“ATDHEUT I KAM BORXH JETËN…” (E vërteta, në poezitë e Rrapo Këlliçit) / Nga: SEJDO HARKA

 “ATDHEUT I KAM BORXH JETËN…”

(E vërteta, në poezitë e Rrapo Këlliçit)

 

Nga: SEJDO HARKA

 

 

sejdo Harka

S.Harka, publicist-Tiranë

 

Nuk ka shumë ditë qëkur u nda përgjithnjë nga jeta, poeti përmetar Rrapo Këlliçi. Në nderim e kujtim të tij, më poshtë po botojmë një shënim për librin me 160 faqe dhe me titullin “Flladet e vjeshtës”(Tiranë, 2006).

Ai lindi më 23 prill 1943, në fshatin Leskaj të Përmetit. Mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”, në Gjirokastër dhe pastaj shërbeu mësues në disa shkolla të rrethit Përmet. Në vitin 1981, u diplomua për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës dhe dy vjet më vonë kreu studimet psuniversitare për filozofi.  Në vitet e fundit jetoi në Tiranë e dha mësim në shkollat e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” dhe “Eqrem Çabej”. Ka botuar librat “Bardhi piktor”, “Alo, Alo!” dhe “Mëngjese e perëndime”. Ky është libri i katërt i tij.

 

                                              x   x   x

Të shkruash për poezitë e Rrapo Rëlliçit,në radhë të parë, duhet ta njohësh mirë  shpirtin e tij.Për këtë, mjafton të lexosh  vargjet :”Nga jashtë, jam i ashpër si stralli,/Shkëndija , flakë e dritë në gji mbaj,/Si t’i kam zemër ,nuk jam një copë zall…/Cingërisëm pak…/Më puth/ të shohësh sa ëmbël di të qesh apo të qaj”,me të cilët mbyll poezinë “Autoportret”. Sado fjalë të bukura të përdorësh për të karakterizuar portretin  poetik tij,ato do të tingëllonin të paplota,para vargjeve të mësipërm , të cilët e pikturojnë, jo vetëm autorin, por dhe kredon e tij poetike. Në këto vargje, ai shfaqet sa i ashpër aq dhe i butë, sa rrebel , aq dhe i arsyeshëm ,sa i egër aq dhe njerëzor ,me shpirt të bardhë si bora.

Për të vërtetën është thënë e shkruar shumë. Populli, për të theksuar pavdekësinë e saj, ka krijuar një mori aforizmash dhe sentencash filozofike, të tilla si “E vërteta zhytet, por nuk mbytet”. Vërtetësia e kësaj thënieje është absolute. Askush nuk ka mundur ta varrosë përjetësisht të vërtetën ,edhe kur mbi të derdhen male me shkëmbinj e baltë. Atë nuk e kanë  helmuar as gjarpërinjtë ,që mbytën Laokontin, i cili guxoi të thoshte të vërtetën për Kalin e Trojës.

 

rr 1

Ballinat e librit poetik të Rrapo Këlliçit…

 

Rrapo Këlliçi është autor i katër librave me poezi. Ato, që e kanë bërë të njohur në botën e letrave, janë vëllimet “ Mëngjese dhe perëndime” dhe “ Flladet e vjeshtës”, të clët kanë dalë në qarkullim kohët e fundit.Tematika e krijimtarisë së tij është sa e gjerë,aq dhe aktuale.Kredoja e poetike e saj është e vërteta dhe pavdekësia e saj. Për këtë poet, e vërteta mund të baltoset ,por nuk “ndryshket”, mund të gjakoset e mbytet ,por nuk vdes kurrë. Ja ç’shkruan autori për pavdekësinë e saj: “Mëngjese dhe perëndime janë dashuritë,/ Mëngjese dhe perëndime kanë qeveritë, /mëngjese dhe përëndime ka gjithë jeta,/veç lindë dhe s’vdes kurrë,/vetëm e vërteta”.Autori dëshiron ta shohë të vërtetën në sy.Atë e gjen te dashuria dhe miqësia e sinqertë , te bukuritë e shpirtit dhe besa e fjalës, te poezia dhe trupi nudo,te kthjelltësia e syve dhe mendimi i qartë, dhe jo te falsiteti  e gënjeshtra, xhelozia dhe hipokrizia , te  grykësia dhe përçmimi. Ndaj ai shkruan:”I  urrej/ xhelozitë, /mëritë”, sepse ato e zbrazin dhe e brejnë shpritin e njeriut,si krimbi mollën. Ndërsa më poshtë vazhdon:”I dua miqësitë, /dashuritë”,që fatkeqësisht janë “mungesat e kohës”. Të vërtetën autori e gjen tek e dashura e zemrës ,për të cilën thurë vargjet më të bukura:”Të dua  të bukur, si drita e ylberit,/të dua me shpirt/si beben e syrit,/të dua të pastër,të çelur/si zemra pa borxhe”.Autori, të dashurën e çmon,”edhe kur qeshë edhe kur qan/edhe kur qetësinë ia prishë/ edhe kur shan”. Por, “që të mos mbetet si akullnajë /vetëm indiferentizmin s’ia fal”.

