Shtëpia Botuese “ADA” publikon librin “ABSURDI MBRETËROR” ( Artikuj kritikë. Ese. Këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut) të autorit BARDHYL AJAZI / ABSURDI MBRETËROR – recension nga Konstandin Dhamo

 11052229_10205087882669413_5751069640030398813_n

         Shtëpia Botuese “ADA” publikon librin  “ABSURDI MBRETËROR”   ( Artikuj kritikë. Ese. Këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut) të autorit BARDHYL AJAZI  .

 

 

Titulli : ABSURDI MBRETËROR

Artikuj kritikë. Ese. Këndvështrime për
krijimtarinë e Shefki Karadakut
Mblodhi ideoi:
BARDHYL AJAZI
Korrektor: Aleks Gjinaj
Punoi në kompjuter: Enkeleida Misha
Botimi i parë, 2015
ISBN: 978-9928-193-64-3
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 12.5×20.5cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit
Tirazhi 200 kopje
Botimet ADA
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Nasi Pavllo Nr.20
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, mars 2015

ABSURDI MBRETËROR
Gazeta “Drita”, 3 prill 2005

 

 

images

Konstandin Dhamo
Shkrimtar, studiues

OSBE/UNICEF/UNHCR/USAID/UNDP…
Çfarë inicialesh nuk lexon sot qytetari shqiptar mbi sipërfaqet vezulluese të makinave të organizmave, nga më të ndryshmet, ndërkombëtare të instaluara në kryeqytet, apo edhe gjetkë! Kush kërkoi të vendoset në Shqipëri dhe nuk u lejua? Kujt misionari fetar iu tha se, nuk ke punë këtu, sepse, të besimit tënd nuk gjen as edhe një person të vetëm?
Por qeveritarët tanë, tradicionalisht antikombëtarë, nuk kanë ndër mend t’i bien murit me kokë dhe ta thyejnë dritën e blertë të semaforit europian, apo edhe të atij atlantik… Aq më tepër që, ekzistenca e këtyre organizmave në vend u mundëson një komoditet të madh, kur u lypset të paraqiten sa më të besueshëm dhe sa më entuziastë për të ardhmen, në tribunat elektorale, përballë një populli që i ka pëlqyer veçse të ëndërrojë dhe të adhurojë nën trysninë e një frike të përhershme.
UNHCR/ UNICEF/ OSBE…
Por n’ intimitet, apo edhe më gjerë, në drekat dhe darkat e pafundme, folklorike, gjithë yndyrë dhe alkool, këta qeveritarët tanë, që e parfumojnë injorancën dhe djersën prej provinciali me parfum Al Capone, apo ku e di unë me çfarë tjetër, tallen me veprimtarinë dhe sugjerimet e këtyre organizmave, ndërsa shefat e tyre i shajnë me mllef, duke i damkosur me lloj-lloj nofkash, të huazuara nga zhargoni i hajnisë.
Dhe mirë ua bëjnë, sepse edhe ata, si shumë syleshë duken përpara marifetçinjve ballkanas, që nuk të lënë lëkurë pa ta rrjepur…
Por, ç’po bëhet?
Nga fillimi i viteve nëntëdhjetë, e gjer më tani, që ka hyrë paq mijëvjeçari i ri, i rikaluam të gjitha epokat historike shqiptare në mënyrë të përshpejtuar dhe me stade të reduktuar, herë-herë edhe me një stil gati teatror, herë-herë edhe në trajta shfaqjesh simulative… Luftuam më shumë kundër njëri-tjetrit, apo kundër pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore? Eh, duke analizuar atë çka ndodhi më 1997-n…
Ku ishte ushtria kombëtare më 1939? Ku ishte më 1997, më 1998? Po policia e shtetit, po Garda Kombëtare, ku ishin më ’97-n, apo ’98-n?… Ne, që i përjetuam vetë gjithë këto mynxyra, pseudopatriotizmat, pseudotrimëritë, pseudoheroizmat, pseudot pa fund, zor se na e mbush mendjen ndokush me përrallat me të cilat jemi përkulur gjer tani. Ajo daullja e madhe që na ka zhbiriluar veshët gjithë jetën, le të gjëmojë më pak, madje, le të pushojë ca, sepse vdiqëm nga pordhacllëku e nuk po e gjejmë e nuk po e gjejmë dot udhën e Zotit…
OPOPO/UPUPU/LALALA…
Romani më i fundit “Sagë Mbretërore”, i shkrimtarit të mirënjohur, Shefki Karadaku, të shqetëson gjatë e gjatë (ai ngërthen mbi 500 faqe) me mesazhet që përcjell. Dhe nuk mund të kesh (për fat të keq!) vetëm shqetësime artistike, gjithsesi të këndshme; shqetësimet gjatë nxënies së këtij libri thellohen gjer në patologji.
