SHTATË DITË -Ditar – / Shkëputur nga libri me tregime “DASHURIA ÇEL NË PRILL”, i autores Drita Lushi

SHTATË DITË

 -Ditar –

drita lushu

 Shkëputur nga libri me tregime “DASHURIA ÇEL NË PRILL”, i autores Drita Lushi

 

 

Dita e parë

 (E enjte, prill, 20. . )

 

Ti ke udhëtuar shpesh i dashur, por kurrë nuk e kam ndjerë mungesën tënde si sot.

S’kam mbajtur ndonjëherë ditar, sepse t’i kam thënë përherë me fjalë ato që kam dashur.

Por, nuk e di pse sot, paskam dëshirë të shkruaj!

Ndoshta sepse kështu, më duket sikur të kam pranë e te flas, apo mbase këtë radhe do rrish më gjatë se herët e tjera.

S’di pse jam bërë kaq e ndjeshme këto ditë. Përherë të kam dashur njëlloj, por paska raste, kur të duket se dashuria që i fal dikujt s’mjafton.

Por kjo është puna jote, ashtu siç është e imja në këtë qytet të qetë, që zgjodhëm së bashku të jetonim, unë ti dhe dashuria jonë.

Na dukej si një fëmijë i vogël, i bukur, i brishtë, dhe duhej të përkujdeseshim për ta rritur sa më mirë dhe qetë.

 

O zot, sa të dua!

Ta thashë dhe në mëngjes para se të kalojë pragun e dashurisë sonë.

Kështu më pëlqen ta quaj derën e shtëpisë;

Një portë, ku ruajmë dashurinë, e cila gjendet në çdo cep e kënd, në mure, piktura, në çdo objekt dhe orendi.

 

Që tani më mori malli.

Buzët, i kam ende të ngrohta, nga puthja e mëngjesit. Buzët, qafa dhe i gjithë trupi, janë me aromën tënde, nga ai përqafim i gjatë para se të niseshe.

Akoma më duket se dëgjoj pëshpërimën e zërit tënd rrëzë veshit : “ të dua, njëmijë e një herë, të dua”.

Ti e di sa më pëlqen ajo pëshpërime intime rrëzë veshit. Ndiej ende krahët e tu rreth trupit tim, në atë përqafim të gjatë mëngjesi, kur tisi i ditës puthej për tu ndarë me tisin e nat , e unë duhej të shkëputesha nga sheshi i kraharorit tënd.

Sot shtratin po e lë parregulluar, sepse dua të ruaj aromën tënde e të fle me të, në natën, që më duket aq e frikshme pa ty.

Tej dritares shoh që ka nisur një shi i imët dhe qielli po nxihet.

Më duket se qielli po ma bën me hilé.

Besoj, se do të ketë furtunë.

O zot, sa frikë i kam bubullimat! Uroj të mos ketë të tilla! Kujt do ti futem në gji për tu mbrojtur nga zhurma e tyre?

Ja edhe pak, e do të nisem për në punë, por e di, që ti do më shoqërosh në heshtje, kur të jem duke shkruar në kompjuter, kur të pi kafenë me kolegët, kur të jem në timon.

Më vjen të qesh kur ma përsërit çdo herë : “Kujdes!”

Sa e dua përkujdesjen tënde!

Mallëngjehem si një grua shtatzanë e lotët më vijnë në sy, kur kujtoj këto skena. Nuk e besoj ende se je nisur. Më duket se nga çasti në çast do hapësh derën dhe do më thuash : “Ishte veç një shaka, ja ku jam!”

E unë do hidhesha përpjetë nga gëzimi; ti do lëshoje çantat, për të qenë finishi i sprintit tim dashuror.

Por ja, që ti je udhës.

Po nisem dhe unë udhës sime. . të punës!

 

 

 

-Dita e dytë-

 (E premte, prill, 20. . )

 

Mirëmëngjesi, i dashur!

Mbrëmë vetëtiu e bubulliu pa ndalur.

Mëngjesi më takoi zgjuar.

Shiu, si një burrë nevrik dhe xheloz trokiste me forcë mbi xhamat e dritares.

Pata ftohtë pa ty. O sa tekanjoze duket kjo pranverë!

Kur u ngrita në mëngjes, mu duk një çast se kishte rënë dëborë.

Fërkova sytë dhe. . . ah, ishin lulet e kumbullës që kishin mbuluar tokën!

Ndoshta sivjet do kemi më pak fruta.

