Matteo Pulizzi
http://gazetatelegraf.com/matteo-pulizzi-atdhe-i-dyte-per-mua-eshte-shqiperia-vendi-i-shqiponjave/
Matteo Pulizzi: Atdheu i dytë për mua është Shqipëria “Vendi i Shqiponjave ”
Intervistoi Sabri Zeqiri
Zoti Matteo na thuani diçka rreth jetës tuaj në fëmijëri?
Fëmijëria ime? Si djemt të tjerë të krahinës time në Itali. Jam një nga tre kalamajtë e një fermeri të vogël, në një fshat të vogël në zonën fushore të lumit Po. Atje kam lindur dhe jam rritur. Që nga fëmijeria me ka terhequr shume mesimi i gjeografise dhe gjuheve te huaja. C’do fetar a misionar qe kthehej nga Afrika apo Amerika dhe vinte per vizite ne famullin tone, behej per mua personi me interesant i botes. Mbase sepse isha lindur ne nje fshat te vogel. Keshtu kur u takova per here te pare me refugjatet nga Shqiperia ne pranveren e 1991-it u hap per mua nje bote e re.
Më ka bërë përshtupja njohja e gjuhës shqipe ,e flitni shumë bukur. Si ju lindi dëshira ta mësoni atë? Çfarë mund të na thoni për valën e refugjatëve që ia mësyn bregdetit italin dhe ndihmën që ua dhatë atyre?
Megjithëse flas shqip, nuk jam shqiptar, as arbëresh si shumekush mund te mendoje, thjesht e kam mësuar gjuhën tuaj në moshën 17-vjeçare, kur u takova per herë të parë me refugjatët politikë nga Shqipëria në vitin 1991. Ishte fundi i shkurtit, fillim marsi, kur karakatinat e detit mbërrinin në brigjet tona dhe ne vumë re për herë të parë se edhe në Evropë, bile mu përpara brigjeve tona, se si varfëria e skamja mund të dëtyronin mijëra njerëz të braktisnin shtëpitë e tyre në kërkim të kushteve më dinjitoze. Për herë të parë ne vumë re se matanë detit ekzistonte diçka. Mbase kjo mund të dukej zhgënjyese për shtetasit e vendit të Shqiponjave, por asokohe ishte vërtetë ashtu: ju shikonit RAI…mbase fshehtazi, ëndërronit vendin tonë, kurse ne nuk e çanim kokën fare për Ju. Turp, do të mendojë sigurisht ndokush, si ka mundësi…pas një histori të përbashkët aq domethënëse dhe tragjike njëkohësisht…si ka mundësi një mospërfillje e tillë? Po ashtu ishte…Kur në vitin 1979 fillova aventurën time mësimore, pra klasën e parë te fillores, mësuesja na tregonte hartën e Evropës, dhe as një fjalë nuk u tha për Shqipërinë. Një ditë e pyeta (e mbaj mend ende shumë mire): Përse nuk e studiojmë edhe atë vend të vogël përtej detit, kaq afër plazheve tona? Përgjigja: nuk dimë asgjë për të, vetëm se është vend shumë i mbyllur, dhe ndonjëherë peshketarët tanë hasin në patrullat kufitare, e dalin probleme për sekuestrime anijesh. Kaq!!! Meqë isha djalë shumë kureshtar pyeta edhe në shtëpi: asnjë përgjigje…vetëm burri i tezes çuditërisht dinte shumë gjëra për vendin e mistershëm. Ah…Shqipëria …i vetmi vend komunist në botë!!! Mendo që atje ka punë dhe shtëpi për të gjithë, atje shkolla dhe shëndeti janë falas, domethënë shteti mendon për ty. Babi im dhe burri i tezes nuk shkonin mirë midis tyre. Ky i fundit e thërriste babin shpesh me nofkën përçmuese “Kapitalist” dhe tjetri ja kthente me po aq qesendi: Komunist. Kështu hyri për herë të parë në jetën time prej vocërraku loja e mistershme e Politikës Ndërkombëtare. Natyrisht unë si çdo kalama i besoja babit, por edhe mendja ime prej djali 7-vjeçar me