor
Shb “Era”, Prishtinë
e-mail: bbaliu@yahoo.com
++377 (0)44 173-596
Përkthyer deri më tash në gjuhën holandeze, italiane, kroate dhe bullgare. Pshtë në process përkthimi në rumanisht dhe greqisht.

Veprat
Flamuri vjen nga Kosova, dramë, Prishtinë, 1994
Gjaku i lirisë, 1981-1995, I, II, III, IV, biografi martirësh, bashka¬u¬tor, Prishtinë, 1996 – 2000
Grua e dashuruar, Prishtinë, 1996
Kafeneja ballkanike, dramë, Prishtinë, 1996; Shkodër, 2000
Çështje të studimit të onomastikës në veprën e Çabejt, tezë magjistrature, Prishtinë, 2000
Gustav Majeri dhe albanologjia, studime, Prishtinë 2000, Tiranë, 2001
Onomastika e Gallapit, tezë doktorate, Prishtinë, 2004
Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, studim monografik, Prishtinë, 2004
Profesor Jup Kastrati për Kosovën, bashkautor, Prishtinë, 2004
Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit, monografi, Prishtinë, 2005
Mbi autorësinë e veprës Bibliografi e Skënderbeut, studim monografik, Prishtinë, 2005
Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës, bashkautor, Prishtinë, 2005
Demitizimi dhe standardizimi i onomastikes se Kosoves, Tiranë, 2006
Bibliografia përmbajtësore e Seminarit NGJLKSH, Instituti Alb-Shkenca, Prishtinë, 2006
Onomastika e Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteteve, “Era”, Prishtinë, 2008
Hulumtime albanologjike, Instituti Albshkenca Prishtinë, Prishtinë, 2010
Vareni kryengritësin e shenjtëruar, Instituti Albshkenca Prishtinë, 2010
Kërkime albanologjike, Instituti Albshkenca Prishtinë, 2010
Bibliografia përmbajtësore e Librit shkollor, Prishtinë, 2012
‘Dhembje e bukur’, (Bashkë me Reshat Sahitajn) Prishtinë-Paris, 2012
Onomastikë dhe identitet, Prishtinë, 2012
Onomastika dhe dokumenti, Prishtinë, 2013 (në shtyp)

VETAT
Të gjithë Princat e Shteteve Ballkanike
Shtatë ambasadorë të Shteteve të Bashkuara të Europës dhe të Amerikës
Regjisori
Kryetari i Komisionit
Nënkryetari
Publiku euro-ballkanik
Shërbëtorja
Zërat: A, B, C,… 1, 2, 3,… x, y, z,…

(E shkruar për Festivalin «Ditët e Teatrit Europian 199’»)

PARAHYRJE NË SKENË

Ballkanike

Rroftë !
Poshtë !

Poshtë !!
Rroftë !!

Rroftë-Poshtë !!!

AKTI I PARË

Përgatitja e skenës

Udhëzime për një pamje të mundshme

Natyrë ballkanike. Teatër ballkanik. Skenë ose pamje ballkanike. Muzikë ballkanike,… rrjedhimisht edhe ndjenja ballkanike.
Edhe ndjenja!?
Domethënë edhe përjetim, edhe bindje ballkanike! Ah…!

Një mal i madh. Një guri i madh në mes dhe në fund shpella e frikshme që nuk dihet nëse është shpellë apo gojë e hapur ujku, gati për të përbirë publikun. Aty është edhe kulshedra, prej gojës së të cilës shpesh duhet të dalë tym e flakë.
Duhet të dëgjohet edhe lëvizja e dragojve kreshnikë, prej të cilëve në mos rrapëllima që lëviz tërë skenën, (po le ta lëvizë edhe publikun, pse jo), duhet të dëgjohet edhe një fragment kënge. Së paku kështu thotë kënga ose ose thonë legjendat.
Rreth e rrotull dhe brenda, në vende të zbrazta, janë vendosur gurë, që kanë një rend dhe një disiplinë qëndrimi. Si zakonisht nuk dihet nëse janë gurë apo njerëz (që qëndrojnë drejt- thotë legjenda), krushq të ngrirë, rrashta kafshësh,…
Drunjtë janë tepër të vjetër dhe në zgavrat e tyre pushojnë gjarpërinjtë. Diku më lart nxjerr kokën huti dhe zogjtë mishngrënës. Pastaj, shikoni, hapni sytë, mos shihni diçka më shumë, më mirë, më qartas, vërtetë më tmerrshëm! …Nëse keni zemër të shihni më shumë.
Është vështirë!
Është e pamundshme!
• Ah! Ura! Vërtetë një cep i urës në të majtë dhe një ushtimë lumi. Është Ura e Fshejtë?
• Është uji i bardhë i Drinit të Bardhë! I qumshtit të nënës sonë?!
• Jo! Jo! Është Ura e Xhehnemit! Është uji i zi!
• Po në Ballkan nuk ka legjenda në të cilat tregohet se si nën urë kalon uji i zi.
• Veç se ka burime, vërtetë kroje, puse, që u thonë Legjenda për ujët e zi.
• Nuk e besoj.
• Vetëm nëse ka ndërruar koha dhe hapësira.
• As kohës dhe hapësirës nuk i besohet gjithmonë.
• Në Ballkan as koha as hapësira nuk ndryshojnë leht dhe nuk ndryshojnë shpesh.
• Megjithëse edhe ndryshimet më të vogla përcillen me dridhje, tronditje ose rrënime të mëdha, duke përfshirë këtu edhe ngjyrën e ujit ose ndarjen e tij…
• Kështu, shekuj të tërë nuk ka lëvizur gjë prej gjëje,…
• E megjithatë gjithë kjo lemeri…