Qielli ende është i vrenjtur, e kur e shoh në sy, më duket se më ka marrë inat, që më sheh në dritare.

Nuk besoj se do të ketë stuhi si ajo e mbrëmshmja. Në rrugë shoh shumë lëvizje.

Duket sikur pas shiut të mbrëmshëm, kanë rilindur dhe njerëzit.

Sa e bukur është gjallëria dhe zhurma!

Sa i lehtë e i pastër më duket ajri!

Po ngrihem një çast të hap dritaren . . .
Oh, nuk ka më jetëdhënës se ky ajër mëngjesi. Megjithëse pak i freskët përsëri e dua. Sikur po më hap sytë dhe mendjen. Shpirti im ka nevojë të ajroset mbas asaj nate pa ty, në shoqërinë e bubullimave dhe shiut.
Kam porositur gazetën tënde të preferuar dhe do ta lexoj, duke pirë kafenë.

Sot e përgatita vetë.

Unë asnjëherë s’kam ditur ta bëj kafenë mirë.

Kur të vish, dua të merresh seriozisht me mua, për të më mësuar si bëhet një kafe e mirë. Ha ha ha.
E shikon sa punë të presin në kthim?

Nesër është fundjavë.

E para herë, që nuk e pres me gëzim.

Si ti kaloj dy ditë pushimi vetëm? Shpresoj, që deri në darkë pasi të “këshillohem” me gjumin të kem renditur planet për ditën e nesërme.

E di që mbrëmja do më gjejë ulur e mendueshëm, duke mos ditur “nga t’ia mbaj”

Tani po nis ditën.

Me mbyti malli i dashur.

 

 

 

-Dita e tretë-

 (E shtunë, prill, 20. . )

 

Sot, mora makinën dhe vajta tek vendi ynë, atje ku bëhemi njësh me natyrën  në fundjavat tona.

Rruga ishte verbuese nga ndërthurja rrezeve të diellit dhe gjelbërimit që lakohej mbi drurë, si dy të dashuruar që s’ndahen dot nga njëri tjetri.

Vargu i pemëve në formë tuneli, më shoqëroi deri në mbërritje, e mu dukën ata drurë, si silueta pranvere. Mu duk sikur papritur ato ishin kthyer në frymorë dhe më jepnin ajër nga vetja. Më në fund arrita në luginën tonë, buzë atij përroi të qetë me ujë kristal.

Isha vetëm, por kjo më kujtoi më mirë gjysmën time; Ty!

Dielli, ajri, zogjtë dhe cicërimat e tyre më bënë shoqëri.

Mora një roman me vete, përveç ushqimeve të lehta. Romanin që ty të pëlqen aq shumë, por dhe mua jo më pak: “Të duash pa u lodhur”.

E di, që e kemi lexuar.

Por një gjë që e do me shpirt, nuk të mërzitet asnjëherë, apo s’është kështu? Më duket sikur sa herë lexoj atë roman, lexoj jetën tonë, sepse dhe ne s’jemi lodhur së dashuri.

Po mundohem të mbush kështu, boshllëkun që më krijon mosprania jote. E di, e di që folëm në telefon gjatë, pothuajse dhe gjumi më mori duke folur bashkë. Megjithatë nuk është e njëjta gjë sikur të kam pranë, e të prek. Vetëm atëherë bindem që je.

Ha ha ha! Ndonjëherë me duket vetja sikur jam mamaja jote, me gjithë atë kujdes që tregoj ndaj teje.

Por dhe ti, ndonjëherë më dukesh si babai, që më jep këshilla: “vepro kështu”, “kujdes këtu!”.

Megjithatë janë të bukura të gjitha këto përkujdesje dhe këshilla.

Kufjet nuk i mora me vete. Doja të dëgjoja muzikë të pakompozuar nga askush, “muzikë bio”, muzikë natyre.

Po, po!

Fëshfërima e gjetheve, rrjedha e përroit, kënga e zogjve, ato cicërima herë të qeta, e herë të forta më dukeshin si një orkestër që luanin veç për mua simfoninë e mallit për ty. Kur vendosa të ngrihem, më parë, zbrita e hodha një shplakë ujë fytyrës. S’doja të largohesha pa më prekur pak uji i përroit tonë.

Në shtëpi më prisnin gjërat e zakonshme, punë, gazeta, ndonjë lajm.

Pasdite u mora pakëz me oborrin. Ka nevojë për sistemim, pas shiut që ra këto ditë.

