Nga toponimia e zonës së kodrës së Kalasë Pogradec.
( Dëgjuar nga Bardhyl Shuke (Bala)
Nga Gjergji Gusho)
Hyrje:
Një ditë, në një nga vizitat që bëja në shtëpinë e Balës, Bardhyl Shukes, erdhi fjala për emrat e vendeve që ishin në kujtesën e pogradecarëve për zonën rreth kodrës së Kalasëe, atje ku e kishin vreshtin Shukellarët. Në bisedë e sipër, midis të tjerave, Bala u shpreh për emërtimet e vendeve që ai njihte, sepse kishte shkuar vetë si dhe kishte dëgjuar nga babai i tij që ishte i apasionuar pas vreshtit si dhe për pemët e ndryshme frutore që ai mbillte në këtë vreshtë.
Më poshtë po shkruaj emrat e disa prej vendeve që ai njihte.
1. Vendi mbi shtëpitë që ndodhen në rrëzë të kodrës së Kalasë quhet Gradishtë.
Koment: Sipas gjuhës sllave duhet të ketë kuptimin qytezë (grad = qytet) Grad në gjuhën sllave quheshin qytetet e rrethuara me mure mbrojtëse Ky vend ndodhet poshtë majës së kodrës ku ndodhen edhe sot muret e një kështjell, një vendbanim i vjetër i rrethuar me mure. Brenda mureve rrethuese ndodhej kështjella si dhe shtëpitë e banorëve të këtij vendi.
Në kohën e pushtimit romak ky vendbanim, Kalaja, u quajt Castellum. (Kastelium në gjuhën latine ka kuptimin: qytezë, kështjellë, fshat, katund). Prej saj duhet të ketë ardhur emri Katjel, si dhe fjala qytet. Të moshuarit e Pogradecit, kur binte fjala për majën e kodrës së Kalasë shpreheshin: “Ja, atje, në Qyte”. ( fjala qytet e shqiptuar vetëm qyte, pa tingullin t të fundit të fjalës).
2. Më poshtë majës së kodrës, për nga drejtimi i liqenit, kemi emrat e dy vendeve: “Shkalla e parë” dhe “Shkalla e dytë”.
Koment: Thuhet se duhet të kenë qenë disa shkallë të gurta, të gdhendura në shkëmb e që shërbenin për të zbritur baorët poshtë te liqeni. Mbase për tu furnizuar me ujë, ose për qëllime të tjera të jetës së përditshme.
3. Emri i lumit që rrjedh përtej kodrës së Kalasë e afër fshatit Mëmëlisht quhet “Lumi i Trahanit”.
Koment: Mendohet se më parë mund të jetë quajtur “Lumi i Trajanit”. Trajani ka qenë një komandant ushtarak i Perandorisë Romake e më vonë u bë perandor romak i shekullit. Po çfarë lidhje ka patur emri i këtij lumi me emërin e perandorit romak këtë nuk mund ta komentoj. Vallë të ketë ardhur deri këtu me ushrinë e tij komananti Trajan!?. Mbase prej dikujt tjetër me emrin Trajan i është vënë emri i këtij lumi, apo më mirë këtij përroi malor.
4.Mbi lumin e Trahanit (apo Trajanit) është “Sheshi i Marigosë”.
( Nuk ka një koment për emrin “Sheshi i Marigosë).
5. Vendi si gropë ku ka qenë pazari i hajvanëve, atje ku është tani shkolla e romëve (kurbetërve, ciganëve), quhet “Gjinovdoll”.
Koment: Fjala “Gjinovdoll” është me prejardhje nga gjuha sllave. Ajo zbërthehet në:
Doll. Ka kuptimin e luginës, lëndinës (në gjuhën sllave “dolina”).
Gjinov. Duhet të vijë nga emri Gjini me prapashtesën ov që tregon rasën gjinore, pra të pronësisë, në gjuhët sllave. Pra, në gjuhën shqipe zbërthehet në kuptimin “Lugina e Gjinit, apo e Gjinëve. (Prapashtesën “ov” e kanë mbiemrat e njerëzve në gjuhët sllave).
Mbase emri i luginës duhet te jetë përkthyer në sllavisht gjatë pushtimit nga sllavët të trojeve shqiptare, ashtu siç është bërë edhe për shumë emra të tjerë të vendit tonë nga shkruesit e asaj kohe, si përshembull emri “Pogradec” vjen nga sllavishtja “Podgradec” që ka kuptimin Nënqytet, apo Nënqytezë. Në rrëzë të kodrës së Kalasë nga ana e qytetit ka qenë një vendbanim i hershëm që u quajt “Gradishtë”, pra në shqip ‘Qytezë”.