INTERMEXO
Ose, Një Komision i Festivalit e viziton Skenën e Teatrit Ballkanik

• Krra-krra… krra-krra…!
• Një krismë pushke: Tak!
• Një zë: Oh!
Alternativa: Krrokamë dhe rënie e një shpendkeqi, bashkë me ushtimën e drurit. Po le të bie edhe druri ore!
• Një zë tjetër: E vrau more hej…!
• Përsëri një krismë pushke: Tak!
• Po kjo krismë e tretë?!
• Dëshmi e saktë se e vrau.
• Pse krrokama e një shpendi mund të sjellë fatkeqësi njerëzore?
• Ç’lidhje ka një shpend me njerëzit?
• Këtu gjithçka është e lidhur me fatin e njerëzve: edhe shpendët, edhe guri, edhe burimi, dhe veçanërisht ngjyra e tij, edhe yjet, hëna, netët, ditët, javët, muajt, vitet, stinët…
• Edhe pordhat!?…
• Mos u tall, nuk ke të drejtë të tallesh. Këtu megjithatë ka një rregull, prej të cilës ndoshta do të mësonim edhe ne…
• Shpesh e kemi paguar shtrenjtë moskuptimin e tyre…
• Megjithatë një kollë e tyre ka shumë rëndësi…
• Mbase po, është një përgjigje, një reagim,… ashtu më duket…
Një zë, ndërmjet vajit dhe këngës, i përcjell me një instrument shumë të vjetër, i përafërt me lahutën.
• Është aq prekës, ë?
• Jo. Është një këngë për të vdekurin!
• Si, si?! Këngë për të vdekurin! Ndoshta pse është një këngë vajtuese apo një vaj këndues, nuk e di si do të duhej të ishte më drejt kjo sintagmë, më mirë është ta pyesim specialistin për etnologji,… por çka deshta të them,… ah po, kënga vajtuese apo vaji këndues!?. Po. Deshta të them se ndoshta duke pasur dy elemente të përnjëhershme dhe të gërshetuara mes veti këtu edhe kënga edhe vaji kanë kaq shumë elemente emocionale por nuk kanë kujë të trishtueshme si në Europë dhe,…
• Lëre studimin, të lutem, nuk mjaftojnë dy elemente për studimin e një fenomeni a dukurie, më thuaj është ky vaj, vërtetë kjo këngë për të vdekurin apo,…
• Po, po! Pikërisht për të vdekurin! Këtu kurrë nuk vajtohet! Këtu zakonisht këndohet për të vdekurin!
• Si ndodh kështu!?
• Në Teatrin Ballkanik është turp dhe fatkeqësi të vdesësh në shtrat.
• Pa një akt trimëror këtu nuk vdes njeri. Ndryshe do të mbeten pa këngë dhe kënga nuk këndohet pa krismë pushke…
• Po për gra, ka këngë?
• Ka këngë edhe për gra, por ka më shumë luftëra për gratë, të mbështjellura me mjegullën e trimërisë dhe të vdekjes…
• Prandaj, kur vriten, atyre u këndohet trimëria, në vend se të vajtohet humbja e tyre,… E megjithatë këngët janë kaq emocionale dhe dallohen prej himneve!
• Ashtu disi…
• O zot, o zot,…

NJË NGA DIALOGËT E PARË

Vetat: A * B * C * D

A
Ç’është kjo? Ky Teatër duhet të pranohet në Teatrin Europian?!
B
Po, po. Pikërisht ky.
C
Di ti gjë për ballkanasit?
B
Unë di këngën e tyre: “Ballkanasit shkojnë në luftë!”
C
Ndërsa unë kam dëgjuar këngën e re: “Ballkanasit shkojnë në Europë”.
A
E pse shkojnë ballkanasit në Europë?
D
Sigurisht për të luftuar!
C
Jo, jo. Nuk shkojnë për të luftuar po për të treguar se e kanë sjellë kulturën, se e kanë ruajtur zotin, se ata janë vetë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë…
D
Dhe na kanë çliruar… hahahaha…
C
…Hahahah… Pikërisht për këtë, … kjo ishte e para… hahaha…
D
E Pse, Ne në Europë çka paskemi bërë? Kemi ruajtur qiellin? Hahaha …dhe kemi zbuluar Amerikën!
A
Ç’rëndësi ka Teatri Ballkanik për Teatrin Europian?
B
Që t’i shpëtojmë ata dhe vetveten nga përmbytja…
A * B * C * D
Obobo, po hyjmë në luftë për të shpëtuar nga lufta!

PROVA E PARË
Ose
Ballkanasit dalin në Teatrin Europian

Vetat
Të gjithë princat e Shteteve Ballkanike
Publiku euro-ballkanik

Skena tradicionale e Teatrit Ballkanik
P.sh. Skena mund të jetë e zbrazët dhe në mes të saj një fron mbretëror, ose mund të mos jetë një fron, po një ulëse mbreti apo kolltuk i Kryetarit të Partisë dhe para tij një palë çizme të rënda, ose… Në fund të fundit mund të jetë një kombinim i zakonshëm që shpreh një atmosferë ballkanike.

Zëra në hyrje të skenës që s’është e thënë të kenë këtë radhë:
…Unë dua të dal i pari,…
…Jam më i vjetri, duhet të më nderoni…
…Jo, jo, jo! Jam unë,…
…Jam më i riu, duhet ta kuptoni mosdurimin tim,…
…Jo ti, po unë sepse…
…Jam më i pashmi dhe më ka hije skena…
…Kurrsesi! Unë jam…
…Teatri është imi, kur unë luaja në Teatër ju jetonit në vezë të qyqes…
…Unë,…
…Jam më trimi,…
…Asesi, unë…
…Jam më i forti, dhe…!
…Pikë!
…,
,…
Dialogët mund të përsëriten disa herë në kombinim edhe me tekste të ndryshme polemikash.
… Ku i dihet Teatrit Ballkanik? Çështja është që diçka të fillojë,… ose, ose…
Teatri Ballkanik jeton…! Domethënë drama vazhdon!

PAS AKTIT TË PARË

Shërbëtorja
Hyn me fshesë në dorë.
Shiko, shiko! Ç’janë gjithë këto sende të përmbysura. Po mua më thanë se drama nuk është luajtur fare. Madje mendoja që të shkoj apo të mos shkoj për ta pastruar skenën.
’Nuk ka shkelë kush në dërrasa, nuk ka pasur publik në sallë, domethënë nuk janë ngrënë fara’, më thonin!
Jo, jo për atë se nuk janë ngrënë fara, ose nuk ka pasur publik nuk më tha askush, por pasi më thanë se nuk ka pasur shfaqje, kjo nënkuptohej vetvetiu.
Shih, shih…!
I kap ca lecka, fletë, rroba të vjetra. Fillon të lexojë një letër.

