70-vjetori i shkollës ushtarake “Skënderbej” / Nga Mëhill Ndrepepa

p 1

 

70-vjetori i shkollës ushtarake “Skënderbej”

 

Nga Mëhill Ndrepepa

 

Në përvjetorin e 70 –të të krijimit të Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, më shumë shkrime të ngrohta, është sjellë historia dhe përvoja e shquar e njërës prej shkollave tona më cilësore të arsimit të përgjithshëm. Kam pasur prej kohësh dëshirën për të sjellë edhe në shtyp disa vlerësime që nuk janë thjesht detaje, por pjesë e asaj tabloje të madhe. Fjala është për maturën, në të cilën pata fatin të jem dhe unë, matura e vitit 1963. Rastësisht, por dhe krenarisht, ne kemi moshën e shkollës së lavdishme “Skenderbej”. Ky ka qenë edhe një faktor më tepër për të na mbajtur shpirtërisht të lidhur në dekada me atë vatër të ngrohtë.

Ishte fundgushti i vitit 1959, kur nga të gjitha anët e Shqipërisë erdhëm 240 adoleshentë, por shkollën që na priste, e gjetëm të “pjekur” e të formuar më së miri. Në bankat e saj kishte maturuar suksesshëm gjashtë breza, duke shkruar histori në fushën e arsimit dhe të edukimit.

Gjysmë shekulli, që kur lamë bankat e asaj shkolle, duket dhe është kohë e gjatë, kur e artikulon, por vitet rrodhën aq shpejt. Rrjedha e tyre ndoshta ka zbehur imtësi nga kujtesa, por asgjë nga shoqëria dhe miqësia jonë, asgjë nga mirënjohja për gjithçka na dha ajo shkollë e madhe, asgjë nga nderimi për edukatorët e mësuesit tanë të mrekullueshëm, ndoshta shumë të rrallë si ata në kohët pasardhëse, për nga aftësia profesionale, takti pedagogjik, shqetësimi i përhershëm për të na dhënë dije të gjera e të qëndrueshme, për të na orientuar me shumë kujdes në prirjet tona, për të na bashkuar me dashuri të ndërsjellë, për të na dhënë qytetari, kulturë e atdhedashuri të zjarrtë.

Nuk i kemi harruar kurrë dhe u jemi mirënjohës me shumë sinqeritet dhe atyre që na dhanë shkallë-shkallë edukatën ushtarake dhe dashurinë për këtë profesion të vështirë, por fisnik. Ne morëm arsim, specializim, grada e detyra të larta, por para tyre si dhe para profesorëve, kurdoherë jemi përulur me nderim.

Pesëdhjetë e dy vjet më parë u shpërndamë për të ndjekur arsimimin dhe kualifikimet e mëtejshme, por u shpërndamë për të mos u harruar dhe kështu ndodhi vërtetë. Një pjesë vijoi në grupe specialiteti, duke qenë përsëri afër. Herë-herë jemi takuar në veprimtari të përbashkëta a në vende të njëjta pune, jemi takuar edhe rastësisht, por gjithmonë si vëllezër. E kjo na ka mbushur me kënaqësi.

Por brengosemi thellë për faktin se disa nga shokët tanë, nuk do të mund të vijnë kurrë më në festimet jubilare, nuk do të jenë dhe disa nga pedagogët dhe komandantët tanë të mire, pasi janë ndarë nga jeta. Shpirtërisht do t`i kemi pranë gjithnjë.

Koha e mbi 50 vjetëve, kur u konsideruam të maturuar, për ne nuk mbeti thjesht një fakt për t`u kujtuar në jetëshkrimet tona. Edhe pse morëm drejtime, profesione e detyra të ndryshme, mbetëm gjithnjë ata shokë të afërt, të sinqertë si atëherë, po aq solidarë e dashamirë. Rritjen dhe arritjet e njeri-tjetrit i pamë me krenari si tonat, larg çdo ambicieje, individualizmi a karrierizmi negativ. Nuk e pamë njeri-tjetrin as nga pika të ulëta as nga pika të larta, por si shokë, skënderbegas tipikë, me marrëdhënie cilësisht të veçanta midis nesh, por dhe me të tjerët, pa shkelur asnjë normë ligjore, shtetërore apo shoqërore.

I fituam këto cilësi të shquara njerëzore, në atë mjedis e në ato banka, na i dhanë pa kursim e me zotësi edukatorët tanë dhe të gjithë ata që punuan në atë institucion, të shquar deri në lavdi. Ne e vlerësuam kujdesin e përparësitë që na jepte shteti dhe sistemi arsimor e ushtarak e në çdo rrethanë, të vështirësisë a të suksesit, kishim në mendje dhe në shpirt motivin e të qenit skënderbegas. Përgjatë 50 vjetëve, kemi thënë jo pa mburrje se kemi kryer shkollën ushtarake “Skenderbej”, kur ka qenë komandant, kolonel Luto Haxhiu, ushtaraku korrekt, i sjellshëm dhe me kulturë të admirueshme, aq i dashur dhe i afërt më ne. Po kështu themi se morëm maturën duke pasur drejtor Stavri Angjelin, figurën e të cilit e mbajmë për shumë të nderuar. E quajmë për nder se kemi qenë nxënës të Gaqo Dilos, Drita Hajros, Viron Cinxos, Kozma Vasilit, Llazar Mbreshtanakut, Viron Tanes, Gjylizare Çiços, Sadete Kasës, Flutura Xoxes, Violeta Mejdanit, që na mësuan aq mirë, na shtruan kërkesa të larta e na ndihmuan t`i kapërcejmë, na dhanë me dashuri e përkushtim arsimin e mesëm shumë cilësor dhe edukatën e shëndoshë që na vlejti aq shumë në këto vite.