thoshte që një vend i tillë, ashtu sikurse ma kishte pikturuar xhaxhi, mund të ekzistonte vetëm në përrallën e famshme te Kollodit, Pinoku. Kështu pra kureshtja ime mbeti e pangopur… deri atë pasdite të paharrueshme pranvere, para 20 vjetësh, kur famullitari yne më thirri ne telefon per te me kerkuar ndihme: “erdhën refugjatët nga Shqipëria, i ke dëgjuar lajmet në tv ? Po si ?! Thashë unë, e pra? Po i shpërndajmë në territorin tonë, edhe këtu në dioqezën tonë. Ne kemi marrë përsipër të strehojmë një grup prej 10 vetash. Ti flet mire anglisht, hajde se do të na ndihmosh!” Po çfarë anglishtje!!! flisnin një gjuhë të çuditshme, e te padëgjuar. Ndonjëri prej tyre dinte russishten (për ça u duhej rusishtja këtyre fukarenjve? Moska është kaq larg!!! Në atë kohë unë isha student në vitin e 4-të të Liceut, dhe pas shkollës përditë shkoja për vizitë te disa refugjatë të strehuar në fshatin tim Konsandolo (fshat, midis Ferrarës e Bolonjës, Itali e Veriut). Për mua qe një përvojë e jashtzakonshme. Bashkë me këta njerëz mësova jo vetëm gjuhën, por edhe kulturën dhe traditat e Vendit të Shqiponjave.
Pasion im i madh ka qenë gjithmonë radioja. Kisha gjetur në qilarin e shtëpisë një radio të vjetër me valë të shkurtra: rastësisht u ndesha në buletinin e lajmeve, pikërisht kanali i parë i Radio Tiranës! Mund t’ju duket mbase e çuditshme, por në kohë që refugjatët mezi mësonin diçka në telefon, unë përditë iu tregoja miqve të mi se ç’farë po thoshte Radioja. Pastaj zbulova Zërin e Amerikës, BBC-në në shqip etj., kështu filloi edhe pasioni im për zhvillimet politike e sociale të trevave shqipfolëse, të cilat prej asaj kohe i kam ndjekur pothuajse përditë. Kështu filloi dashuria ime e madhe për Shqipërinë, shqiptarët, kulturën, historinë dhe gjuhën e tyre. Kështu filloi dashuria ime e madhe për Shqipërinë, shqiptarët, kulturën, historinë dhe gjuhën e tyre.
Aktiviteti juaj në Kosovë pas luftës çfarë kujtimesh ju lanë?
Në vitin1999, një thirrje tjetër në telefon, gjithmonë një prift! A do të vish me ne në Kosovë? Sapo ka mbaruar lufta, mud të punojmë nëpër shkolla me nxënësit e sapokthyer në katundet e tyre. Ti mund të na ndihmosh me gjuhën! Erdha! Qe pergjigja ime, me gjithë dyshimet dhe hezitimet e prindërve të mi ( po mbaroja fakultetin e Inxhinierisë). Kështu në vjeshtë të ‘99 mbërrita në një Kosovë të mbytur në llaç (baltë), të fshehur në terr (përpos asaj drite të paktë të gjeneratorëve) dhe të ngrirë nga acari i egër balkanik. Isha me një shoqatë humanitare, punova andej si vullnetar në shkollat fillore si përkthyes. Edhe sot nuk mund ta harroj natën e ndërrimit të motmoteve, natën e fundit të shekullit të përgjakur, bashke me një familje prej Klinës së Pejës: jashtë ishte minus 20 ° C e brenda çadrës (apo shatorrit si thonë ata) nuk ishte shumë më nxehtë por ndihej një ngrohtësi tjetër. Si ka mundesi që një çift me 10 fëmijë, pa shtëpi, pa kurrgjë të jetë kaq i hareshëm, plot shprese ndaj së ardhmës ? Fuqia e qenies njerëzore, dashuria, atdhetarizmi, kushtimi i grave ndaj familjes, feja që bashkon katolikët e muslimanët, buzëqeshja e fëmijëve, këto vlera me sa duket i shpëtuan shqiptarët nga shfarosja në atë kënd të Kombit shqiptar!