Këngë! Uh, uh, uh,…! Obobo, po e gjatë që qenka! Jo. Unë nuk kam nerva për ta lexuar këtë…
E hedh në tokë.
E kjo?
E kap një lahutë të thyer.
Kjo, sigurisht është pjesë e ndonjë lahute me të cilën kanë dashur ta përcjellin këngën. Sigurisht kanë pasur vetëm një lahutë, prandaj e kanë thyer duke e tërhequr: Jo kjo është imja, jo me këtë që treqind vjet, jo more tremijë vjet, tridhjetë… po çka janë treqind vjet për Ballkanin, ku e kisha fjalën (ndalet), … e kemi përcjellë këngën brez pas brezi dhe… Dhe sigurisht këngën nuk e kanë përfunduar. Në Ballkan askush nuk e përfundon këngën dhe jetën! Të gjithë e kanë nga një epilog të çuditshëm. E si mos të jetë i tillë, kur fundi i këngëve dhe vdekjeve është gjithnjë i parakohshëm. E kjo?!…
E kap një rrobe të leckosur dhe të përgjakshme.
Obobo! Paska pasur edhe mosmarrëveshtje të përgjakshme mes tyre. Jo more, ndoshta ndonjëri prej tyre ka pasur për të marrë hakun dhe, sigurisht e ka marrë me vete shenjën e tij. Shih ti njëherë! Këmishën e hakmarrjes e kanë sjellë edhe në Teatër. Epo kështu është kur në skenë del Teatri Ballkanik. Uh, uh, uh,..
Ngre edhe ca lecka.
Si iu vjen erë gjaku,… Më duket se këtyre u thonë mite.
I shikon me kujdes, me përbuzje dhe me ironi.
Janë të trishtueshme. E me çka lavdërohen ballkanasit? Me mite! Me çka krenohen ballkanasit? Me hakmarrje! Këngë! Gjak! Vaj! Tradhëti! Kuaj Troje! O zot! Secili pretendon të quhet krijuesi i djepit të parë ballkanik. Madje edhe i djepit europian. Si nuk u mundën njëherë nga tragjedia e tyre,… Veç e veç dhe bashkarisht. Si nuk u mjaftuan grekët me krimin mbi Trojën, sllavët me përmbysjen mbi Jugun, turqit me kreshtat mbi Ballkanin…?!
Obobo…, ç’po flas dhe unë?! Si duket edhe mua do të më bjen sëmundja ballkanike,…

Dëgjohet zhurmë jashtë.
Ndoshta përsëri po vijn për shfaqje. E unë, ç’po bëj kështu?!
Shpejton ta pastroj aty-këtu dhe del nga skena.
(Fundi i aktit të parë)

AKTI I DYTË

Vetat:

Princat ballkanikë
Regjisori
Publiku euro-ballkanik

Është skena (e) pas aktit të parë. Princat e Ballkanit janë brenda. I pari ngutet të flasë regjisori, i cili njofton publikun se dalja e Teatrit Ballkanik në këtë Teatër, historikisht modern, është bërë, mendermethënë për bythë të gjilpërës…

• Megjithatë, mundi im,…
• Djersa ime,…
• Gjaku im,…
• Kjo është tradhti,…
• Përsëri ka përzierje,…
• Përzierje e kujt?,…
• Kësaj nuk i thonë përzierje por larje, apo “Laj mut me shurrë!”
• Kështu është kur na e luan bishtin Europa kurvë,…
• Çka!?…
• Përsëri Europa!?,…
• Jo more, Amerika,…
• As Europa, as Amerika, por Euro-Amerika,…
• Jo more, po kështu është kur karabythet Teatri Ballkanik,…
• Si?!…
• Ua, ua, ua!,…
• Ai, ai, ai!,…
• O o!…

ALTERNATIVA TJETËR PËR TË NJËJTËN SKENË

E njëjta skenë.
Luajnë të njëjtit lojtarë.

Regjisori
Dëgjoni ju! Ose ndërrojeni kapelën ose mendjen!
• Shiko, shiko! Kapelën time e paska tjetër kush, e unë…!
• Po këto këpucë që i keni mbathur ju, gjyshi im i mbathte në antikë,…
• Po! Këto janë të gjyshit tëndë e të stërgjyshit tim…
• Mbaj! Edhe gjakun tim e ke…
• Ashtu! Edhe vëllezër jemi,…
• Assesi! Protestoj! Mendimet tuaja janë shoviniste,…
• Zot, kush po e këndon legjendën e shtëpisë sime të djegur, e unë me shekuj e duroj dhembjen e saj …
• …,
Nga publiku vijn thirrje në të gjitha anët. Bëhet me dorë, pështyhet, fyhet, ngriten harta, gazeta, libra, aty këtu edhe ndonjë armë. Incizohet, fishkëllohet, qeshet me forcë, me ironi, me cinizëm, …me zor!

Protestë e një anëtari nga komisioni vlerësues
Zotrinj, unë nuk e kuptoj nëse Teatri po ndodh në skenë apo në publik?! Ajo që po ndodh në skenë është krejtësisht komike, ndërsa ajo që po ndodh jashtë saj, dhe veçanërisht në publikun euro-ballkanik (o zot, lexoje edhe njëherë: euro-ballkanik, domethënë Europë e ballkanizuar në vend se të ishte Ballkan i europianizuar, o zot!), është tmerrësisht tragji-komike! Diçka po ndodh por është aq e pakuptueshme.

Lus komisionin vlerësues që të vë rregull në skenë.
Për të mirën e tyre!
Me mëshirën e zotit!
Amen!

Regjisori
Ndërhyn
Një moment ju lutem! Durim! Le të bien perdet deri sa të merremi vesh, së paku me publikun.

NDËRMJETSKENË

Vetat
Shërbëtorja

Hyn duke u shalakatur dhe e disponuar deri në fund. Në skenë është rrëmujë.