E, ja kjo ishte dita e tretë pa ty, por mua më duket sikur është e treqindta.

Ç’të bësh, i dashur!

Malli paska rrënjë të forta, e veç rritet çdo ditë. . .

 

10313621_1562879173966420_8232870405339757257_n

                  Drita Lushi

 

 

-Dita e katërt- 

(E diel, prill, 20. . .)

 

Vetëm tani, munda të ulem e të shkruaj. Ishte një ditë që u mundova ta mbush me punë.

Qysh në mëngjes, “gërmova” në valixhen ku mbajmë gjëra të veçanta, dhe nxora letrat, kartolinat, dedikime të ndryshme që i kishim bërë njëri tjetrit, për ditëlindje dhe festa, kur ishim ende të fejuar.

I lexova të gjitha. Sa emocione më dhanë! Teksa i lexoja, përjetoja tërë jetën tonë dhjetëvjeçare, që nga njohja. Dhjetë vjet – një dekadë, por mua më duken si dje.

E ndjej veten si ditën e parë të njohjes sonë. Ka qenë e premte , të kujtohet?

-Atë ditë kam qenë shumë e “xhindosur”, që s’më kish ecur dita mbarë. Ecja me shpejtësi dhe isha duke folur e sharë nëpër dhëmbë. Ha ha ha . Kisha harruar që ekzistonin njerëzit përqark.

Ti mu drejtove :“Zonjushë, qetësohuni, jeni duke folur me vete”.

Vetëm atëherë, ndala këmbët, pashë rreth e qark dhe shpërtheva në të qeshurën time, që ti tashmë e njeh.

Dhe ti vazhdove:

“Edhe tani, nuk jam i qetë. ”

 

Ajo ditë e bekuar që na njohu!

 

Meqë ra fjala, gjeta një letërz, që më shkruaje për ditëlindje: “Flok’artës sime i uroj këtë ditëlindje, që t’i shtojë “marrëzitë”, të qeshurat, dashurinë, të shtojë të puthurat, sepse vetëm ato i japin bukuri. Nëse një ditë nuk do bësh këto që bën sot, por do jesh një zonjë, po të them që unë i kam “frikë” ato.

Të mbetesh kështu siç je, e unë do të të dua më shumë se sot, duke ndarë bashkë çdo pikë gëzimi. Vetëm kështu jeta ime bëhet e plotë dhe e lumtur. Shpresoj që dhe për ty të jetë kështu.
Të puth Piter“

U mallëngjeva nga këto fjalë.

Pastaj bëra një sistemim, të letrave, dedikimeve urimeve për njëri tjetrin. Më vonë vesha çizmet, vura dorezat dhe dola në kopsht. Kisha nevojë të shkrydhja pak, krahët dhe trupin. Vendosa të punoj, por dhe kopshti kishte nevojë për përkujdesje!

Sapo nisa të punoja, erdhi znj. Xhudi dhe më tha:

-Sapo kisha vendosur të vija në shtëpi dhe të thosha : “Dil, Joanë! Kopshti ka nevojë për duart e tua!”
Qesha pa u përmbajtur. Ti e di si është ajo, aq e drejtpërdrejtë. Për këtë e pëlqej. Ajo vazhdoi përsëri duke ngritur pak zërin, që dukej në sintoni me të qeshurat e mia shpërthyese:

“Duket që nuk e paske Piterin në shtëpi. Po deshe, të ndihmoj pak”

E falënderova. Ti e di që preferoj t’i bëj punët me duart e mia.

Pastrova lulet nga barërat, mbolla të reja, u mora pak me barin e sistemova dhe e preva. Jam bëre punëtore qe kur ke ikur ti, ha ha ha!

Pasi mbarova, ndenja në vaskë rreth një orë. Kjo me çlodhi plotësisht. Pasdite lexova dhe ndoqa televizion.

Pas telefonatës sonë njëorëshe, vendosa të shkruaj dhe ditën e katërt të ditarit i dashur.

Nesër më pret një ditë e vecante. Ti e di përse.

Nuk ka, si të mos e dish. Është ëndrra jonë pesëvjeçare.

Shpresoj të mos jetë më e tillë këtë herë!

 

 

 

-Dita e pestë-

(E hënë, prill, 20. . )

 

Sot, që në mëngjes u zgjova me emocione. Natën e kalova qetë, sepse u lodha duke punuar në kopsht, dhe pasi “ndenja me ty” në mendje nja gjysmë ore, fjeta si qengj.

