Cikël poetik nga Adem Zaplluzha

 

adem

Cikël poetik nga Adem Zaplluzha

 

 

 

KUR NUK VJEN TI

 

Kur nuk vjen ti

Nata është e aq e gjatë

Sa që pashmangshëm i përngjan

Atyre netëve të thikave

Kur çaheshin drurët nga dhembja

 

Lëvizin damarët

Tmerrshëm lëvizë frymëmarrja

Nga degët e vetmuara të yjeve

Shkunden gjethet e mbrëmjes

 

Një gjysmë hëne noton diku për në askund

Por nuk ndalet si ora e vjetër në stacion

Noton nëpër mjegullat e çmendura

Si trenat e verbër

Ecën nëpër shpirtin e thyer të reve

 

Dikur vonë kur mbërrin trenat në stacion

Shoh se ti nuk je në mes të  njerëzve

Dhe valixheve të drunjta

 

Pas mesnate kur udhëtarët

Shpërndahen të vetmuar

Secili shikon punën e vet

Përpos meje dhe pritjes

Askush s’merr frymë pranë binarëve.

 

 

 

 

SIVJET PËR HERË TË PARË

 

Po bien

S’pushojnë shkundjet e gjetheve

Si perënditë e përrallave

Po vdesin fluturat e bardha

Një ylber te kujtesa

Thurë xhemperin  e një stine të vrarë

 

Sivjet për herë të parë

Kaluan zbathur këndej pari dimrat

Kaluan edhe acaret

Ngarkuar me trishtim

Një zog i vetmuar

Mbi një çati të stinës

I përcillte për në atdhe lejlekët e vonuar

 

Po bien

Nëpër sheshet e qyteteve

Po bien përmendoret

Një kohë e bronztë shkrihet në hapësirë

Nga shpirtrat e kolonadave

Si nëpër  tregime të lashta

Ringjallen perëndit e vdekur.

 

 

 

 

ME PLAGË TË PASHËRUARA

 

O kush jeni ju të më mësoni

Se si duken prangat

Dyzet e katër vjet jetova i prangosur

Si luani në kafaz

Dhe akoma kam mbetur

Me plagë të pashëruara

 

Nuk më besoni por lindja ime

Ishte një trishtim i paharruar

Nën rrogozin  e vuajtjes

Dhembja lëshonte gjëmën e përditshmërisë

Dhe ju sot më tregoni

Se si duhet me e dashtë atdheun

 

O kush jeni ju të më mësoni

Se atdheu është një peng

Që të mban

Dhe nuk të lëshon asnjëherë

Mbi katër dekada e barta gurin e pikëllimit

Dhe gjumin kurrë nuk e pata gjumë

Me sy të mbyllur e ëndërroja lirinë
O kush ishit ju që nga faqet e abetares

Deshët të mi zbritni germat

Dhe si lugetërit e zinj

Ma kafshuat palcën deri në asht

 

Unë asgjë nuk desha

Më shumë se ju në jetën time

Desha vetëm të jem një njeri i lirë

Në atdheun tim të robëruar.

 

 

 
KUR ISHIM TË RINJ

 

Kur u plakëm

Bisedat i patëm të gjata

Por as bastunët nuk na dëgjonin

Kishim harruar

Se si shkruhen letrat e dashurisë

 

Na ikën kohërat

Nuk na njeh as amalgama e pasqyrës

Si ajri i pastër i dimrit të kristaltë

Jemi të tejdukshëm

Nëpër trupin dhe shpirtin tonë

Si hijet hynë dhe dalin njerëzit

 

Tani më të njohurit tanë kanë ndryshuar

Janë pakëz më të çuditshëm

Se sa çfarë ishim ne

U përngjajnë kukullave të dyllta

Nëpër vitrinat e pista të shpirtit

 

Kur ishim të rinj

Aq pak probleme kishim

Sa që u përngjanim fluturave të egra

Depërtonim nëpër shpirtin e çdo flake

Që kallej si malli i nuses

Në zemrën e brishtë të shpresës.

 

 

 

 

NJË DITË

 

Një ditë ndoshta që nesër

Ne do gjejmë një vend

Ndoshta do jetë prehri i ndonjë druri

Ku mund t’i mbështesim

Kokat tona

 

Jemi lodhur

Aq shumë jemi të lodhur

Sa që shpirti i jonë delikat

Po bëhet copë e grimë

Në lotin e kristaltë të erës

 

Një ditë ndoshta që nesër

Do kthehemi në baltë

Nga e cila erdhëm

 

Jemi sfilitur

Dhe mbetur pa miq

S’kemi me kënd të luajmë

Një lojë shahu

Më kujtohet

Kur për mbretëreshën

I flijonim kuajt dhe oficerët

Një ditë në përrallat e gjetheve

Ne do të gjejmë një vend

Ku mund të pushojnë

Shpirtrat delikat të njerëzve

Dhe pemëve që ecin vertikalisht.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s