Hë azganët e mi! Kështu, kështu duhet! Bukuroshët!? Çfarë bukuroshësh more?! Unë nuk i qes qyrrat në ju! Trimat, trimat! Azganët! Trima dhe azganë njëkohësisht! Ahaha… Ah, po. Ja qëllova. Kreshnikët e mi. Kështu ju kam dashur. Të ma bëni Teatrin rrëmujë. Epo ky është zanati juaj, që nga zënia e kësaj bote e këndej. Kështu ju dua. Kur Teatrin ma bëni lamë thiu. Vetëm me ju sallën e kam plotë. Ndal të shikoj, a keni ngrënë fara mjaft?!
Shikon publikun.
Po, po! Ohoho! Edhe farat më janë shitur. Tamam puna. Kështu ju dua,…
Ec duke shkelmuar sendet e shpërndara nëpër skenë, kryesisht kapela, thika, rrypa, armë, këpucë,…
Uh, uh,… Sorra ashtin mos ma çoftë në Ballkan! Pastaj thonë “Edhe ne duam të hyjmë në Europë”! Çfarë Europe duan këta ore! Mos duan që edhe Europën ta bëjnë Ballkan? Assesi! Megjithëse Europa di t’ua zhdredh si duhet.
Ah, po këta duan të hyjnë në Europë dhe në Amerikë njëkohësisht, dhe mund të mashtrohet kjo e dyta, e ruana zot…
Kap disa letra.
Shih, shih! Ç’janë këto fotografi?! Jo, qenkan vizatime?! …Harta! Mapa! Skica! Harta!
Përsëri harta…! Ballkani copë e grimë! Ua, ua. Uhuh… gjithë këta kufinj që janë vizatuar. Po ata thanë se donin t’i fshijnë nga faqja e dheut. Kështu është kur njerëzit e një shtëpie nuk e durojnë dot njëri-tjetrin. Tërë jetën e kanë kaluar në kulla e kështjella. A keni dëgjuar se si vazhdimisht u rrëzohen urat: Ura e Fshenjtë, Ura mbi Dri, Ura e Artës,… Si dreqin, nuk iu rrëzohen kështjellat po urat! Kështu e kanë këta. Gjithçka së prapthi,…

Dëgjohet cingërrima e telefonit.
• Urdhëro!
• Po!
• Unë jam!
• Jo shefi, po njëri nga shefat e Teatrit.
• Po, po!
• Madje edhe njëri nga mbikëqyrësit e rregullave të Teatrit.
• Mundemi!…
• Pse jo, mund të bashkëpunojmë.
• Si jo! Ti e di se në Europë gjithnjë janë gjetur miq që janë shitur (vërtetë që kanë shitur me para të të tjerëve), prandaj pse të mos gjenden edhe sot.
• Audienca?
• Sigurisht, sigurisht që do të mbahet.
• Do të mbahet, dhe sigurisht konkurrenca për të hyrë në Teatrin Europian do të jetë e madhe.
• A do të marrin pjesë shqiptarët!?
• Po, po! Sigurisht që do të marrin. Kjo tashti është e pakontestueshme. Ju e dini se për këtë është vendosur në Teatrin amerikan dhe para këtij vendimi është përulur edhe Teatri Europian,…
• Pse, mos doni ju që shqiptarët pastaj të marrin pjesë në Teatrin Amerikan krahas Teatrit Europian?…
• Ata që janë!
• A janë hamallxhinj, leshpërdredhur, hallvaxhinj,… Çkado që të jenë. Si të tillë, do të marrin pjesë në shfaqje. Më në fund në këtë aspekt unë nuk kam asgjë në dorë që t’i pengoj, prandaj,…
• Po mirë! Sjelli ti disa nga Beogradi.
• …,Aha! Nuk po mund të gjesh më. Epo mirë. Mashtroj ata të Tiranës.
• Si? Të dolën nga dora?!…
• Jo ore! Si thua ashtu! Si është e mundur që ata të Prishtinës, ta kenë hequr nga dora Trupën e Tiranës?! Kjo është e pamundur! Gjej n’rrot t’samës. Po deshe të fitosh kundër njerëzve me bishta, kundër sharraxhinjve, shif-ship-shqiptarëve, apo si thua ti,…
• Do të përpiqem që të ndihmoj,…
• Pse, jo! Vetëm edhe ti mundohu,…
• Mirë, mirë.
Rregullon edhe disa gjëra dhe del me ngut.

PAS AKTIT TË DYTË DHE PARA AKTIT TË TRETË

Vetat:
Të gjithë lojtarët dhe aktorët e mundshëm, përveç shërbëtores.
Skena është e aktit të pare, por tashti është kthyer në një ambient të kohës sonë.Të gjithë presin defilimin festiv të Teatrove Ballkanike, veç e veç.

Regjisori

Hyn në skenë
I nderuar Zoti kryetar i jurisë! Hyrja është pothuajse e pamundur. Shenja për identifikim nuk kanë! Madje i kanë humbur edhe kapelat, që zakonisht i mbajnë si shenja identifikimi. Apo thënë edhe më drejt, ata ia kanë vjedhur njëri –tjetrit kapelat dhe…! Vërtetë disa i kanë, por njëri prej Trupave, domosdo mbetet pa kapelë. Tash u janë përzier kapelat, dhe secili ngatërrohet me tjetrin: Jo kjo është e imja, jo kjo është e gjyshit tim, jo ajo tjetra është e stërgjyshit,… U janë përzier këngët, legjendat, kashelashët,… Djalli e di këtë punë! Zoti assesi!

Kryetari i Komisionit
Ju duhet të bëni ç’është e mundur, që ata të dalin. Audienca është e domosdoshme. Askush nuk mund të hyjë në Teatrin Europian pa u provuar këtu nga komisioni i ngritur për këtë qëllim. Ka kaluar koha kur në Europë vinin nën gunën ruse, angleze, franceze, gjermane, italiane,… Le ta fitojnë ardhmërinë njëherë edhe ata, me djersë dhe me mend!

Një zë nga publiku
Le të mësohen të fitojnë me mend, atë që e kanë humbur me gjak…

Kryetari
Bëni si të doni. Kryesorja, kjo duhet të bëhet dhe…

Pauzë e mbushur me këngë, thirrje, fishkëllima, të qeshura, krisma, bërje fotografish,…

Kryetari
I pari le të hyjë delegacioni grek,…
Zonja dhe zotërinj të nderuar, këtij delegacioni i prinë Homeri,…

Zëra nga publiku:
• Po vijn ata që e pollën Homerin,…
• Po vijn ata që e mundën Trojën,…
• Po vijn ata që e bënë krimin mbi Trojën, ja Kali,…
• Kushe vuri Homerin në krye,…
• Turp, ai na i zbuloi të palarat, nuk ishte helen, barbar ishte,…
• Ndoshta më barbar se ç’janë tashti,…
• Po vijn ata që e bënë demokracinë,…
• Po vijn ata që e bënë djepin e kulturës europiane,…

Zhvillimin e ngjarjes e përcjell muzika greke.