Na thuaj diçka rreth familjes dhe punës tënde të përditshme dhe si gjeni kohë të lexoni libra në shqip?
Kur u ktheva nga Kosova u diplomava inxhinier mekanik. U martova dhe sot kam 4 fëmijë, ndërkohë punoj si mësues në shkollat e mesme publike, plus punoj në trainimin profesional teknik të djemve të huajve 15- 17 vjeç. Shumica janë shqiptarë nga Elbasani, Durrësi, Shkodra, dhe nga Maqedonia. Për ata që ende nuk zotërojne mirë gjuhën mësimore, e jap mesimin në shqip. Këta djemtë më duan shumë dhe shpesh buzëqeshin kur bashkë me broshurat teknike u shpërndaj fletët me poezi të Fan Nolit a të Naim Frashërit: “do të bëheni punëtorë të zotë, teknikë të vyer të vendit tonë, por ama mos harroni tokën që ju ka pjellë, se pa histori s’ka ardhmëri!” kështu u them çdo herë. Midis tyre janë disa që sapo kanë ardhur, shpeshherë pa familje, pa ditur mirë gjuhën, por kur hyj në klasë, gëzohen e zbaviten duke dëgjuar një italian të çuditshëm që u flet për malin e Dajtit apo për bukurinë e livadheve myzeqare, për muzgun e përmallshëm mbi kënetat e Karavastasë apo per bjeshkat e nemuna mjekërbardha ne dhjetore.
Radioja ime e vjetër dhe e shtrenjtë me valë të shkurtra pushon tashmë e mbuluar nga pluhuri i studios sime, në vend të saj një kompjuter lidhur me internetin më sjell çdo natë në Shqipëri, nëpërmjet shtypit dhe emisioneve të lajmeve, më lidh me shokët e vjetër të rigjetur në Facebook si dhe me ata më të rinjtë. Shumë gjëra kanë ndryshuar ne Kosove por sa keq më vjen kur dëgjoj se akoma ka probleme per shendetsi apo per furnizimin e rrymes elektrike!
Si një dashamirës i kulturës shqiptare cili është autori i preferuar?
Në këto 20 vite interesi im ka qenë përherë Albanologjia dhe veçanërisht letërsia shqipe. Lexova pothuaj të gjitha romanet e Kadaresë, poezitë e D. Agollit, romanet e F. Kongollit përveç natyrisht klasikët si N.Frashëri, Fan Noli, Gjergj Fishta. Lexova shumë vepra e artikuj nga albanologët jo shqiptarë, në veçanti gjermanë, dhe vura re një diferencë perspektivash shumë të forta për sa i përket miteve (origjina ilire, Skënderbeu, miti i luftës nacional-çlirimtare) në literaturën shqiptare dhe vetëformimit të identitetit evropian. Përhere më ka habitur njëfarë diversiteti i këndvështrimit, se çfarë mendojnë shqiptarët për veten dhe çfarë mendojnë të tjerët (italianët dhe gjermanët në veçanti). Sot në saj të Internetit dhe teknologjive te reja, më është dhënë mundësia ti zgjeroj njohuritë e mia. Një kohë duhej të porosisja librat, gazetat përmbledhje poezish nëpërmjet miqve që në pushime ktheheshin në vatrat e tyre të shtrenjta. Sot më mbetet vetëm të zgjedh websiten, ku mund të shkarkoj Çajupin a Konicën!
Dashuria ime e pare, dhe dihet se dashuria e pare nuk harrohet kurre, qe I. Kadareja. Nga Romanet e tij, duke shijuar bukurinë e Shqipërisë së kaluar si dhe të Shqipërisë së sotme me gjithë kontraditat e saj, m’u dha mundesia te mesoja mire nje mori fjalesh qe me veshtiresi do t’i kisha mesuar vetem nga kontakti me refugjatet.
