Poezi nga Vullnet Mato
GJENERAL PIRRO I EPIRIT
Në përvjetorin e njëzet shekujve,
të vdekjes sipër kalit,
o i madhi gjeneral Pirro,
bir i mbret Bardhylit ilirian,
të kam vendosur sot,
mbi tullën simbolike të varrit,
dy trëndafila diellor,
nga muzgu Adriatik e Jonian;
Për vringëllimat e shpatave ilire,
nga Apolonia në Vardar,
o mbret i goditur në kokë,
nën ballkonin fatal të Korintit,
me tullën e asaj nëne,
për djalin e saj të vrarë,
ku fitoret mbi romakët i mbylle
me humbjen e shpirtit.
Ke pasur vdekje fatlume,
pa goditje me tullën e tritolit,
se s’do kish mbetur për varr,
as nishani i eshtrave të tua,
që sot bëhen pluhur,
nga vdekja moderne e Albanopolit,
pa lënë shenjë, ku të vajtojnë
prindërit dhe e zeza grua…
Sot, o gjeneral Pirro,
vdekja nuk ndodh për shkaqe lufte,
por për larje hesapesh,
nga borxhet e vonuara në biznes,
dhe urrejtja politike,
për t’u ulur fitimtar mbi kolltuqe,
pa u zbuluar tulla e tritolit,
vënë nga vrasësi me pagesë.
Pate fat, o Pirro, që s’linde në Apoloni
njëzet shekuj më pas,
se emri yt do qe harruar pas njëzet ditësh
në dosjet e drejtësisë,
si biznesmen që fiton para
dhe i humb pa vënë buzën në gaz,
në vend të fitoreve të tua famoze,
si mbret i Epirit e Maqedonisë…