Emri “Starovë” ka kuptimin “Fshati Plak”. Janë disa emra fshatrash në Shqipëri që janë quajtir Fshat Plak, si p.sh. në Rajcë.
Emri “Zagorçan” ka kuptimin “Përtej Malit” apo “Mbasmali”.
Emri “Voloreka” ka kuprimin “Lumi i Buajve” e tj.
Të gjitha këto jo vetëm për zonën e Pogradecit, por edhe në territore të tjera të trojeve shqiptare, sidomos në Jug të Shqipërisë.
6. Nga maja e kodrës së Kalasë deri në lapidari që ndodhet në rrugën këmbësore që ngjitesh për në Mokër quhet “Liskovec”.
Nuk di ta komentoj kuptimin e këtij emri. Mbase mund të jenë këto variante:
1) Fjala “lis” mund të ketë ardhur nga fjala sllave “les” që ka kuptimin “pyll”, pra mund të ketë qëne një zonë me pyll, e pyllëzuar.
2) Fjala “lis” mund të jetë nga gjuha shqipe “lis”, një dru u lartë e i trashë. Pra mund të ketë qenë një vend me lisa. Pyll me lisa.
7. Në kodrën tjetër përballë Kalasë, atje ku është tani gurorja, mbi gurore është një vend i sheshtë që e quajnë “Në Fëngu”.
Koment: Bala thotë se, sipas fjalëve të dëgjuara prej tij nga banorët e asaj zone në atë vend, gjatë Luftës së Parë Botërore , (viti 1917), atje ka qëndruar edhe një njësi e ushtrisë franceze, nga kjo ka ardhur dhe fjala “Në frëngu”.
Një variant tjetër, sipas mendimit tim, mund të jetë edhe ky:
Në ata vend kam patur rastin të kem qenë edhe unë në një aksion për të hapur gropa me nxënësit me qëllim pyllëzimin. Një person që na shoqëronte e që ishte nga Pogradeci, e banor i lagjes pranë, më tha se ky vend quhet “Në Fëngu”, por pa bërë koment. Me aq sa pashë vendi ishte i sheshtë, që mbante lagështirë e me baltë. Ishte një vend ku mbinte e rritej bari. Mendoj se emri më i saktë duhet të ketë qenë “Në Fëngu” e jo “në Frëngu”. Fjala “fëng” vjen nga gjuha latine. (Në gjuhën italiane fjala “fango” ka kuptimin “baltë”, “llucë” dhe “llum”), pra përkon me karakteristikën e vendit që ka baltë. Emra të ngjashëm me emrin “Fëng” ka edhe për vende të tjera në zonën e Pogradecit si p.sh:
Fëng. Mbi fshatin Kriçkovë të Mokrës Poshtë. Edhe atje është një vend me lagështirë e me baltë.
Fëngovë. Një vend pranë fshatit Bishnicë, po në Mokrën Poshtë.
Fëngovisht. Fshat në Maqedoni pranë kufirit me Shqipërinë pranë kufirit të Qafë Thanës. Emra me origjinë nga gjuha latine gjenden edhe në vende të tjera në zonën e Pogradecit.
8. Mbi Lumin e Trajanit një vend quhet “Mbi Golinat” por quhet edhe “Katundi i Golinave”.
Koment: Fjala “golina” mund të ketë këto dy variante në shpjegimin e saj.
a) Fjala “gollij” në gjuhët sllave ka kuptimin “i zhveshur, lakuriq”; pra mund të ketë kuptimin “vend i zhveshur pa pyll” ose “pa bimësi”. Kështu p.sh. një fshat (jo në Pogradec) quhet Gollobërdë, që zbërthehet në kuptimn: gollij – i zhveshur, Bërdë – kodër. Pra, kodër e zhveshur.
b) Në variantin e dytë fjala “golina” mund të këtë ardhur nga latinishta. Në gjuhën italiane “colina” (kolina), ka kuptimin “kodër”.
Sipas vetë emrit në atë kodër duhet të ketë patur dikur një fshat, pra një katund e që nuk dihet historiku i saj.
9. Mbi katundin e Golinave është një vend që quhet “Shëmërti”, pra Shën Marti, apo Shën Mërtiri. Mund të këtë patur në këtë fshat një kishë me emrin e Shën Mërtirit.