Kur hapa sytë, dielli gati më ish’ ulur aq pranë, sa u tremba kur pashë rrezet e tij në sytë e mij.
Kujtova mos ishte bërë mesditë.

U ngrita, u bëra gati shpejt e shpejt dhe dola. Klinika ende nuk ishte hapur, por padurimi im, s’mund të më mbante në shtëpi.

Kështu, mu desh të telefonoja në punë, për t’u thëne që do vonohesha. Doja patjetër ta merrja sot atë përgjigje analizash, patjetër sot! Ti e di si jam unë kur ngul këmbë për diçka.

E di, e di që s’bëj mirë, por sot për shembull më falej.

Ishte një përgjigje e shumëpritur nga të dy.

Ndërsa dola tek bari afër klinikës për të marre një kafé, mendja nuk ishte fare aty.

Ajo luante sa tek ty, sa tek përgjigja që do merrja. Isha komplet tjetërkund, sa dhe kamerieri që mori pagesën, filloi të qeshë me përgjigjet e mia tjetër për tjetër dhe hutimin tim.

Eh! Punë e madhe!

Kur vajta pas gjysmë ore në klinikë, e gjeta hapur.

Kontaktova me sekretarinë, dhe pas pak me priti vetë doktori.

Oh i dashur! Çfarë emocionesh, çfarë emocionesh!

Vajta drejt tij e ndrojtur. Ai u ngrit në këmbë, më dha dorën, dhe më uroi qetë:”Urime. Jeni shtatzanë”

Nuk e besova. U ula në karrige pa i marrë lejë. Ai e kuptoi gjendjen time, ( kushedi si isha bërë në fytyrë!) më ofroi një gotë ujë dhe më tha:

“Per ju zonjë, duhet të jetë hera e parë. E kuptoj gjendjen tuaj”

I buzëqesha. Ai më afroi gotën me ujë, piva pak e me përgjigjet e analizës në dorë dola.

Më në fund ëndrra jonë për një bebush, ishte realizuar!

Aty do të shihnim veten dhe tiparet tona, frymën dhe dashurinë tonë të konsoliduar.
Këmbët nuk më bindeshin. Nuk doja të shkoja në punë. Por as doja ta ndaja lajmin me njeri tjetër, veç teje.

Eca në këmbë. Shumë, shumë, nuk di se sa.

Eca, për të mbushur veten, orët, ditën, deri ne çastin qe do hidhja në letër këto emocione, por dhe në çastin qe do të flisja me ty në telefon.

Sa keq, që vetëm në darkë mund të flisnim!

Megjithatë i dashur, ajo ecje e gjatë më bëri mirë. Emocionet nuk ishin më një “lëmsh”, por ato m’u kthyen në një gëzim të bukur.

U ula në një park dhe ndenja afër një orë. Dielli pranveror atë ditë ish veç i imi, më dukej sikur çdo gjë përreth më përkiste veç mua, po aq ndieja një dëshirë të ré që të ndaja çdo fjalë me njerëzit.

Nuk e kisha dashur botën më shumë se sot!

Të ndieja çdo çast me ne.

Ndërsa unë tashmë isha qetësuar e gëzimi më mbante në krahë, ti vetëm në darkë pas lajmit do qetësoheshe.

Në punë arrita kur kishte kaluar orari i drekës.

Kolegët më pyetën në kisha pasur ndonjë hall.

U përgjigja me mirësjellje me një “jo” të vetme. Ata e kuptuan që s’duhej të zhbironin më tej.

Ndihesha tjetër njeri. Tashmë brenda meje ishte një jetë e re.

Ç’mrekulli!

 

 

 

-Dita e gjashtë-

(E martë, prill, 20. . )

 

Pas mendimeve të gëzuara, ndjenjës që nuk mund ta shpreh dot me fjalë, munda të flija.

E di i dashur?

Dola para pasqyrës dhe shihja barkun.

Ha ha ha, e di që është shpejt, por është padurimi im, për ta parë atë krijesë të rritet brenda meje. Sot sapo u ngrita, hëngra mëngjes: bukë te thekur, reçel, vezë të ziera, djathë, qumësht. është shumë, por ajo qenie brenda meje kërkon që të rritet. Pastaj dola në verandë të merrja ca rreze. Më vonë telefonova në punë dhe u thashë që do ta bëja pushim.

Po, po kështu vendosa. Kisha nevojë të kisha një ditë timen, e lirë të shijoja plotësisht gëzimin që ndieja, të mblidhja veten nga gjithë ajo lumturi që më dukej se më mbante pezull.