Kryetari
Le të kaloj delegacioni grek!
Delegacioni kalon mbi urë dhe del në anën tjetër të skenës.

Kryetari
Në radhë është delegacioni i shqiptarëve. Delegacionit i prin…

Nënkryetari
Hyn me nguti nga jashtë
Stop! Ndalo! Stop! Më falni! Ne ende nuk e paskemi marrë anëtarësinë. Unë nuk e di, cilit delegacion t’i hap derën. O bobo, këta janë të çuditshëm!
Shfleton dokumentet në grumbull dhe ia ofron kryetarit të komisionit.
Ja! Kanë paraqitur me dhjeta delegacione,…

Zëra nga publiku:
• Nuk është e vërtetë,…
• Nuk është e vërtetë,…
• Ata kanë paraqitur vetëm një delegacion,…

Kryetari
Besoj se së paku këtë herë kanë mbledhur mend,…

Nënkryetari
Jo, ore jo! Ja ku i kemi të dhënat, Ja shikoni vetë ju: Një delegacion nga Tirana, tjetri nga Prishtina, një nga Shkupi tjetri nga Ulqini, një nga Beogradi tjetri nga Parisi, një tjetër nga Gjermania, …një tjetër nga Zvicra, pastaj një nga Amerika, Australia,… Papapapa, aiiii,… shiko, shiko! Delegacioni i bajraktarëve, i kryebajraktarëve, bishtbajraktarëve,… hihiiii, hahahaaaaa,…! Një delegacion i fiseve, një i krahinave, delegacioni tjetër i toskëve, i gegëve, kosovarëve, çamëve, hahahaaa, hahahaaaa,… Delegacioni i katolikëve, muslimanëve, ortodoksëve, hihiiii, hahahaaaa,… delegacioni i dervishëve, evangjelistëve,…! Aman aman o zot! Delegacioni i Mirditës, i Drenicës, i Malit Mokër, i Kodrë s’Trimave, i Prroni t’Madh,…
Lexon dhe lëviz duke u gajasur, qeshur me ironi.

Zëra nga publiku
Të përcjellë nga zhurma, fishkëllima,…
• Le të hyjë delegacioni serb,…
• Shqiptarët nuk janë as për Teatrin Ballkanik,…
• Le të hyjnë në kuadër të delegacionit grek,…
• Jo ore në kuadër të delgacionit të romëve,…
• ,…
Regjisori
Hyn me nguti
Zoti kryetar i komisionit. Delegacioni shqiptar ka kohë që po pret te dera. Pse nuk e ftoni që të hyjë brenda?

Kryetari
Unë nuk po kuptoj asgjë. Si duket, assesi të merremi vesh me ta. Këtu kam dokumentet e dhjeta delegacioneve që i kanë paraqitur.

Shfleton dokumentet.
Cilin ta ftoj? Ndoshta do të ishte mirë që edhe për një kohë t’i mënjanojmë nga Teatri Europian? Si duket ata ende nuk e kanë formuar Teatrin Nacional,…

Regjisori
Jo zotëri! E keni gabim. Ato delegacione janë e kaluara historike. Këto dosje t’i kanë hedhur të tjerët. Ju jeni të hutuar. Komisioni Europian ka përgatitur dosje të veçantë, për shkak se gjithmonë është gjetur dikush që ka tentuar t’i ngatërrojë ato.

Kryetari
Si nuk beson? Unë këtu kam formularët e të gjitha teatrove, prandaj edhe të Teatrit Nacional të Shqiptarëve,…
Nënkryetari
Po këtu janë dhjetra delegacione e jo një,…

Zëra nga publiku
• Jo! Jo!
• Ashtu! Ashtu!
• Le të ftohet delegacioni që po pret,…
• Le të ftohet delegacioni i shqiptarëve të Beogradit,…
• Le të vijë delegacioni i Madagaskarit,…
• Le të thotë Europa se cilin delegacion do,…
• Jo Europa po Amerika,…
• As Europa, as Amerika po Ballkani,…
• As Europa, as Ballkani. Shqiptarët kanë bijtë e vet dhe e dinë cili delegacion i përfaqëson,…
• Pikërisht këtë nuk e dinë,…
• Një delegacion veç është nisur drejt Veriut, drejt nënës Rusi,…
• Le të shkojnë në rrotë të samës me gjithë nënën Serbi, thirreni delegacinin që po pret,…!
• Hahaaaa, hihihiii,…

Regjisori
Zoti kryetar! Nuk mund të bëhet fjalë për delegacione të mëdha shqiptarësh, po për një delegacion, dhe ai është duke pritur. Formularin për delegacionin shqiptar e kam me vete, prandaj mund ta krahasojmë me formularin e vërtetë.
E hap dosjen e tij dhe fillojnë t’i krahasojnë ato.
Ja ku qenka.

Nënkryetari
Ngurron. Shikon anash. Mendohet. I lexon emrat duke lëvizur buzët. Duket mjaft i trishtuar dhe tenton të flas por nuk ia arrinë, veç se të belbëzoj diçka nëpër dhëmbë.

Kryetari
Radhën e ka delegacioni i shqiptarëve. Delegacionit i prin Teuta, Shën Jeronimi, Skënderbeu, Pjetër Budi, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Nëna Tereze,…

Zëra nga publiku
Në fillim heshtje e ngrirë, pastaj zëra shushuritës.
• Ç’është kjo?!
• Kush janë këta?!
• Ku janë sharraxhinjtë?!
• Ku janë fundamentalistët?!
• Këtu po mungon vetëm Papa?!
• Jo more, po është vetë kryepapa?!
• A është e mundur?!

