Cikël poetik nga Engjëll I. Berisha

 

Engjell I Berisha

Cikël poetik nga Engjëll I. Berisha

 

 

 

Ngjyra e shkrimit

 

Si sytë e fëmijës ngjyrë deti

ngjyra e shkrimit

pellg i thellë

sa i ftohtë fundi

atje me një gur dhëmbët e tigrit

diamant a topaz

e ngjyra përhitet përhitet

e del gjak i bardhë

i vdekjes klinike

 

si sytë e fëmijës ngjyrë malli

ngjyra e shkrimit e lodh bardhësinë

me pamjen e bukur të lindjes

e këput me vijë të zezë

copën e vogël të gëzimit

 

dërgoma një letër – vjollcë

ngjyrë qielli

vizato përfund fjalëve

lumin ku pinë

kafshët e buta

e njerëzit e egër

 

ku e gjet, o Zot!

atë penë që në vend të ngjyrës së ëmbël

rrjedh helm e lot

 

 

 

Trupi i shpluar

 

Mos je ti ai Anonimi

autor i letrës së humbur

që koha e ardhshme e hapi

dhe e shpaloi si trupin

me plagën e sëmurë

të urrejtjes sate

 

rresht i parë i saj

homo hominus lupus est

e ujku me përrallë në shkallë

në legjendë më lë pas dore

para syve sa qeshë gjallë

 

mos je ti ai që ia lë testament

brezit tënd që lind i pafajshëm

këtë shkrim të zi të zi të zi

si dëshmi të verbërisë sate

dhe urrejtjes

 

koha shëron

po fjalët nuk vdesin në Libër

ngjyra e zezë e shkrimit tënd

ruhet nëpër rafte

 

mos je ti ai që e shkrive vajin

e fike zjarrin

e nxive kohën që mbeti harresë

dhe dëshmi e verbësisë sate

Ku të të gjejnë

të të përgjigjen

s’je sot s’je nesër

shpalohet vetëm turpi yt

 

 

 

Thashë

 

Mos i numëro vitet me njerëzit egoistë

ata ta humbin baraspeshën

lëvdatë e zhveshur janë.

 

Dikush tha. Vetëm dashuria mbetet

si kundërvlerë e së kaluarës

me çka ta këmbejmë pastaj?

 

Vetëm dashuria numërohet jetë.

 

Thonë. Sëmundje e kohës është kjo

kohën që s’mund ta kthesh më

e godet nostalgjia.

 

Çka thanë për shpresën?

çdo lindje e diellit është një ditë me shpresë

bukë e shpresë sa të duash.

 

Vit i thyeshëm, apo çka tjetër?

Vijnë të më tregojnë!

 

 

 

Frika

 

Çka mund të blejë me pagën mujore

një dozë frikë kushton më së liri,

është produkt vendor

 

në tregun ku blejnë të gjithë, shitet propaganda

produkti më i lirë vendor

 

ata që s’kanë pagë, frikën e marrin falas

të fabrikuar e marrin, produkt i përdorur.

 

prej pagës sime më mbesin copëza kusuri

mund ta blejë dhe shtypin me foto politikash

 

frika mbetet  malli më i lirë, e shesin dhe e blejnë shumica

 

në Ankandin  politik të gjitha shiten

vetëm frika ndahet falas.

 

 

 

Natë dimri

 

Krejt çka shkruan dora ime e dridhur

e nxora nga herbariumi

ujë të pi fjala ime thashë

dhe ky rrëfimi im mesditë prej shtëpisë

prej nga e shoh të frikshëm

tokën e tim ati

 

fjalët bëjnë natë dimri

i ftohtë janari ngrinë mendimet

kotësia e kujtimit heshtur

riprodhon dhembjen shpërfytyruar

 

edhe njëherë të ç’veshur

e shoh vendin tim, tokën time

vendin ta zbrazin matrapazët

këtë punë kanë ata

 

dita me bërtitmë e lodhur rri në këmbë

fjalë grisin çka tjetër pos fjalë

a  këndon zemra e zbrazur

diku rrahin kambanarët

Zoti pikëllohet për të dashurit

 

i kaltër qielli

e verdhë është shpresa e kaluara e jonë

herë errët herë bën shenjë drite

 

si të dalim nga shtrati i ftohtë

pa mbulesë

po mëkati, kënd e zë  mëkati i huaj

 

poetët  reflektojnë  dashuri

dashuria e ruan edhe Atdheun

Atdheu i ruan zogjtë e vetë si në kuvli.

                 

 

 

 

Letërpostalja

 

Sa ta kapë syri kasollen time

jehona e thirrjes telefon të zgjon

zëri im i ëndrrës

 

ku po shkon

përgjithmonë dashuria si pema

e pëson me rrënjën e gjethit

në baltën e njomë

 

S’di të shkruaj zemra ime

as syri yt të lexojë

 

 

 

Virtyti

 

Besimi është, virtyt

–  ta ruajmë

virtyti  është, dashuri

–  ta kultivojmë

dashuria është, reflektim

–  ta shprehim

reflektimi është vetë njeriu

–  ta ndihmojmë

njeriu është krijesa më delikate

–  ta çmojmë

toka ku shkelim, e mban jetën

–  ta përpunojmë.

jeta është premtim

–  ta pranojmë

Krijuesi është në figurën tonë

–  ta adhurojmë

ku është besimi, virtyti, dashuria,

është  jeta, premtimi, paqja,  mirësia.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s