Në verandë kishte dalë dhe zonja Xhudi, duke pirë kafenë e mëngjesit. Me ftoi për kafé. As ajo nuk e kishte të shoqin aty. Pasi kaluam një copë herë së bashku në diell, me bisedat e zakonshme, s’munda t’ia mbaja të fshehur gëzimin që më lexohej në sy.

I thashë që isha shtatzanë. U gëzua shumë e më porositi me atë zërin e butë e të dridhshëm: “Kujdes bijë”- tha. “Mos u lodh shumë muajt e parë”- vazhdoi , kur i tregova që dje kisha ecur disa orë.

Më afroi ndihmën e saj, sa herë do të kisha nevojë. Sa fisnike që është, me duket se shoh tek ajo, time më!

Pastaj vendosa të dal. Më erdhi në mendje diçka e beftë dhe e bukur:

Të shkoja në dyqane fëmijësh.

Nuk i kisha pare asnjëherë me atë sy; Veshje të bukura, për vajza e djem të sapolindur e për fëmijë më të rritur. Doja të merrja gjithë dyqanin me vete.

E di ç’bëra?

Bleva veshje për vajza dhe për djem. Por i bleva më të njëjtën dashuri dhe përzgjedhje. Sa të bukura që janë!

Rozë të bardha, bojëqielli, të verdha. Por më vjen keq që do t’i shohësh vetëm kur të vish.

Sa vajta në shtëpi, i vendosa nëpër sirtarë. Mora dhe zonjën Xhudi për t’i parë. Më dha njëqind këshilla. E dëgjoja me vëmendje, por ndonjëherë bëja sikur.

Sot me iku dita pa e kuptuar fare, madje po prisja të shtrihesha, sepse po ndieja pak lodhje.

Ditë e paharruar!

 

 

 

-Dita e shtatë. –

(E mërkurë, prill, 20. . )

 

Është një ditë larg, ardhja jote, e mua më duket një vit. Mezi e pres shfaqjen tënde në derë, duke thërritur: “Ku është flok’arta ime?” Por këtë herë ti s’do përqafosh një, por dy njerëz.

Mua dhe një krijesë të vogël brenda meje, që është vetë dashuria jonë që do vijë e do rritet nga dita në ditë, e ne të lumtur, do shohim veten te skalitur ne té, tiparet, karakterin, të qeshurën dhe butësinë time, dhe maturinë tënde.

Eh i dashur, sa emocion!

Në punë, kam qenë pak e shpërqendruar, por gjithsesi e gëzuar. Mezi pres të ndaj me ty, gjithë të rejat e këtyre ditëve.

Në shtëpi kam pastruar çdo gjë; Lulet në kopsht, janë bërë të bukura dhe nën këtë diell që vetëm ngroh, duken të mrekullueshme. Këputa disa dhe i vura në çdo dhomë.

Nuk e di, por kur në dhome ka lule, më duket sikur ka më shumë jetë, sikur më bëjnë shoqëri, herë-herë më duket se flasin me mua;

P.sh, trëndafilat, më duket se më thonë fjalë dashurie, karafilat fjalë malli, manjolat më flasin ëmbël e ëmbël. E unë, ua kthej me të njëjtën gjuhë.

Shtratin e rregullova, dhe kam shtruar çarçafët me luledele që na pëlqejnë aq shumë. Sa here shtrihemi për të fjetur mbi to, na duket vetja në një lëndine pafund.

Gjithë shtëpia mban aromë dielli dhe lulesh. Jemi në pritjen tënde. Po ndjek udhëtimin tënd në mënyrë imagjinare.

Malli është rritur e lartuar, sa një bojë njeriu. Ka emrin tënd.

Tani po shtrihemi të flemë, që e nesërmja të vijë sa më shpejt, e ti të shfaqesh si pritë para lumit të përqafimeve që të pret.

. . . . . . .

 

 

(E enjte, prill 20. . )

 

Kjo faqe ditari nuk është si të tjerat.

Sepse malli, ndjenjat, emocionet, përqafimet, dhe padurimi im është aq i madh, sa mezi pres çastin që sytë do takohen në një pikë dashurie.

A mund të shkruhen të gjitha këto?

Të pres si asnjëherë tjetër. . .

 

One thought on “SHTATË DITË -Ditar – / Shkëputur nga libri me tregime “DASHURIA ÇEL NË PRILL”, i autores Drita Lushi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s