Duke qenë një nga sportistët e shkollës dhe të “Partizanit”, besoj dhe në emrin e sportistëve të tjerë e të çdo nxënësi prej nesh, shpreh një mirënjohje të veçantë për mësuesit tanë të edukimit fizik Ismet Bellova, Bejkush Birçe, Sokol Morina, Bujar Bujari e Tomor Dibra, të cilët na lidhën me botën e madhe të sportit, na dhanë një përgatitje aq të shëndetshme që na shoqëroi e na vlejti gjithë këto vite.

Ndërkaq, ne ua shpërblyem mësuesve, komandantëve, punonjësve të palodhur e sidomos kujdesit të shtetit, jo vetëm me mirënjohje por dhe duke punuar me ndershmëri e aftësi kudo. Me shumë kënaqësi pohojmë sot para edukatorëve tanë se, të gjithë shokët ruajtën figurë dinjitoze, të pastër dhe nuk u përlyen në asgjë negative. Morëm diplomën e maturimit në vitin 1963, por nuk reshtëm së mësuari asnjëherë në këto vite, kur jemi gjyshër, për të qenë si atëherë në vijë të parë, siç qe e terë shkolla jonë.

Një numër, në masën e një klase, kreu studime universitare në degë të ndryshme nga të cilët 12 për inxhinieri, të tjerët kryen Akademinë e Mbrojtjes, morën tituj e grada shkencore, u bënë pedagogë në Akademinë e Forcave Tokësore, në atë të Mbrojtjes, madje dhe në Universitetin e Tiranës. Rreth 25 nga shokët tanë morën dhe kryen me sukses detyra të larta, komandantë e komisarë brigadash e divizionesh, drejtorë në Ministrinë e Mbrojtjes, kudo më aftësi të admirueshme.

Realisht nuk mund të ishim të barabartë, për arsye individuale a rrethanore, por në të vërtetë disa qenë të suksesshëm në detyra ushtarake e shtetërore (të mirë ishim të gjithë). Rasti më jep të drejtën të përmend vetëm disa nga shokët e dalluar në mësime, si Novruz Sako, Çlirim Tira, Vasil Nanushi, Bardhyl Mezini, Xhevahir Bakalli, Roland Paluka, Murat Xhani etj.

Personalisht mendoj, por besoj se edhe të tjerë e thonë me shumë mirësi: “Kam qenë në një maturë me Prof. Dr. Kostaq Karolin, gjeneralin e parë në Forcat e Armatosura, pas rivendosjes së gradave ushtarake e me detyra të tjera të larta: pedagog në Akademi, komandant brigade, komandant i Akademisë, shef i Shtabit të Përgjithshëm, komandant i Forcave Tokësore.

Kemi kënaqësi deri në mburrje të themi se prof. Myslim Pasha ka qenë shok i klasës sonë, ai që u ngrit me guxim të veçantë, me kurajë prej skënderbegasi, me aftësi të spikatura teorike e teknike, në atë përballje heroike në mbrojtje të hapësirës sonë detare. Myslim Pasha u shpall meritueshëm “Njeriu i vitit 2010”. Shtypi më serioz, midis shumë të tjerave, e ka vlerësuar: “Ajo ishte betejë e kolonel Myslim Pashës, një figurë e nderuar fisnike, që ia doli i vetëm të bënte atë që nuk e beri dot shteti” (M. Baze, “Tema”).Te ky akt arriti jo rastësisht, sepse Myslimi është njeri me shpirt të flakët atdhetarie, me interesa të gjera; inxhinier, Dr. Prof, drejtor i Institutit të Gjeografisë Ushtarake, duke lënë në të gjurme të një pune të madhe. Njeri nga shokët e tij të specialitetit e thotë: “Ne ishim të aftë, ai ishte shkencëtar”. E më në fund është dhe autor shumë krijimeve artistike.

Mund të vijonim për të vlerësuar edhe shumë të tjerë që do të donte një libër të madh, i përgëzojmë dhe u jemi mirënjohës. Do të ishte shumë më i këndshëm ky përvjetor, nëse do të mund të bëhej, në Shkollën tonë, në mjediset ku kaluam katër vjet. Nuk mund ta mendonim as ta besonim se ky monument historik, krenari e arsimit tone, do të zhdukej me aq cinizëm, a thua ka “prodhuar” kriminelë dhe jo një armatë kuadrosh nga më të diturit e më atdhetarët, me kontribute të çmuara në jetën e vendit. Ajo shkollë nuk ekziston më, por askush nuk mund ta errësojë lavdinë e saj.

Ne nuk jemi nostalgjikë për shumë e shumë gjera të së kaluarës, por traditat e mira nuk mund t`i harrojmë e mohojmë. Tek ato kapemi ashtu siç duhet, me gjykim të shëndoshë e realist. Për fat të keq, shumë mendje të çoroditura e dashakeqe nuk e kanë kuptuar dhe nuk duan ta kuptojnë shpirtin e rrallë dhe thellësisht demokrat të skënderbegasit, ku valon vetëm e përparuara dhe atdhedashuria.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s