Poezia e tij e ndjenjës është  sa tradicionale, aq dhe moderne. Në to, bashkëjeton koncepsioni i Naimit, me atë të Eseninit, për dashurinë. Në poezinë “Përjetësi”,dashurinë e koncepton të përjetshme , gjë që e shpreh në vargjet:” Ç’u plekse kështu me mua,/ Si pjergulla pas lisit të vjetër?/ As ti s’shqitesh, /As unë s’dua/ të pranoj kalorës tjetër…”. Për të, dashuria është përmendore. Për njeriun e zemrës, ai shkruan:”Le të vdesim të dy në një ditë,/ Në heshtje dashurisë ne i ngritëm përmendore”!Megjithatë ,autori nuk mbetet rob arkaik i dashurisë,që shuhet si flaka e kashtës pas shiut .Në poezinë “Kërkoj”,ai përputhet me ndjesinë e Eseninit për dashurinë,sipas së cilës njeriu,për të gjetur dashurinë e vërtetë ,kërkon tërë jetën.Aq më tepër sot,kur jorrallë, dashuria  shitet e blihet me para.Ndaj  poeti shkruan:”Kërkoj dikë  të ndjekë gjurmët e mija/…në rrugë më lënë,s’u bëmë kurrë dy./Ta gjejmë,/ta ndjejmë,/ku është dashuria”! 

Ndjenja më e veçantë njerëzore, për autorin, është dashuria për nënën .Ajo është sa tokësore aq dhe qiellore . Në vargjet:”Në i fala kaq dashuri Hënës./Dhe s’ndahem prej saj asnjëherë,/e dua se më ka emrin e Nënës,/të dyja  të bukura/…  pranverë mbi pranverë”, autori  nëpërmjet një paralelizmi të bukur figurativ, e vë shejën e barazimit  ndërmjet nënës së tij dhe Hënës, të cilat i bashkon bukuria  e rrallë.

Edhe lirinë e do të  vërtetë e jo fasadë e falsitet. Për të, liria është : “Enigma më e madhe e kohërave, /dashuria më e madhe e brezave,/ krahu më i fuqishëm i shpendëve”. Prandaj ai e thërret:”Eja e pastër,  pa maska , veshje e stoli,/siç  lind fëmija nga nëna/e thjeshtë /Nudo…Liri”. Autorin e frymëzojnë e bukura dhe e mira, sinqeriteti dhe ndershmëria, komizmi dhe tragjizmi i jetës. Në penën e tij ato marrin vlerën e sentencave filozofike gjithëkohore, si p.sh:”Vdekja është më e shtrenjtë se jeta”, “Kush di të vuajë, s’ka frikë nga vdekja”etj.

Simbol i së vërtetës  dhe bukurisë shpirtërore , i mençurisë dhe sinqeritetit për autorin, është bërë Naim Frashëri, cili për të është “lule, që s’vyshket kurrë”dhe”bilbili i gjuhës dhe i poezisë shqipe”.Autori vendosë raporte të drejta ndërmjet njeriut e Atdheut, të vërtetës dhe jetës. Me njerëzit ai shlyhet ,kur u thotë të vërtetën, ndërsa për Atdheun e falë  edhe  jetën.

Në krijimtarinë e Këllçit, krahas poezisë  së pejsazhit, gjejmë të lëvruar edhe poezinë e meditimit, siç është ajo me titullin ”Një fije floku”, ku autori mediton për lindjen dhe vdekjen, për jetën, të vërtetat dhe paradokset e saj, për kohën , ndryshueshmëriënë , shndërrmin dhe vlerat e saj.

Autori, ashtu siç i respekton njerëzit, që e vlerësojnë dhe e mbrojnë të vërtetën, po me aq force i fshikullon ata, që e shtrembërojnë atë. Mbytësit e së vërtetës janë gënjeshtarët, hipokritët, egoistëst ,sadistët dhe grykësit. Hipokritët.ta qajnë hallin, kur hiqesh zvarrë.Ndërsa, “kur të dhëmb shpirti,/të quajnë të marrë!”.Grykësit, “si  krimba lëvrijnë në kërma e pleh”, ndërsa servilët dhe egoistët.”si qeni, vetëm për vete lehin”.Për autorin, bartës kryesorë të këtyre veseve janë politikanët dhe pushtetarët ,të cilët janë shkaktarë të varfërisë dhe amullisë ,të deforimit të votës, të gjallërimit të korrupsionit dhe krimit, duke errësuar të vërteten. Në poezinë me titull ‘”Politikanëve”, ai u drejtohet me pyetjet retorike:”A  keni sy e veshë, zotërinj politikanë?!/Si nuk u vjen keq, kur e shihni…Atdheun, që përpëlitet si zogu në mes të llohës” ?!”Ata,edhe kur “përgjërohen” për popullin, “çirren për kolltuk e para”. Politikanët  dhe pushtetarët e korruptuar janë ata, që “…me gjakun tonë bëjnë tregëti ,ata që edhe zanat  i nxorën në pazare rrospish”. Ata, që “as gjak, as nder, s’na lanë në faqe”. Në vend që të gjenerojnë qetësi e paqe, “i gjakosin e vrasin njerëzit ,si në përralla me kuçedra”. .Është kjo   arsyeja ,që autori shpërthen nga zemërimi: “Edhe në xhungël ka më shumë qetësi, /më shumë mirëkuptim mes shumë egërsirash”. Protesta e autorit e arrin kulmin në  vargjet:”Na lodhët!  Na vodhët! Duam paqe”!