Një popull, sa ksenoman, aq edhe ksenofob, sa qesharak e dallkauk, aq edhe stoik, i rreptë, dhe rebel, sa familjar, aq edhe aventurier dhe i pambledhur, i mbytur në një amalgamë tragjikomike, vë çdoherë në krye të tij ca qenie që lodhen e mërziten shpejt nga statura zyrtare, mërziten nga kollarisjet, nga uniformat, ceremonitë, suitat, korrespondencat, delegacionet, dhe nguten të hyjnë në historinë orale teksa vriten në luftëra të pambarueshme vëllazërore. Dhe vijnë të huajt, që mezi i presim të na ndajnë, të na vënë rregull e të na japin një kothere bukë dhe që shumë shpejt, mezi presim përsëri t’i përzëmë si të padëshiruar, si të urrejtshëm dhe, madje si armiq… Aq njëtrajtësisht përsëritet historia, aq fatalisht njëtrajtësisht sa, të duket sikur personazhet e Shefki Karadakut nuk janë veçse po ata aktorë që hyjnë e dalin në skenë për të luajtur të njëjtin rol, ndonëse me veshje të ndryshme, të cilat rendin dhe i marrin diku në prapaskenë, në një rekuizitë të errët, që bie era myk. Llandonë dhe pajtona gjithfarësoj, vetura dhe vaporë, madje edhe avionë dhe autoblinda shkojnë e vijnë nëpër linjat e romanit, hahet e pihet, kurvërohet, shkohet për gjueti, vetëvihen grada, grada nga më të çuditshmet, poetët e oborreve vargëzojnë bejte panegjerike, hanëmet bubikofe nxitojnë fshehtësisht pas jaranëve, ndërrohen mbretërit, vijnë regjentët, ikin, dhe e gjithë kjo të mbetet në memorie si një lojë me letra bixhozi, apo edhe falli. Nuk ka asnjëherë perspektiva, nuk ka asnjëherë horizonte të pastër, por vetëm baltovina, qorrsokakë dhe ré, në një qiell historie, që nuk pastrohet asnjëherë…
E përpin romanin, romanin epope të Karadakut, i cili tashmë ka krijuar një bibliotekë të vërtetë vetëm me firmën e tij, dhe përsëri nuk të ndahen e nuk të shterin pyetjet: Por revolucioni i nëntëdhjetës, çfarë shembi dhe çfarë ngriti? Sa shkurt, sa thjesht dhe sa hidhët vjen përgjigjja: asgjë!
Përsëri riciklim i stërzgjatur diktatorial i dinastive të vjetra politike, përsëri hierarkët e letërsisë komuniste në krye të listave dhe në krye të punëve. Dhe, nuk kanë humbur asgjë nga krekosja e dikurshme. Marrin përsëri çmime letrare, përsëri Presidenca u akordon tituj të lartë, sigurisht për punën krijuese që kanë kryer përgjatë diktaturës,
shajnë, apo edhe shpërndajnë opinione lart e poshtë, teksa nxitojnë të shkruajnë artikujt për librat e njëritjetrit, ende pa u dalë në treg. Domethënë, po ajo lëndë ushqyese për shpirtin, po ai konstitucion, po ajo busull e prishur. Po ç’bëhet? Çfarë kemi arritur më në fund? Sepse më ’98 për pak u shfarosëm brenda llojit. Tri pikat në fund të romanit, tri pikat si një fjalë e prishur kalimthi, humbin njëlloj si gjurmët e Jakomonit, mëkëmbësit me mandat mbretëror, që largohet nëpër qiell me avionin ushtarak si me një shpend të egër grabitqar, por ti, si lexues, mbetesh me shijen e helmët të ngjarjeve të ditëve tona. Përsëri në vendnumëro, përsëri xhiro trullosëse rreth vetes, pa e mbërritur dot asnjëherë prosperitetin dhe identitetin e vërtetë. O paraardhësit tanë, a e dini që po jetojmë edhe ne kohën tuaj? Po daleni, daleni; nuk ka organizëm ndërkombëtar që të mos jetë vendosur në Shqipëri; e dini? Dilni, dilni nëpër rrugë dhe keni për të parë sa e sa makina vezulluese me inicialet UNICEF/
UNHCR/ USAID/ UNOP, dilni dhe përforcojeni vështrimin dhe vëmendjen tuaj pas xhamave të errët të tyre dhe, do të dalloni princvidët, jakomonët, regjentët binjakë, vranickët, tomsonët, telinët, dorispakët… Dhe grinduni, grinduni me njëri-tjetrin, po deshët të hani ndonjë dru kokës…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s