10. Shkëmbin e Shëmërtirit e quajnë “Në Gembri”.
11. Pa vajtur në Shëmërti, atje ku fillojnë çezmat, vendi quhet “Rapsallë”.
Koment: Emri rapsallë mund të ketë ardhur nga një lloj gruri kokërmadh dhe i bardhë e që përdorej jo për të bërë bukë, por përdorej i zjerë për ashure, ose grurë me lëng, apo grurë i zjerë për tu ndarë kur përkujtoheshin të vdekurit sipas traditës ortodokse.
12. Mbi vendin që quhet Rapsallë e Frëng, majë kodrës, vendi quhet “Në Lodra”.
Thuhet se atje ishte vendi ku i binin lodrës (daulles) për të dhënë alarmin e për të mbledhur ushtrinë. (Në ç‘ kohë ka ndodhur kjo?).
13. Prapa Shëmërtisë ishte një gropë që quhej “Gropa e Qershisë”.
14. Ngjitur me Gropën e Qershisë është një gropë tjetër që quhet “Gropa e Beut”.
15. Mbi Korien e Beut, ngjitur me Gropën e Qershisë një vend quhet “Varri i Serianit”. (Nuk ka koment për këtë).
16. Poshtë Kories së Beut e Gropës së Qershisë është “Saselishta”, një vend me burime uji e çezma të mëdha.
17. Matanë Saselishtës është një vend që quhet “Hija e Mëmëlishtit”.
Koment: I thonë Hija e Mëmëlishtit sepse është pranë fshatit Mëmëlisht, në një pozicion të tillë që nuk i bie dielli, pra ndodhet në hije.
18. Mbi Hijen e Mëmëlishtit është “Bregi i Malinës”.
Koment: Malina është një fshat që ndodhet mbi Mëmëlisht e pranë fshatit Podkozhan.
19. Nga ana e Pogradecit, mbi Lumin e Madh, është një vend që quhet “Burimka e Minos”.
20. Pas Burimkës së Minos vjen vendi që quhet “Katunishtë”.
Koment: Ka mundësi që edhe këtu, dikur, të ketë qenë një katund (fshat i vogël) dhe i ka mbetur emri Katunishtë.
21. Mbas Katunishtës vjen “Katjeli”, një vend i dystë, i sheshtë ku është edhe kisha e Katjelit, që quhet “Shën e Diela”.
Koment: Thonë se në këtë vend dikur janë vendosur banorët e Kalasë së Pogradecit, kur ai quhej Katjel, pra nga latinishtja “castellum” (kastelum) që ka kuptimin “kështjellë”. Banorët e këtij vendbanimi rrethuar me mure kështjelle, në një kohë lufte, kur e kanë ndiera veten keq, për tu fshehur e për të shpëtuar nga armiqtë, janë larguar nga ky vend e janë vendosur midis gështenjave që ndodheshin e ndodhen në vëndin që quhet sot Katjel, duke marrë me vete, përveç sendeve të tyre, edhe emrin e vendbanimit të tyre të parë “Katjel”. Bashkë me emrin e vendit ata morën eshe emrin e kishës që kishin pranë vendbanimit të tyre të parë e që quhej “Shën e Diela”. Vendi ku dikur ka qenë kisha e parë e Shën e Dielës, deri vonë në vitet 1980, ndodhej diku në një shesh poshtë Kalasë. Ishte një gropë dhe quhej Shën e Diela. Në vitet me vonë në këtë vend u ndërtuan apartamente banimi dhe u mbulua me dhe.
22. Matanë vendit që quhet Katjel ndodhet “Kabashi”. Një vend ku ka një burim uji që quhet “Burimi i Kabashit”.
Në këtë vend është ndërtuar edhe Hidroçentrali i parë i Pogradecit në vitin …?
23. Karshi Kabashit është një vend që quhet “Krusha”. Në këtë vend ka patur toka të mbjella të fshatit Kalivaç të Mokrës sipër. Në këtë vend u vendosën më vonë edhe banorë të këtij fshati dhe u quajt “Fshati Krushë”, një fshat i vogël me pak banorë.
Koment: Emri “Krushë” duhet te vijë nga fjala “grushë’ e sllavishtes që ka kuptimin “dardhë”. Pra mund të ketë qenë një dru, apo shumë drurë dardhe dhe ka marrë emrin e dardhës, pra nga sllavishtja “grushë’ e kanë përshtatur në “krushë”.
24. Mbi lagjen Gorricë të Pogradecit është një vend që quhet “Qoshku”, i cili ndodhet rëzë kodrave me gështënja. Atje është edhe një burim uji.
25. Vendi që quhet “Najazma” ndodhet atje ku dikur fillonin mullinjtë, një vend me burime uji e që ndodhet mbi Lumin e Madh të Pogradecit




























Leave a Reply