Komoisioni vlerësues
Le të hapet ura! Trupa shqiptare mund të kalojë urën.
Trupa shqiptare i shpejton hapat dhe në hyrje të urës grumbullohen që të kalojnë të gjithë përnjëherë. Pastaj ndalet. Fillojnë që të bisedojnë. Nuk dëgjohet se ç’bisedojnë, por nga gjestet kuptohet se fjala është për atë që do të kaloj i pari, i dyti,… Teuta, hyp në një gur dhe sikur do të hidhet në ujë; Shën Jeronimi ka hapur Biblën dhe bekon. Sa ju drejtohet atyre sa urës; Skënderbeu lëviz sa andej, sa këndej dhe shpesh kur fletë çon dorën te shpata; Pjetër Budi shikon nëse ka ndonjë anije rreth lumit; Naim Frashëri e Gjergj Fishta kanë zënë vendet dhe shkruajnë në librat e tyre; Nëna Tereze sa kërcen te një grup që është me Teutën sa me të tjerët,…

Nga komisioni vlerësues
Njoftohet trupa e Teatrit Shqiptar se duhet ta lëshoj skenën dhe duhet të kalojë në anën tjetër. Paraqitja e saj konsiderohet e kryer,…
Nuk e ka mbaruar fjalën komisioni kur anëtarët e delegacionit shqiptar bëjnë me gjeste se andej do të takohen të gjithë, në një vend të caktuar, dhe ashtu sikur janë të gjithë kokë më kokë për një çast shpërndahen në forma të ndryshme, por pa hypur asnjëri nëpër urë kalojnë lumin dhe dalin në anën tjetër të urës e përshëndeten me publikun,…
Atmosferë e gjallë në publik, e qeshur, duartrokitje, reagime, kundërreagime,…

Zëra nga publiku
• Ata nuk e kaluan urën, nuk e meritojnë pjesëmarrjen në Teatrin Europian,…
• Kryesorja ata janë në anën tjetër të urës,…
• Të mjerët, ata ende nuk i besojnë urës,…
• Kanë përvojë të hidhur dhe nuk i besojnë më as Europës,…
• Eh, sa herë i ka gënjyer historia,…
• Prandaj askush nuk mund t’i kthejë me në anën tjetër, ata veç tash kanë mbaruar punën, kush ka kohë të merret me historinë, le të vazhdojmë me Teatrot e tjera,…
• Kryesorja në anën tjetër të urës ata janë bashkë,…

Kryetari i komisionit
Radhën e ka delegacioni i Teatrit të Serbëve. Këtij delegacioni i prin i përvuajturi i kësaj bote Ati S., dhe me mëshirën e zotit e përcjellin po kështu një delegacion priftërinjsh, duke e lutur zotin, që lejën e Teatrit Europian ta marrë edhe ai që ka kaluar kaq shumë kalvare, dhe që për mijëra vjet nuk ka ditur të shkelë qoftë edhe vetëm një buburrec,… Veç duke bartur mëkatet e të tjerëve,…
Publiku lutet njëzëri. Reciton dhe këndon meshë. Një pjesë e publikut është afruar dhe ulur në gjunjë në të dy anët, ndërsa pjesa tjetër sikur është e hutuar dhe ngrin në vend. Delegacioni serb hyn ngadalë. Duke bërë kryq, duke bërë lutje, duke mbajtur qirinj në dorë, duke lëvizur temjanët,… i pari është urithi nën çarçaf, ndërsa prapa janë priftërinjtë. Para se të mbërrijnë në mes, urithit nga çarçafi i del kapela greke.
Greku
Një lojtar i Teatrit Grek kërcen dhe e kap kapelën.
Ja kapela greke që e patëm humbur në fillim! Jo! Vërtetë na e vodhën.
E vë në kokë.
Ja, kjo është tamam kapela ime.
Fillon të dalldiset e të sillet rreth e rrotull.
Më në fund e gjeta.

Njëri nga priftërinjtë në delegacion
I lutet me zë të ulët
Zotëri, e keni gabim. Kjo është kapela jonë,… Jemi vëllezër ortodoks dhe shenjat i kemi të përafërta. Bile të njëjta. Miku i mirë gjendet në ditë të vështira. Mos doni që përsëri të na çoni në kalvar.

Greku
Merreni, por vetëm për këtë audiencë. Heren tjetër kur të dalim në Teatër ju përsëri do të mbeteni pa kapelë.

Publiku hesht dhe qëndron gjakftohtë. Urithi vazhdon të lëvizë ngadalë. Në mes të skenës nga çarçafi del plisi shqiptar.

Një shqiptar
Kërcen nga publiku dhe e kap kapelën duke thirrur.
Shikoni! Shkoni! Plisi i delegacionit tonë! Ky e paska vjedhur plisin tim. Akuzoj! Akuzoj! Akuzoj! Delegacioni serb e ka penguar daljen tonë në Teatrin Europian. Ata na e kanë minuar urën. Ne e kemi ditur këtë. Akuzoj! Le të dihet kush po krijon ngatërresa ballkanike. Po t’i kishim kapelat do të kishim dalë të gjithë përnjëherë, të barabartë. Do të kalonim publikisht nëpër urë,…

Një tjetër anëtar delegacioni
Hyn me shpejtësi dhe entuziazëm. Mund të jetë bullgar, rumun etj.,
Mos e gjetët edhe kapelën time…?!
Ngrin në vend. Shikon pa ashtu atmosferën e ngrirë në publik. Rrudh krahët, sikur don të arsyetohet për ndërhyrjen e pakontrolluar.
Ndoshta këta ma kanë vjedhur edhe kapelën time?!

Njëri nga priftërinjtë
Me zë të ulët kërcnues e me maje automatiku ose shpate të nxjerrë jashtë pelerinës:
Mos akuzo se të shkon koka!

Ai që hyri nga jashtë
Zoti gjeneral, unë vetëm, vetëm,…
I mbetet fjala në fyt.

Zëra nga publiku
• Gjenerali në rroba prifti?!!! Si është e mundur???
• Si është e mundur?!
• Gjeneralët nuk kanë vend në Teatrin Europian!
Publiku ngritet në këmbë dhe në hyrje të urës ia zë rrugën urithit.
• Të hiqen maskat!
• Të hiqen maskat!…
Dy veta nga publiku afrohen dhe përpiqen t’ia heqin çarçafin Urithit. Dy përcjellës (priftërinjtë), heqin pelerinat dhe me shpata (automatikë) i rrëzojnë për tokë ata që përpiqen ta zhveshin Urithin.
Priftërinjtë tashmë duken generalë të veshur e të ngjeshur me armë deri në dhëmbë. Dy policë europianë vrapojnë dhe i nxjerrin ushtarakët jashtë. Urithi ashtu lakuriq bëhet kruspull si gjarpër. Mbështillet i tërë me duar e me këmbë. Në sy, në duar dhe në gojë, i duken mirë shenjat e gjakut. Ai hesht, por i kthyer kah publiku, vazhdimisht buzëqesh me cinizëm,…

Zëra nga publiku
• E gjetëm hajnin!…
• U zbulua dhelpra!
• E gjetëm skilen!
• Populli ka thenë: “Ujku mban zilen me vete,…!”
Hyn edhe delegacioni bullgar, turk dhe delegacioni rumun.