Për t’i fshikulluar veset e njeriut , autori  krijon shumë fabula të bukura. Edhe pse narracioni e karakteret janë të njohura, në trilin e tij krijues marrin vlera të papërsëritshme . Nëpërmjet tyre përçohen mesazhe unviersale e tepër aktuale. Mund të themi se fabulat janë krijimet më të bukura poetike të Rr.Këlliçit. Pas bëmave dhe veseve të kafshëve fshihen karakteret  njerëzore. Kështu, pas mizës, e cila për të ndyrë dhallin, mbytet në të, fshikullon mburravecët sadistë, të cilët për t’u bërë keq të tjerëve, sakrifikojnë dhe veten.Pas këpushës  së shtypur nga lopa, së cilës i pi gjakun , kur zhgërryhet ledheve, fshihet njeriu, që fryhet e pasurohet, duke pirë gjakun  e të tjerëve.

Një nga fabulat më të bukura të krijimtarisë së këtij autori është ajo me titullin “Ujku rojtar” , Narracioni i saj është sa i bukur ,aq dhe tallës, sa i vërtetë aq dhe paradoksal. Vesi i grykësit, herë duket sikur kalon nga egërsiarat te njerëzit  e herë nga njerëzit te egërsirat, por kjo e fundit duket më finoke.Për të treguar rrjedhën e  narracionit të fabulës, po citojmë disa vargje. “Ca mishngrënës ndanin gjahun, njëri kofshën ,tjetri krahun”. Ata ,u grindën kaq shumë me njëri- tjetrin, “sa tundi vendin shamataja,/ për mëlçitë u bë hataja”. Në këto cast, ujku  thotë:” Mos u zini, ja u ruaj unë,/ sa të merrni një sy gjumë”. Kur egërisrat u zgjuan të uritura dhe kërkojnë pjesën, ujku u përgjigjet me sentencën  e mençurisë popullore: “Ç’pjesë kërkoni, or qyqarë,/ kini parë ujqër rojëtarë”?

Poezia e Rrapo Këlliçit është e çiltër ,sponatne dhe tepër e ndjeshme. Ajo vjen natyrshëm ea sforcime, me fjalë, shprehje e figura të kërkuara . Brendia  e saj mban shqetësimin e njeriut të kohës për Kombin dhe formimin e tij,për fatin e Kosovës dhe të Çamërisë , për krijimin e një shteti unik dhe të një shoqërie të përparuar. Në to, gjallon dashuria njerëzore, freskia e maleve të vendlindjes, shushurima e dallgëve të Vjosës, ëmbëlsia e vargjeve të Naimit dhe shpirti i ngrohtë i njerëzve të atyre anëve. Autorin e ngazëllen gjithçka e mirë dhe e nervozon gjithçka e keqe ,që e pengon njeriun dhe shoqërinë të ecë përpara. Për t’i afirmuar virtytet më të mira të njeriut , autori  fshikullon vese të tilla të tij, si  gënjeshtra, hipoktrizia, servilizmi, egoizmi e sadizmi, të cilat i mjergullojnë shpirtin  dhe i turbullojnë mendjen. Herë me humor e herë me ironi e sarkazma, autori synon ta zhveshë njeriun nga veset dhe të këqijat , për ta bërë pjesë të ndryshimeve të mëdha të kohës. Gjuha e përdorur është e bukur dhe me një figuracion të pasur.Është kjo arsyeja, që poezitë e këtij autori i mbeten lexuesit në mendje , si një këngë e bukur, edhe kur dëgjohet për herë të parë.Poezitë e Rr.Këlliçit dallohen ,jo vetëm për origjinalitetin e papërsëritshëm, por edhe për shumëllojshmërinë e vargjeve dhe të strofave.Nervi poetik i autorit  është sa spontan,aq dhe i kultivuar në vite,që tregon  pjekurinë e një poeti të formuar.

 

Tiranë, mars 2015

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s