Ne keto vitet e fundit zbulova nje autor me pak te njohur por mbase aq i madh sa I.Kadare: e kam fjalen per Martin Camajt. Albanologu i madh, por sidomos poet i pashoq. Edhe kur shkruajti ne proze, esenca e veprave te tij mbetet ne frymen poetike, domethene edhe romanet jane te mbeshtetur tek poetika e tij. Sigurisht poezite e Camaj-t jane te veshtira dhe vetem pjeserisht te zberthyeshme, si vlen per gjithe poezine ermeutike (Ungaretti yne per shembull, qe ne fakt ka qene mesuesi i Camaj-t ne Rome).
Si lekturë shkollore përdoret ndonje libër në shkollat italiane i përkthyer nga ndonjë autorë shqiptar?
Jo! Asnje! Ne imagjinaten italiane (mbase evropiane edhe) Shqiperia, Kosova, Ballkani ne pergjithesi jane vetem nje burim problemesh dhe trazirash. Kur koleget e mi me shohin qe lexoj nje liber ne nje gjuhe te huaj me pyesin se ne ç’fare gjuhe po lexoj, dhe pas pergjigjes sime hutohen pak dhe disa me thone: edhe shqiptaret kane nje letersi??? Ashtu si Bismarku para nje shekulli: Welche albanische Frage? Cila çeshtje shqiptare?
I vetmi autor shqiptar i perkethyer qe mund te gjesh ne çdo bibliotek eshte Kadareja.
Ç mendim keni për arbëreshët e që bashkëjetojnë në vendin tuaj? I ruajnë traditat e të parëve të tyre?
Jane nje cope e Arberise qe mrekullisht mbijetoi si nje ishull i rrethuar nga italianet. Per 5 shekuj kane ruajtur traditat, kenget, vallet, veshjet, epopene e Skenderbeut, ritin e tyre te veçante (greko-ortodoks, sepse shume vinin nga Toskeria dhe nga Morea, domethene Peloponezi), por mbi te gjitha ruajten gjuhen, thesarin me te madh qe perben themelin e identitetit shqiptar. Rilindja shqiptare fillon nga arbereshet si dhe leteresia romantike (De Rada, Kamarda, Serembe). Nese sot ekziston nje komb shqiptar, me nje identitet te fort gjuhesor-kulturore, megjithse te shperendare ne disa shtete (Shqiperi, Mali i zi, Kosove, Maqedoni) per kete duhet te falenderojme arberesht e Italise se jugut!
Keni vizituar Maqedoninë dhe si iu duk mentaliteti i këtij vendi? Sipas jush dallojnë shqiptarët e Maqedonisë nga ata të Shqipërisë e Kosovës?
Sipas mendimit tim, shqiptaret jane para se gjithash shqiptare!
Sigurisht jane disa diferenca krahinore ashtu si i kemi dhe ne ne Itali, dhe besoj ne çdo vend te botes.
Duke perkufizuar analizen time vetem ne aspektin kulturor, mund te them qe shqiptaret e shqiperise kane mesatarisht nje nivel me te lart kulturor dhe shkollor. E kam fjalen per brezin qe sot eshte rreth 50-ve. Kosova ka patur periudhen e saj te arte ne vitet 70 fale nje fare lirie te lene nga Tito-ja, po pastaj erdhi erresira, dhuna dhe harrimi. Kjo jo per faj te shqiptarve, historine e njohim te gjithe. Une vete pata rastin te vizitoja te rinj kosovare qe kishin studjuar ne qilare dhe me shume pak kompetenca. Kur pata nevoje pwr nje doktor me me keshilluan filan mjek, shqiptar por ama ai kishte studjuar ne Beograd! (dmth i kishte te gjitha kompetencat shkencore dhe profesionale).
Per shqiptaret e maqedonise edhe me keq. Ata as nuk paten periudhen e arte te kosovareve. Vetem ne vitet e fundit po behet diçka (Universiteti i Tetoves…)
Nje gje i lidh te gjith shqiptaret, nga Saranda deri ne Mitrovice: mikpritja, bujaria, zemergjeresia. Gjithmone ne Shqiperi, ne Kosove dhe ne Maqedoni e kam ndjer veten si ne shtepi.




























Leave a Reply