Kryetari i komisionit
Ngadalë! Ngadalë! Stop! Nuk ju kam thirrur juve. Ende nuk kemi mbaruar me këta!

Lojtarë të delegacioneve
• Pse të presim,…
• Tash që i gjetëm të gjitha kapelat ne mund të dalim të gjithë përnjëherë,…
• Aq më tepër që tani u zbulua hajni,…
• Tani nuk do të frikohemi se na është minuar ura,…
• Tani do të kujdesemi që urën ta ndërtojmë vetë,…
• Tashmë mund të kujdesemi që të mos na përsëritet historia,.

Regjisori
Jo, jo! Audicioni do të fillojë përsëri prej fillimit. Asgjë nuk ka filluar. Asgjë nuk ka marrë fund.

Nga publiku thirrje në të gjitha anët. Bëhet me dorë, pështyhet, fyhet. Ngriten harta, gazeta, libra, aty-këtu edhe ndonjë armë. Madje thika, heshta, maja automatiku,… Incizohet, fishkëllohet, qeshet me forcë, me cinizëm,… Hidhen bomba. Tym, kollitje,…

Regjisori
Ndërhyn
Një moment ju lutem! Është bërë një gabim teknik. Teatri Serb në vend se të shfaq dramën “Ballkanasit shkojnë në Europë”, ka paraqitur dramën “Serbët shkojnë në luftë”. Durim ju lutem! Le të bien perdet deri sa të merremi vesh,… Së paku me publikun!
Dalin.

(Fundi i aktit të dytë)

AKTI I TRETË

Vetat
Regjisori
Shtatë ambasadorë të Europës

Salla është boshe, domethënë publiku nuk është i pranishëm, por hapësira teatrore është plot sy, vesh e dridhje. Frika dhe ankthi janë gjithkund të pranishme. Përmes të dhënave të tërthorta, merret vesh se së shpejti do të paraqitet Plani Përfundimtar i Fizionomisë së Teatrit Ballkanik në Europë (vërtetë i Teatrit Europian), dhe ju mund t’a merrni me mend se ç’formula të papritura mund të jap Europa në momente të këtilla vendimtare, që zakonisht janë të përcjella me kthesa të forta.
Në skenë nuk ka lojtarë. Në mes të skenës është një tryezë e rrumbullakët. Nga salla, në skenë, me komoditet dalin shtatë ambasadorë të shtatë shteteve euro – amerikane. Janë të moshuar. Ata mbajnë nga një grumbull letrash në duar.

Ambasadori A
Zoti regjisor, për çfarë drame është fjala?
Regjisori
Fjala është për dramën e Teatrit Ballkanik.

Ambasadori B
Cila është e veçanta e Teatrit Ballkanik?

Regjisori
Teatri Ballkanik historikisht është aktual, domethënë aktualitetin e ruan në vazhdimësi,…

Ambasadori B
A mund të jeni më preciz?

Regjisori
Kemi të bëjmë ose me komedinë, ose me tragjedinë, ose edhe me një gërshetim të vrazhdë të tyre.

Ambasadori C
Papapa! Ç’universalitet! Nga mitologjia deri në ardhmëri!
Ambasadori E
Duhet ndërhyrë te e çara, domethënë te e ndërmjetma,…

Regjisori
Teatri Ballkanik fillon me elemente të komedisë dhe shkon në drejtim të tragjedisë.

Ambasadori C
Sikur të mund ta bënim të kundërtën.

Regjisori
As e kundërta nuk sjell rrjedha që nuk do ta dëmtonin Teatrin Europian.

Ambasadori E
Ta përjashtojmë njërin nga lojtarët.

Ambasadori D
T’i përjashtojmë në fillim të gjithë e pastaj t’i pranojmë të gjithë së bashku.
Ambasadori A
Le të bëhet ashtu! Le të dalin njëkohësisht një nga një dhe të gjithë së bashku dhe le të thonë se i përkasin rrymës së Teatrit Europian.

Ambasadori F
Le të bisedohet me të gjithë një nga një e pastaj le të dalin e të thonë edhe ata me radhë.

Regjisori
Ashtu qoftë!

Ngritet dhe shkon për të biseduar.

(Fundi i aktit të tretë)

EPILOG

Vetat
Regjisori
Ambasadorët
Publiku
Pastaj vijn Princat
E njëjta pamje e skenës së tretë

Po të ishte kjo një dramë e tipit më klasik, në skenë nuk do të ruheshim në mirë elemente të tilla tradicionale. Së shpejti do të fillojë paraqitja përfundimtare. Shikuesit janë të ngrirë. Pritja është tepër e ftohtë dhe e gjatë. Epilogu nuk dihet. Të gjitha marrëveshjet, dy e më shumë palëshe, janë bërë në mënyrë të fshehtë. Gjithçka e hapur ka qenë formale. Shikuesit po kthehen në sallë. Pritet që së shpejti të dalin edhe Princat. O zot, këta nuk janë Princa por Lojtarë në skenë, në qoftëse nuk jam në ëndërr! Ja, po dalin një nga një dhe të gjithë së bashku. Janë të heshtur si vetë publiku. E pamundur! Ju nuk mund ta merrni me mend ankthin tim, e ndoshta edhe të publikut, që ka lexuar qoftë edhe vetëm një këngë për princat e Ballkanit. Të gjithë janë lakuriqë. Renditen dhe përkulen para shikuesve. Në fillim publiku është i pagojë, në realitet i pamend, pastaj i shqetësuar dhe për një çast, sikur të jetë zgjuar nga një gjumë i thellë mijëvjeçar, duartroket gjatë. Ambasadorët ngrejnë gotat,…
Flitet për një konferencë shtypi. Natyrisht kjo është pjesë e rregullave elementare të Teatrit, por besoj se këtu do të përfundojë gjithçka!
Kështu qoftë!
Amen!
(Bie perdja)

Prishtinë, 1991
Napoli, 1993

Advertisements

One thought on “KAFENEJA BALLKANIKE (Udhëzime për Teatrin Europian)

  1. I nderuar Begzad Balliu…ju dërgova një e-mail dhe s’di në se e keni marr… Dy fjalë për Teatrin Ballkanik… Eshtë gjithçka i duhet Kosovës, Shqipërisë dhe tërë kombeve e shteteve të këtij gadishulli që deri tash qetësinë shpirtërore s’e ka gjet…Një trevë e tej-trazuar, e tej-shqetësur me merri së qëmoti e pothuajse së kotit, edhe pse ëndrra e gjith’ballkanasve është Europa dhe bashkë-jetesa në komunitetin Europian… Një Teatër në stil absurd e po aq klasik në një Ballkan absurd. Absurd për hirë të këtij apo atij vektori flugerian që diktojnë politikanët që venë e vinë. ikin e prapë vijnë, e kur flug’heri si kokë kokoshi shqerak,. maj kamionadës së oxhakut Ballkan, që vektoron nga frynë erërat e këtij apo atij Peshkaqeni Ndërkombëtar… Një teatër me personazhe si unë e si ti, si ai qe nesër siç parashikuan shtrigat e magistricat e Wuliam Sherkspirit jo tanimë në skenën e ”Globus” e Londër, por në skenën e cilido shteti ballkanik, ai pra që i lexuan e transpiktuan Kasandrat-magjistrica se nesër bëhesh Mbret, k.minister, president, krietar parlamenti, kryetar i dumës senatore etj etj tore…dhe mbushsa topi ne plebejtë që sërish i votojmë… …..dhe mbajmë mëri gjitonit verior, atij lindor, atij perendimor atij ma çallmën e sunitit, asaj me gjys-ferrexhe e mandile surratit, atij ma rason e zezë të p[riftit ortodoks, dervishit bektashi e me veshje lulushan si n’pasarel të Coco-Shanelit e Giorgio Armanit..jezuitit me zhgunin e vetë, apo madje edhe vetë Papës së Ri katolik të sapo zgjedhur ne Romë…atje në folenë e Tij në Vatikan…… ……..dhe kërkojmë nga rregjisori të ndryshojë tesktin e modifikohet përmbajtja e Teatrit Ballkanik sipas kaptinës së sejcilit komb po ballkanik….e madje kerkojnë që të mesazhojë vetë aktori prift-katolik i k’tij teatri, të përcjellë kumtin e veçantë për Papën e Ri….Ndryshim n’tekst rrjedh si më poshtë : . .i pari flet një figurant i cili gjate teatrit s’ka pipëti veç ka mbajt një parull “: Gjermania Lindore rr’zoi murrin pre betoni të Berlinit dhe zonja Merkel po e rindërton..prej hek’ri….hahahahhhh!!!!”’
    parrull’si:- (një pateri katolik)-… a je tuj shkue n’Vatican.. dhe aktori at’katolik- (i habitun)..Fol o bir ç’hallit ke? .. dhe figuranti prapë:- (serioz e duke ndryshkur e ntrashur zerin e vetë)- A po e takon Papën e Ri?- -Nder për mue e për grigjën e famullisë teme k’jofse e takoi… -jo për Hallah or ti katolik se unë nuk jam në grigjën tate…jam bektashi. – Bekuar kjofshin edhe bektashijtë me tan grigjen sunite, dhe hebreje dhe ,angellore dhe ortodokse të komunës sonë or bir… dhe ;prapë kembn-ngulës rrobi i katunit;- Or ti françeskan, or ti jezuitr e çfarë dreqin je a m’ndigjon.. .-Biri im qoftë-largun mos e zer n’goje perballë mejet…..ngutu e m’fol se po m’hik gjemia për Itali or tëj…. – Çoji fjalë Papës tat or ti zot’ni p[ap[ i vogël katolik,…..(ul zanin)… se kam ndermend me vra hasmin dhe do ngujohem n’kull t’gjyshit.. .-Mos or bir ..mos e mbush shpirtin me t’reja mëkate…mos mëkato.. dhe prape kandidati per gjakmarrje:- Atje n’kulle po e pres.Papën e Ri t’Romës e t’Vatikanit..çoj fjalë e le t’qaset tëhu (dialekt lab kjo) dhe të më laj edhe mu këmbët, si atyre të burgut n’Itali…..”
    ………….dhe bien muzgu, kadale-kadale e ja le vendin një mbremje të ,magjishme e dalin t’gjithë n’skenë e nisin e numërojnë yjet që prushojnë lartë..n’qiellin e prushuar tanimë se nata bien me tamam….sejcili aktor, sejcili figurant, skenograf, piktor, rekuiziter, sufler, asistent rregjisor, rregisor, muzikant, pergjegjsi efekteve,butaforista, elektriçista, marangoztë, pun’tort e thjeshtë, biletashit’sit, katër-bodigardët me kostumet e katër Muskutjer’vet tek porta e hyrjes se teatrit,….si edhe disa spektator te mrekulluar nga shfaqia si dhe do kalimtar qe rast’sisht ndodhen aty fill pas uljes se perdes………………. …..te gjithe numerojne yjet e te gjithe kërkojnë Yllin e Fatit t’vete ne këtë Qiell të Prushuar Ballkanik…e lehtë nddigjohet n’sfond muzika e flu shuhet me numërimi yjeve ne dhjetra gjuhe e dialekte ;po ballkanik e gjitsejcili n’hesap t’vet…nji, dy, tri.çetirje, pjat, eksi, epta, okto, djesjat, yç, tarafanda, bytym açk aksham pazar batakçi mall, dymedhjetë, etj etj… ……dhe Kori nga 12 vajza veshur me të kuqe (pse me të kuqe e ;pse 12-të vajza dhe përse të 12-ta ……12-te vjeçare, e di rregjisori) i Tatrtit Ballkanik…. Pra të12-ta thonë në korlutjen mbrëmësore pra edhe llafet e fundit të këtij Teatri Ballkanik: O ti i Plot’Fuqishëm Atje Lartë a poshtë ku bën fole…/…ti Zot e Ti Krijues / Krishti djali yt i Parë….dy mijë vjeçar…./……Muhameti….njëmijë e pesëqindë vjeç…./…Dy djemë në dy Mijë Vjetë…./…..Kur do ta lindësh Djalin e Tretë.???!!!!! I urojë trupës s’Teatrit Ballkanik dhe rregjisorit+autorit t’shkrimit…suksese sin qerisht spiro qirzidhi, vlorë ora 24 e 37 minuta e dt 3 prill 2013.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s